Përse vaksina ruse Sputnik nuk pranohet ende në Australi?

Published on:

Në pritje të turneut të tenisit Australian Open, u bë e qartë se disa tenistë, të cilët janë vaksinuar me dy doza të vaksinës Sputnik, nga prodhuesi rus Instituti i Kërkimeve Gamaleja, nuk do të mund të marrin pjesë në këtë turne, sepse Australia nuk e pranon këtë vaksinë, shkruan “Vërtetmatësi”në kontrollimin që e ka bërë.

Në vijim e transmetojmë tekstin e plotë të botuar në “Vërtetmatësi”:

Rusja Natalia Viklijanceva në Twitter ka publikuar se po e anulonte pjesëmarrjen e saj, për shkak se nuk i pranohen dy dozat e vaksinës ruse Sputnik që i ka marrë ajo.

Aktualisht në Australi njihen vaksinat Pfizer, Astra Zeneka, Moderna dhe Johnson, por mund të udhëtohet edhe me dy doza Sinovak dhe Sinofarm.

Cili është problemi, për të cilin ka vështirësi që Sputnik të njihet në Perëndim?

Problemi nuk është vetëm në Australi. Edhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk e kanë pranuar ende vaksinën Sputnik V. Prodhuesi rus i Sputnik V duhej t’i dorëzonte në OBSH të gjitha informacionet më të reja të provave klinike deri në fund të dhjetorit. OBSH priste që në këto informacione të përfshihen lokacionet e objekteve të prodhimit, në mënyrë që ato të mund të inspektohen deri në fund të shkurtit 2022. Moska nxitoi të miratonte vaksinën e saj për popullsinë vendase dhe e eksportoi në shumë vende të botës, por ende nuk është certifikuar as nga OBSH, as nga EMA, rregullatori evropian i barnave.

“Pasi Instituti Gamaleja nga Rusia të dorëzojë të gjitha dokumentet dhe komplet aplikacionin, i cili përbëhet nga dy pjesë, OBSH do të fillojë shqyrtimin”, tha Rogerio Gaspar, Drejtor i OBSH-së, në një konferencë në Gjenevë në fund të dhjetorit 2021.

Edhe rusët e pranojnë se e kanë një kuptim ndryshe të standardeve për prodhimin e vaksinave nga ato të OBSH-së dhe se fillimisht nuk kanë arritur t’i përmbushin kërkesat. Pasi revista prestigjioze mjekësore “Lancet” raportoi që vaksina Sputnik V ka efikasitet prej 91.6 për qind, shumë vende filluan ta përdorin atë, duke e marrë përgjegjësinë mbi vete dhe kjo gjendje vazhdon tashmë një vit, periudhë në të cilën vaksina nuk është e autorizuar ende nga rregullatorët ndërkombëtarë, agjencitë kombëtare rregullatore të barnave në shumë vende.

Ende nuk i kemi dorëzuar disa nga informacionet, sepse kishim një kuptim të ndryshëm se çfarë duhej të dërgonim dhe standarde të ndryshme, tha Dmitri Peskov, zëdhënës i Kremlinit.

Në shtator zyrtari i OBSH-së, Xharbas Barbosa, në konferencë vuri në dukje se procesi i prodhimit të Sputnik V nuk i plotëson standardet e kërkuara, prandaj aplikacioni për Sputnik është në pritje për të marrë autorizim nga OBSH.

Gjatë inspektimit të një prej kapaciteteve të prodhimit, ku prodhohet vaksina, u konstatua se objekti nuk ishte në përputhje me praktikat më të mira të prodhimit. Prodhuesi duhet ta marrë parasysh këtë që, pasi të sigurohet që fabrika përmbush standardet, të bëhet inspektim i ri, tha Barbosa.

