Në fotografinë eksplicite nuk është ministrja gjermane Baerbock

Published on:

Në postim gabimisht pretendohet se fotografia eksplicite tregon ministren gjermane Baerbock. Fotografija eksplicite tregon një vajzë tjetër ndërsa ky postimi i rremë u përdor në një fushatë më të madhe dezinformimi që synonte Baerbock-un dy vjet më parë, kur ajo ishte kandidatja e Partisë së Gjelbërt për të pasuar Angela Merkelin si kancelare.

rrjetin social Facebook po shpërndahet një fotografi eksplicite, për të cilën pretendohet se është e Ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock. Por kjo nuk është e vërtetë. Ajo nuk është në foto dhe postime të tilla përdoren si pjesë e një fushate më të madhe kundër kësaj politikane.

Në postimin që është objekt i këtij shqyrtimi, është shpërndarë një kolazh me tre fotografi. Në anën e djathtë, njëra poshtë tjetrës, janë dy foto të Ministres së Jashtme gjermane, Baerbock. Në anën e majtë ka një fotografi eksplicite, pa rroba, të një vajze që pretendohet se është ministrja Baerbock. Por kjo nuk është e vërtetë. Në fotografinë eksplicite është një vajzë tjetër, dhe ky postim i rremë është përdorur në një fushatë më të madhe me dezinformata që synonin Baerbok-un para dy vitesh.

Annalena Baerbock, e cila ishte kandidatja e Partisë së Gjelbërt për të pasuar Angela Merkelin si kancelare në zgjedhjet e shtatorit 2021, ishte objektivi i një fushate më intensive në mediat sociale në muajt para zgjedhjeve, shkruajti Guardian.

Sulmi përfshinte, ndër të tjera, imazhe të rreme që e shfaqnin atë të zhveshur, si dhe një foto të sajuar duke qëndruar pranë financierit miliarder George Soros, e cila u përdor për të pretenduar se ajo ishte pjesë e një teorie konspirative hebreje mbarëbotërore e udhëhequr nga Soros.

Cem Ozdemir, ish-udhëheqësi i Partisë së Gjelbërt dhe tani ekspert i politikës së jashtme, tha në atë kohë se nuk ishte i befasuar nga fushata, për të cilën ai dhe të tjerët, përfshirë ekspertë gjermanë të sigurisë, besojnë se ka mbështetjen e Kremlinit.

Për të parandaluar hyrjen e të Gjelbërve në qeveri, nuk ka mjete që Kremlini nuk do t’i përdorë. Unë vetëm mund t’i këshilloj të gjithë demokratët që të mos marrin pjesë në fushatën e pistë të Vladimir Putinit . Parlamenti gjerman do të zgjidhet në Gjermani, jo në Moskë, Ankara apo Pekin, deklaroi Özdemir për mediat gjermane në atë kohë.

Gjatë fushatës zgjedhore, ajo u bë armiku numër një në qarqet ekstremiste të krahut të djathtë – por jo vetëm atje, raportoi televizioni gjerman N-TV. Si një nga shembujt e kësaj, ata tregojnë publikimin e së njëjtës foto nudo që pretendohet se është “gabim rinor” i Baerbock. Fotoja e vërtetë në fakt është postuar në forume erotike dhe tregon një modele ruse. Një autore e panjohur shtoi një citim të supozuar nga Baerbock: “Isha e re dhe më duheshin paratë”, të cilën ajo nuk e tha kurrë.

Për shkak të sulmeve të forta që ministrja përjetoi para zgjedhjeve për kancelaren e re, ajo u vendos nën mbrojtjen e policisë.

Baerbock ishte e vetmja grua në garën për të pasuar Angela Merkelin. Megjithatë, emërimi i saj u minua që në fillim kur u përball me akuza seksiste, fushata shpifëse dhe mbulim më negativ sesa konkurrentët e saj meshkuj, analizoi “Aleanca për Sigurimin e Demokracisë”, një nismë jopartiake pjesë e Fondit Gjerman Marshall.

Një nga taktikat e njohura të aktorëve keqdashës që bazohen në narrativa seksiste dhe synojnë në mënyrë disproporcionale gratë kandidate është përdorimi i dezinformatave gjinore për të frikësuar kandidatet femra dhe për të konsoliduar pushtetin. Kjo përfundimisht mund të çojë në një shtrembërim të opinionit publik të kandidateve femra, të dekurajojë gratë të marrin pjesë në fushata politike dhe t’i heshtë zërat e tyre dhe zëra të tjerë të ndryshëm. Ndaj, ky fenomen i minimit të kandidateve femra jo vetëm që përforcon mizogjininë dhe praktikat e tjera të dëmshme, por kontribuon edhe në dobësimin e demokracive dhe diskursit të tyre publik, shkruan në analizën e sulmeve të intensifikuara ndaj ministres aktuale.

Sipas një studimi të fundit nga Instituti për Dialog Strategjik, 18 nga postimet më të përhapura në Facebook rreth Baerbock përmbanin informacione të rreme ose teori konspirative, krahasuar me vetëm tre nga postimet më të shpërndara rreth Scholz dhe asnjë rreth Lachette. Ky trend u përsërit në Telegram, ku 43 nga postimet më të njohura rreth Baerbock përmbanin dezinformata ose tregime konspirative, krahasuar me vetëm 26 postime rreth Laschet dhe 17 nga postimet rreth Scholz.

Sulmet online të dezinformimit gjinor janë një taktikë e njohur që aktorët joliberalë në mbarë botën – përfshirë Rusinë, Hungarinë dhe Brazilin – kanë zhvilluar për të minuar kundërshtarët e tyre, sipas OJQ-së Brookings në Uashington, SHBA.

Duke krijuar narrativa seksiste, këta aktorë frikësojnë gratë në mënyrë që të eliminojnë kritikët, të konsolidojnë pushtetin dhe të minojnë proceset demokratike. Taktika të tilla dezinformuese po importohen në Perëndim dhe po adoptohen gjithnjë e më shumë si nga aktorët e huaj ashtu edhe nga e djathta ekstreme në Evropë, thuhet në analizë.

Për të gjitha faktet e deklaruara, mund të konkludojmë se pretendohet në mënyrë të rrejshme se në fotografin eksplicite shihet ministrja gjermane Baerbock. Në fakt, ky pretendim i rremë është pjesë e një fushate më të madhe kundër grave politikane.

 

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Related