Me 19 qershor, Indeksonline publikoi një lajm me titull “KFOR-i nuk lejon Njesinë Speciale të Kosovës të shkojë në Leposaviq”.
Artikulli pretendon që KFOR ishte vendosur në hyrje të Leposaviqit dhe që kishin penguar Njësinë Speciale të Kosovës për të shkuar në komunën e Leposaviqit. “KFOR-i ka vendosur barrikadën tek baza në zonën e quajtur ‘Nothing Hill’- shkruhet në lajm.
Lajmi i rremë u shpërnda edhe nga media të tjera: Veriu.info, Bota Press, Shqiptarja etj.
Mirëpo, përkundër raportimit të mediave, e gjithë kjo është demantuar nga Policia e Kosovës. Duke mohuar raportimet e sotme që Njësia Speciale e PK-së nuk është lejuar të shkojë në Leposaviq nga KFOR-i. Zëdhënësi i PK – së Baki Kelani, ka thënë se “Ju informojmë se të gjitha njësitet policore të planifikuara dhe të caktuara në detyrë zyrtare, janë duke kryer detyrat e tyre në terren”.
Vlen të theksohet që Misioni i Aleancës Veriatlantike– NATO ka treguar se njësitet e saj kanë qenë të vendosura në katër komunat me shumicë serbe në veri për të frenuar demonstratat e dhunshme, të cilat u organizuan për të kundërshtuar kryetarët e sapozgjedhur të komunave që të ushtrojnë detyrën në ndërtesat e kuvendeve komunale. Protesta u zhvilluan si rezultat i bojkotimit të zgjedhjeve lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill.
*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”