Heqja e vizave me Kinën, një dilemë mes përfitimeve dhe pasojave për Shqipërinë

Published on:

Pas datës 17 shkurt 2023, qytetarët shqiptarë mund të lëvizin drejt Kinës pa viza. Ky hap diplomatik, aq edhe strategjik ka nxitur reagimin e ish-ministrit të Jashtëm, Tritan Shehu i cili paralajmëron pasoja të rënda në aspektin gjeopolitik për Shqipërinë. Faktoje sjell një analizë mbi përfitimet e pritshme ekonomike, por edhe mospërputhjen e këtij vendimi me politikën e vizave të BE, sipas ekspertëve.  Ndërkohë asnjë përfaqësues i maxhorancës parlamentare nuk pranoi të komentojë këtë temë dhe sidomos për fuqizimin e rolit të Kinës në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimin në çështjet e sigurisë.

Ilda Hoxha

Nëpërmjet një VKM-je që mban datën 27 dhjetor 2022, u miratua në parim marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për heqjen reciproke të vizave për mbajtësit e pasaportave të zyrtarëve publikë dhe të pasaportave të zakonshme. Por ish Ministri i Jashtëm dhe aktualisht deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu e kritikoi këtë vendim.

“Heqja e vizave me Kinën, një gabim i pafalshëm politik, me pasoja të rënda për Shqipërinë. Një sinjal ky tejet negativ për BE dhe rrugën tonë të integrimit”, deklaroi Tritan Shehu më 28 dhjetor, me anë të një postimi në Facebook.

Screenshot, postimi i Tritan Shehut në Facebook, 28 dhjetor 2022

Deklarata e zotit Shehu përmban një shqetësim të qenësishëm mbi ndikimin e vendimit për heqjen e vizave me Kinën, në procesin eurointegrues dhe në situatën e tregjeve.

Faktoje iu drejtua me kërkesë për informacion MIA-s në lidhje këtë vendim, ku e pyetëm se mbi çfarë bazash vlerësimi qeveria shqiptare mori vendimin për heqjen reciproke të vizave me Republikën Popullore të Kinës.

Kërkesa për informacion dërguar MIA-s, 6 shkurt 2023

Në morëm një përgjigje për këtë çështje nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme më 13 shkurt ku ndër të tjera thuhet:

“Kujtojmë se lidhja e kësaj marrëveshjeje ka ardhur si nevojë e respektimit të parimit të reciprocitetit mes palëve, pasi shtetasve kinezë në mënyrë të njëanshme, u është lejuar hyrja pa viza në territorin e Shqipërisë, me vendimin nr.858, datë 29.12.2021, të Këshillit të Ministrave, ‘Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”.

Faktoje bisedoi me ekspertë të çështjeve të integrimit, të cilët shpjegojnë sipas këndvështrimit të tyre avantazhet dhe disavantazhet e lëvizjes së lirë mes dy vendeve.

Drejtuesi ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali e sheh pozitivisht vendimin sidomos sa i përket marrëdhënieve dypalëshë tregtare.

“Mendoj se vendimi është në përputhje me interesat e vendit duke u bazuar në lidhjet ekonomike dhe tregtare, por edhe ato historike që kemi me Kinën. Po ashtu duhet theksuar se kjo është një marrëveshje reciproke që krijon lehtësira për qytetarët e të dy vendeve. Gjithashtu, politika e vizave është një fushë e ndërthurur midis detyrimeve që kemi si pasojë e procesit të integrimit dhe marrëdhëniet diplomatike që janë pjesë e sovranitetit të vendit me mënyrën se si çdo vend i zhvillon me vendet e tjera”, thekson eksperti.

Në lidhje me këtë çështje, Nirvana Deliu, njohëse e çështjeve të integrimit shprehet se interesi ekonomik mund të jetë shtysa kryesore që ka ndikuar në marrjen e këtij vendimi.

“Nuk ka ende shumë informacion ku bazohet ky vendim i qeverisë shqiptare për marrëveshjen me Kinën për heqjen e vizave për qytetarët e të dyja vendeve. Interesi ekonomik mund të shihet si shtysa kryesore, ku Kina në fakt është e pranishme jo vetëm në Shqipëri po në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor me investime dhe projekte të ndryshme dhe kjo çon edhe në rritje të influencës së saj gjeopolitike në këtë rajon.

Një element tjetër është edhe turizmi, marrë shkas nga numri i lartë i popullsisë kineze kjo mund të hapë rrugën për mundësi të reja për të pasur këtë popullsi si turistë potencialë në vendin tonë. Mbetet për t’u parë se si kjo do të përkthehet në shifra gjatë muajve në vazhdim e sidomos gjatë muajve të sezonit veror”, argumenton Deliu.

Mirëpo, përtej ndikimit pozitiv që mund të ketë në ekonomi, ekspertët pranojnë mospërputhjen e këtij vendimi me politikën e vizave të BE, me të cilën Shqipëria ka hapur tashmë negociatat e anëtarsimit.

“Ky vendim nuk është në përputhje me politikën e vizave të Bashkimit Europian dhe politikë të cilën vendi ynë ka angazhim për ta përafruar, për t’u përputhur deri në momentin e anëtarësimit. Gjithsesi edhe vendet e tjera kanë politika të ndryshme që devijojnë nga ajo e Bashkimit Europian, por detyrimi është që deri në momentin e anëtarësimit ne duhet të kemi të përputhur regjimin e vizave me atë të Bashkimit Europian”, sqaron eksperti Gledis Gjipali.

Ndërkohë, studiuesja Deliu thekson se një element që vlerësohet e monitorohet në BE gjatë procesit të integrimit të Shqipërisë është dhe politika e vizave (Visa Policy) që është pjesë e Kapitullit 24 të Acquis së BE (Drejtësia, Siguria, Liria).

“BE ka një politike të qartë të vizave dhe liberalizimit me vendet e treta. Janë dy lista të BE lidhur me këtë çështje – 61 vendet me të cilat BE ka liberalizuar vizat (pra qytetarët e këtyre vendeve kanë të drejtë të hyjnë në BE/Zonën Shengen pa nevojë për vizë për një periudhë deri 90 ditë) dhe pjesa tjetër e vendeve janë në listën tjetër ku është e nevojshme viza për t’u futur në BE. Në këtë listë është edhe Kina. Nga ana tjetër BE kërkon që vendet aspirante për t’u bërë pjesë e BE të kenë të harmonizuar këto dy lista gjithashtu. Nuk është hera e parë që Shqipëria liberalizon vizat me një shtet, ndërkohë që BE nuk e ka bërë këtë gjë.

Kjo është shqetësuese për BE dhe në raportin e fundit vjetor nën Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizimit të Vizave[1], BE kërkon që Shqipëria të shmangë devijimin nga lista e BE për vendet që duhet të kenë viza për t’u futur në BE”, sqaron Deliu.

Sipas ekspertes, kjo duhet parë si një çështje me prioritet, si dhe duhet bërë kujdes për ato vende që mund të sjellin rrezik sa i përket migracionit të parregullt apo sigurisë.

“Ka pasur raste ku qytetarë të vendeve të treta që mund të lëvizin pa viza në Shqipëri, por jo në BE e kanë përdorur këtë fakt për t’u futur në mënyrë të parregullt në BE duke sjellë problematika të sigurisë për të gjithë Unionin”, thekson Deliu.

Por, çfarë rreziqesh sjell vendimi për heqjen reciproke të vizave Shqipëri-Kinë? Drejtuesi ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali thotë: “Rreziku që vjen nga devijimi i listës së qytetarëve të vendeve ku ata hyjnë pa viza në Shqipëri me atë të BE-së lidhet me vlerësimin që i bëhet vendit gjatë negociatave, sidomos në fushën e vizave që është kapitulli 24 dhe është një nga kapitujt që do hapen të parët dhe do mbyllen të fundit në gjithë procesin.

Po ashtu, Shqipëria dhe disa vende të tjera janë nën monitorim në kuadër të raportit të vlerësimit të procesit të liberalizimit të vizave, ku kërkohet një përputhje e vazhdueshme me legjislacionin europian edhe në këtë aspekt, Shqipëria mund të marrë një notë negative mund të themi, por duhet thënë që nuk është i vetmi vend”.

Faktoje kontakoi edhe anëtarët e Komisionit të Integrimit Europian, zonjën Mimi Kodheli dhe zotin Tomor Alizoti, por nuk morëm një përgjigje. Gjithashtu, kontaktuam ish-ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati dhe ish-zëvendësministren e Jashtme, Erisa Xhixho, por as prej tyre nuk arritëm të merrnim një përgjigje për heqjen reciproke të vizave mes dy vendeve dhe ndikimin gjeo-politik të kësaj vendimmarrjeje.

Çfarë parashikon marrëveshja për lëvizjen e lirë

Më 17 janar 2023, Shqipëria dhe Kina nënshkruan marrëveshjen për heqjen reciproke të vizave për qytetarët e dy vendeve.

Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, kjo marrëveshje synon lehtësimin e qarkullimit të lëvizjes ndërmjet shtetasve të të dyja vendeve, për personat të cilët janë mbajtës të pasaportave të zakonshme dhe mbajtësit e pasaportave të zyrtarëve publikë për palën kineze.

“Marrëveshja është propozuar nga pala kineze dhe do të ndikojë pozitivisht në lehtësimin e lëvizjes dhe rritjen e kontakteve ndërmjet shtetasve të të dyja vendeve, si edhe do të shërbejë si një nxitje e mëtejshme për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë. Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, shqiptarët mund të qëndrojnë pa viza në Kinë deri në 180 ditë.

Kina, partner tregtar i Shqipërisë

Në qershor të vitit që lamë pas, Faktoje raportoi se viti 2022 shënoi një rritje të eksporteve të Shqipërisë drejt Kinës, në masën 67%. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se Kina po “merr” nga vendi ynë xeherorë dhe koncentrate kromi e bakri. Rritjen e shifrave për eksportet e deklaroi në prill edhe ambasadori kinez në Shqipëri, Zhou Ding, që e cilësoi si një tregues të miqësisë mes dy vendeve.

Ndërsa, në muajin dhjetor 2022, INSTAT raportoi se në 11-mujorin e atij vitit eksportet e mallrave shqiptare drejt Kinës arritën vlerën 8.2 miliardë lekë, nga 7.2 miliardë lekë të eksportuara në 11-mujorin e vitit 2021, duke e renditur Kinën si partnerin e pestë tregtar.

Frika e ndikimit kinez në Ballkan

Në një analizë të Faktoje publikuar në 27 dhjetor 2022, bazuar në një botim të revistës akademike Per Concordiam, që fokusohet në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Europë, Kina mund të përdorë marrëveshje tregtare me Ballkanin Perëndimor që t‘i mundësojë kompanitë kineze të anashkalojnë kufizimet tregtare dhe të eksportojnë produkte direkt në tregun e BE-së prej 800 milionë banorësh, falë marrëveshjeve të tregtisë së lirë që vendet e Ballkanit Perëndimor gëzojnë me BE-në.

Në fakt, investimet në infrastrukturë kanë qenë gjithmonë shënjestra e Kinës në rajon, duke marrë parasysh urgjencën për investime në këtë sektor, si dhe mungesën e parave. Një hetim i BIRN tregon se Kina ka investuar diku tek €32 miliardë euro në rajon midis 2009 dhe 2021, shumica në projekte të mëdha infrastrukturore. Ajo është përpjekur gjithashtu të zgjerojë ndikimin përmes nismave si “One Belt One Road” (njohur gjithashtu si Rruga e Re e Mëndafshit) apo inciativës 16+1, një sistem bashkëpunimi më i gjerë midis Kinës dhe vendeve të Europës Lindore dhe qendrore. Vitet e fundit, Pekini ka depërtuar në Ballkanin Perëndimor nën programin e tij masiv të investimeve: “Një brez dhe një rrugë”, duke ofruar një alternativë tërheqëse për vendet, që duket se janë lodhur nga pritja e gjatë e BE-së.

Related