Artem Bonov, njeriu që paraqitet në foton e shpërndarë në postim, është ukrainas me pikëpamje ekstreme të djathta. Ai ka kanalin e tij në YouTube. Bonov është i veshur me një uniformë të vjetër, në të cilën shihet mbishkrimi “Milicia” në anën e pasme – në shpinë. Uniforma të tilla janë përdorur deri në nëntor 2015 dhe që atëherë uniformat janë zëvendësuar me të ndryshme, kështu që fotoja definitivisht nuk është e vitit 2022. Rrethanat në të cilat është realizuar kjo foto mbeten të paqarta, ndaj nuk mund të përcaktohet nëse Bonov ka qenë pjesëtar i forcave të sigurisë gjatë periudhës së vlefshmërisë së uniformave të vjetra.
Recensojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook, në të cilin është shpërndarë një foto e një burri me tatuazhe me simbole naziste në trup, si dhe një foto e tij me uniformë policie. Si pjesë e postimit, pretendohet se personi është polic ukrainas, pra pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës me dhe pa uniformë.
Ky njoftim në forma të ndryshme bëri xhiron e botës dhe për zbardhjen e tij tashmë po punonin kontrolluesit e fakteve nga “France Press”, si nga Greqia edhe nga Serbia.
Postimi që po recensojmë thotë se pavarësisht se “mediat e huaja pretendojnë se nuk ka nazistë në Ukrainë, kështu duket një anëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës brenda dhe jashtë uniformës”. Në foton e publikuar shihet një tullac i cili ka tatuazh në trup me motive svastike, duke mbajtur armë dhe shenja, e mes tatuazheve ka edhe simbole të tjera naziste. Postimi përfshin edhe një foto të të njëjtit burrë me uniformë ku shkruhet “Milicia”.
Megjithatë, Artem Bonov, njeriu që paraqitet në foto, nuk është anëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, por një ukrainas me pikëpamje ekstreme të djathta. Ai ka kanalin e tij në YouTube.
Jashtë vendit, siç shkruajnë verifikuesit e fakteve nga Franca, në postime false në Facebook ai paraqitet si zv/shefi i policisë së Kievit. Megjithatë, njeriu në foto, i njohur si Artem Bonov, nuk është zv/shefi i policisë së Kievit dhe nuk ka asnjë të dhënë që ai të ketë qenë ndonjëherë zëvendës-shefi i policisë.
Agjencia “France Presse” kontaktoi Ministrinë e Punëve të Brendshme të Ukrainës në lidhje me pretendimet se Bonov është shefi ose zëvendësshefi i policisë së Kievit. Më 23 mars të këtij viti, zëdhënësi i ministrisë tregoi faqen e internetit të rajonit të Kievit, ku renditen shefi aktual Andre Anatolieviç Nebitov dhe katër zëvendësit e tij, prej të cilëve asnjëri nuk është Artem Bonov.
Në Poloni qarkulluan raportime se ky njeri supozohej të vinte në vend si refugjat nga Ukraina dhe duhej të mbrohej nga një ligj i ri, i cili ndalon dëbimin e refugjatëve ukrainas edhe nëse ata kanë kryer krime kundër banorëve vendas. “France Press” edhe për këtë njofton se është i pavërtetë dhe dezinformim.
Faqja greke e verifikimit të fakteve “Elinika Hoaksis” raporton se fotoja në fjalë, ku Bonov është me uniformë policie, është e vitit 2014 dhe është shpërndarë për herë të parë në një forum në internet.
Shenjat që shihen në krahun e Bonov i referohen anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (Милиція України) në vitin 2015. Deri në vitin 2015, ata mbanin shenja të tilla. Deri në vitin 2015, policia ishte nën kontrollin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të vendit. Në korrik 2015, u krijua Policia Kombëtare e Ukrainës (Нацульная полиція України), menaxhuar dhe koordinuar nga Këshilli i Ministrave të vendit. Prej asaj kohe kanë ndryshuar edhe shenjat në uniformën e policisë, shkruan “Elinika Hoaksis”.
Ata tani duken kështu:
Në vitin 2014, administrata qendrore e Ministrisë së Punëve të Brendshme në rajonin e Kievit demantoi se e djathta ekstreme punonte për policinë.
Asnjë nga personat e shfaqur në video nuk është aktualisht në autoritetet e punëve të brendshme të Ukrainës, thanë ata në një deklaratë në atë kohë.
Në media ka lajme si ky i publikuar më 1 dhjetor 2014, në të cilin thuhet se departamenti rajonal i MPB-së ka deklaruar se personat në foto (në ato foto është edhe Artem Bonov) nuk janë policë.
Sipas një komunikate të policisë në atë kohë, fotografia në të cilën Bonov u fotografua brenda Ministrisë së Brendshme të Ukrainës mund të jetë krijuar kur shumë qytetarë donin të punonin në forcat e sigurisë dhe u intervistuan dhe u testuan në ndërtesën e policisë. Në artikull thuhet se të rinjtë shoqëruan ata që donin të bëheshin policë dhe erdhën me ta në ndërtesën e Policisë Rajonale të Kievit.
Pra, Bonov është i veshur me një uniformë të vjetër, e cila tregohet nga mbishkrimi “Milicia” në anën e pasme – në shpinë. Siç e përmendëm, uniforma të tilla janë përdorur deri në nëntor të vitit 2015 dhe që atëherë uniformat janë zëvendësuar me të ndryshme. Fotoja e Artem Bonos e shpërndarë në postim definitivisht nuk është e vitit 2022, pasi uniforma e policisë në Ukrainë tani ka një emblemë tjetër. Rrethanat në të cilat është realizuar kjo foto mbeten të paqarta. Prandaj, nuk mund të përcaktohet nëse Bonov ka qenë pjesëtar i forcave të sigurisë gjatë periudhës së vlefshmërisë së uniformave të vjetra. Por ai nuk është aktualisht në policinë ukrainase, siç pretendohet në mënyrë të rreme në postimin që po e recensojmë.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari