Kriza që u injorua në veri: rikthehet frika për një konflikt të mundshëm ndëretnik

Published on:

Diplomatët perëndimorë që tani po merren me menaxhimin e krizës në veri nuk u morën fare me çështjen e zgjedhjeve në diskutimet për Propozimin e Bashkimit Evropian dhe pajtimin e proklamuar rreth aneksit për zbatimin e marrëveshjes në Ohër.

*Përgatiti Fitim Gashi

Si rezultat i pëshkallëzimit të situatës në veri të vendit, emisarët Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak po zhvillojnë vizita në Kosovë dhe Serbi dhe po kërkojnë që brenda kësaj jave të shtensionohet situata.

Për situatën në katër komunat veriore, e cila vazhdon të mbetet e tensionuar, diplomatët perëndimorë e drejtuan gishtin kah Qeveria e Kosovës. Pasoja e parë për Kosovën nga ana e ShBA-së ishte përjashtimi për këtë vit nga ushtrimi më i madh fushor i udhëhequr nga ShBA-ja “Defender Europe 23” dhe deklarata se nuk do të shfaqin entuziazëm për ta mbështetur Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Tri kërkesat e BE-së e ShBA-së janë shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja për kryetar komunash dhe rikthimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Pavarësisht presionit nga Perëndimi, Kurti insistoi se përmbushi vetëm një detyrim ligjor e kushtetues për t’ua mundësuar kryetarëve qasjen në objektet komunale. Ndërsa fajësoi Serbinë se përmes strukturave ilegale krijoi tensionet në veri.

Kriza në zhvillim e sipër që u injorua

Situata në veri filloi të tensionohej qysh në dhjetor të vitit 2022. Diplomatët perëndimorë që tani po merren me menaxhimin e krizës në veri nuk u morën fare me çështjen e zgjedhjeve në diskutimet për Propozimin e Bashkimit Evropian dhe pajtimin e proklamuar rreth aneksit për zbatimin e marrëveshjes në Ohër. Dakordimin mes palëve, ShBA-ja e BE-ja e proklamuan si hap të madh në funksion të normalizimit të marrëdhënieve.

Fakti se Marrëveshja e Ohrit u arrit para datës që ishte caktuar më herët për zgjedhjet e jashtëzakonshme do të duhej t’i hapte rrugë rikthimit të serbëve në institucione dhe pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje. Rrjedhimisht, do të mund të shmangej një krizë tjetër në veri, e cila la nën hije zbatimin e marrëveshjes.

Për më tepër, u rikthye frika se mund të ripërtërihet një konflikt etnik në Ballkan, pas përplasjeve të dhunshme në veriun e Kosovës. Ato nisën më 26 maj, ditën kur kryetarët shqiptarë shkuan në objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, nën asistimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës. Këto objekte deri para zgjedhjeve të 23 prillit menaxhoheshin nga Lista Serbe, e cila për herë të parë që prej vitit 2013 humbi pushtetin në veri.

Zveçani, epiqendra e përplasjes

Image

Ndryshe prej viteve paraprake, kur epiqendra e tensioneve ishte ura mbi Ibër në Mitrovicë, tani përplasja e madhe ndodhi në komunën fqinje të Mitrovicës së Veriut, Zveçan. Më 29 maj, pasi Policia e Kosovës ia doli t’i fuste kryetarët brenda duke e shpërndarë turmën e protestueseve me gaz lotsjellës, aty u përfshi edhe KFOR-i.

Protestuesit në vazhdimësi provokuan situatën, duke shfaqur dhunë e duke gjuajtur gjësende në drejtim të zyrtarëve policorë. Po ashtu, vendosën mbishkrime provokuese me simbole serbe e ruse në automjetet e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

Protesta për t’i kundërshtuar kryetarët e zgjedhur shqiptarë pati edhe në Zubin-Potok e Leposaviq.

Mëngjesin e 29 majit, të gjitha rrugicat që shpijnë drejt Komunës së Zveçanit ishin të mbushura me ushtarë të KFOR-it. Një kordon i tyre ishte vendosur rreth 100 metra larg objektit të komunës.

E grumbullimi i serbëve që për cak final patën objektin e komunës nisi rreth orës 07:00. Në mesin e protestuesve kishte edhe atillë me maska e kapela të zeza. Dhjetëra protestues fillimisht e çanë kordonin e KFOR-it duke marshuar drejt komunës. Pasi u afruan te hyrja kryesore, Policia e Kosovës e pengoi futjen e tyre brenda duke e përdorur edhe sprejin.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë vazhduar të qëndrojnë brenda, derisa kontingjenti i KFOR-it krijoi kordonin para turmës, së cilës i printe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, e nënkryetari Igor Simiq.

Mosbindja e protestuesve çoi në përplasje

Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të udhëheqësit të njësive të KFOR-it për zhvendosjen e turmës në mënyrë që të shmanget fërkimi, ata kanë refuzuar ta bëjnë këtë. Protestuesit nuk i janë bindur as kërkesës së kryetarit të Listës Serbe për të mundësuar largimin e dy autoblindave të Kosovës, që kishin mbetur me policë brenda e në mes të turmës.

Kjo bëri që situata të përshkallëzohej. Koktej molotovi, shok bomba e mjete të forta janë hedhur në drejtim të KFOR-it. Me të filluar përleshja janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri dhe nga plumbat e hedhur, sipas komunikatës së KFOR-it, e kanë pësuar tre ushtarë.

Sipas tyre, cak i sulmeve të paprovokuara ishin ushtarët e kontingjentit italian dhe hungarez, të cilët pësuan thyerje në pjesë të ndryshme të trupit dhe po ashtu morën djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse.

Edhe Policia e Kosovës i kualifikoi të dhunshme veprimet e protestuesve, teksa arrestoi pesë prej tyre nën dyshimin se kanë lënduar pjesëtarët e KFOR-it.

Protestuesit nuk i kursyen as ekipet e gazetarëve, që në disa raste ishin cak i sulmeve.

Aksioni për vendosjen e kryetarëve në objekte komunale në veri u ndërmor të njëjtën ditë kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbajti miting mbështetës në Beograd. Veprimin e Qeverisë, raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, e cilësoi si dhuratën më të mirë për Vuçiqin, i cili po mundohet ta rikonsolidojë pushtetin pas protestave të opozitës.

Pas reagimeve të shumta, situata në veri u qetësua, por protestat e serbëve po vazhdojnë. Ata po kërkojnë largimin e kryetarëve dhe njësive speciale prej objekteve komunale. Në pritje të zgjidhjes, KFOR-i po vazhdon t’i ruajë objektet e tri komunave në veri, derisa nga njëri prej tyre prej 29 majit nuk ka dalë nga zyra kryetari Lulzim Hetemi.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Related