Afati më i hershëm kur OBSH do të inspektonte fabrikat ku prodhohet Sputnik V është shkurti i vitit 2022, me kusht që kompania t’i paraqet të gjitha dokumentet e nevojshme. Edhe rregullatorit evropian EMA do t’i duhet kohë të paktën deri në tremujorin e parë të vitit 2022 për të miratuar Sputnik V. Një burim i paidentifikuar ka thënë për Reuters se dokumentacionit, që prodhuesi rus i ka dorëzoi në EMA, i kanë munguar të dhëna.

A mundet, megjithatë, tenistja ruse Viklijanceva të marrë pjesë në Australian Open?

Njoftimin e tenistes ruse Viklijanceva disa e interpretuan sikur të kishte rënë dakord me standardet për vaksinim të pranueshëm që i ka Australia, ndërsa të tjerat si politizim dhe shitje patriotizmi. Tweet-i i tenistes ruse, ndonëse i popullarizuar në Twitter, nuk tërhoqi vëmendje të gjerë ndërkombëtare derisa në dritë nuk doli rasti i Novak Gjokoviq, të cilit autoritetet australiane ia hoqën vizën dhe pritet që ta zgjidhë gjykatat australiane. Pas rastit me Gjokoviqin, postimi i Viklijancevës tërhoqi vëmendje të madhe në botë, e deri diku edhe në vend. Reagimet nën postimin e saj në Twitter janë të ndara. Ka nga ata, të cilët mendojnë se problem është fakti që Sputnik V nuk ka verifikim ndërkombëtar, ndërkohë që një numër i madh reagimesh rreshtohen në anën e sportisten, duke kërkuar që edhe ajo, si dhe të gjithë tenistët tjerë të lejohen të marrin pjesë pavarësisht statusin e tyre të vaksinimit. Mirëpo, nuk është i vogël numri i atyre, të cilët mendojnë se në këtë tweet ka ndërhyrë edhe gjeopolitika ndërkombëtare dhe se ai është postuar pikërisht për arsye të tilla. Shtrohet pyetja nëse atletët rusë të vaksinuar me Sputnik V do të marrin pjesë tani në garat sportive të organizuara në vendet perëndimore (të cilat përgjithësisht ende nuk e kanë verifikuar vaksinën ruse), duke e ekspozuar veten dhe ekipet e tyre humbjeve financiare.

Deri më tani, certifikatën e vaksinimit të lëshuar për dy doza të vaksinës Sputnik V e kanë pranuar 73 vende. Megjithatë, në këtë listë nuk janë shumica e vendeve të Evropës Perëndimore, SHBA dhe Kanadaja, si dhe një numër vendesh të tjera në mbarë botën. Prandaj çdo udhëtar duhet të kontrollojë rregullat në vendin ku ai synon të udhëtojë.

Së fundi, duhet theksuar se Viklijanceva ka mund të vaksinohet lehtësisht me dozën e tretë përforcuese të vaksinës nga markat e verifikuara në vendet perëndimore, për shembull me vaksinën Johnson, e cila merret përmes një doze të vetme (ndryshe nga vaksinat e tjera kundër kovid, për të cilat kërkohen dy doza, që një person të konsiderohet i vaksinuar) dhe kështu të mundej të merr pjesë në Australian Open.

Për momentin, hyrje me dy doza të vaksinës Sputnik V lejohet në Shqipëri, Algjeri, Angola, Argjentinë, Armeni, Azerbajxhan, Bahrein, Bangladesh, Bjellorusi, Bolivi, Bosnje, Brazil, Kamboxhia, Kamerun, Kili, Kroaci, Qipro, Greqi, Ekuador , Guatemala, Guinea, Honduras, Hungari, Indi, Indonezi, Iran, Irak, Jordani, Kazakistan, Keni, Laos, Liban, Maqedoninë e Veriut, Maldivet, Mali, Meksikë, Mauricius, Moldavi, Mal të Zi, Marok, Myanmar, Namibi, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Oman, Pakistan, Palestinë, Panama, Paraguaj, Filipine, Federatën Ruse, San Marino, Serbi, Sllovaki, Slloveni, Shri Lanka, Siri, Tuniza, Turqi, Turkmenistan, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistan, Venezuelë, Vietnam dhe Zimbabve.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Related