Një lajm i publikuar në mediat ruse mbi rritjen e qarkullimit tregtar të Bashkimit Evropian me Rusinë edhe pas luftës në Ukrainë, tenton t’i shesë lexuesve një të pavertëtë pak ditë pasi BE ndaloi importin e naftës nga Rusia. Pas hyrjes në fuqi të sanksioneve të vazhdueshme, panorama ka ndryshuar krejtësisht.
Pak ditë pasi hyri në fuqi paketa e re e sanksioneve të Bashkimit Evropian për bllokimin e importit të naftës ruse, propaganda zyrtare e Moskës ka publikuar lajmin e rritjes së shkëmbimeve tregtare me vendet e Unionit. Sipas këtyre raportimeve në mediat ruse, që prej nisjes së luftës në Ukrainë qarkullimi tregtar është rritur me tre të katërtat e vendeve që kanë vendosur sanksione ekonomike. Kjo retorikë është e qartë që synon të tregojë se ndryshe nga çfarë thonë publikisht, evropianët vijojnë të kenë marrëdhënie ekonomike apo varësi ndaj Rusisë.
Lajmi është publikuar në 10 dhjetor në gjuhën shqipe në portalin hashtag.al duke iu përmbajtur versionit origjinal të publikuar më parë nga agjensitë zyrtare ruse.
“Si rezultat, qarkullimi tregtar Rusi-BE pa një rritje prej 28% në janar-gusht 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe arriti në 191.5 miliardë euro. Nga këto, eksportet e BE-së në Rusi arritën në 36.2 miliardë euro, ndërsa importet nga Rusia arritën në 155.3 miliardë euro.”- shkruhet ndër të tjera në artikull.
Shifrat e rritura të tregtisë në kulmin e sanksioneve ndaj një vendi sigurisht që krijojnë një stepje në pamje të parë. Por në fakt, statistikat janë gjysmë e vërteta e asaj që po ndodh në realitet që prej agresionit rus ndaj Ukrainës. Verifikim i “Faktoje” sjell disa argumentime përse përfundimet bazuar mbi këto shifra nuk janë të sakta.
Së pari, statistikat janë bazuar mbi vlerën e transaksioneve tregtare dhe jo sasitë e shkëmbimeve për mallra dhe produkte. Nëse çmimet e produkteve kryesore të importit të BE nga Rusia, naftës dhe gazit janë shumëfishuar gjatë muajve të pasluftës, vlera e transaksionit të kryer për këto produkte është më e lartë pavarësisht uljes së sasisë së tregtuar.
Përtej dyshimit të skeptikëve për vullnetin e BE, reduktimet e gazit rus janë një fakt i bërë realitet në muajt e parë të luftës nga kompania ruse Gazprom, e cila reduktoi pa paralajmërim 20-40 % të sasisë së furnizimit për shkak të “problemeve teknike”.
Duhet të rikujtojmë se BE ka nisur gradualisht reduktimin e varësisë së saj ndaj gazit dhe naftës ruse për shkak të mungesës së burimeve alternative. Pas disa masave kursimi dhe sigurimit të rezervave, Këshilli Evropian miratoi vetëm në 6 tetor 2022 paketën e tetë të sanksioneve, paketë e cila përfshiu edhe bllokimin e naftës ruse, me hyrje në fuqi në 5 dhjetor.
Më konkretisht, të dhënat zyrtare të EUROSTAT dëshmojnë rënien e ndjeshme të importeve të mallrave ruse nga vendet e BE-së që nga fillimi i luftës. Këto të dhëna flasin për një ulje me 9.570 miliardë euro të importeve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian nga marsi në shtator.
Rënia e tregtisë ka nisur që nga muaji mars, pasi nisi lufta në Ukrainë
Për të patur një panoramë më të qartë të statistikave, kërkuam ndihmën e ekspertes Ines Nurja, ish-drejtoreshë e Institutit të Statistikave – INSTAT. “Nuk ka asnjë dyshim se eksportet dhe importet me Rusinë kanë rënë si në volum dhe në vlerë gjatë muajve të fundit. Nëse krahasimi bëhet me tremujorin e fundit të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia është edhe më e ndjeshme.” – thotë znj. Nurja.
Dy grafikët më poshtë janë rezultat këtij krahasimi të shifrave të tremujorit të tretë të këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar nga EUROSTAT, duke dëshmuar rënien si në importe ashtu dhe eksporte drejt Rusisë.
Grafiku i importeve të BE nga partnerët kryesorë tregtarë Grafiku i eksporteve të BE drejt partnerëve kryesorë tregtarë
Bilanci pritet të thellohet edhe më tej pas hyrjes në fuqi të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë më 5 dhjetor që lidhen me naftën ruse, një nga produktet më të shitura në Europë nga Federata Ruse.
Si Banka Botërore ashtu edhe FMN vlerësojnë se në vitin 2022 tregtia ruse në mallra dhe shërbime do të bjerë ndjeshëm. Në vitin 2023, eksportet do të vazhdojnë të bien, ndërkohë që importet pritet të jenë më të larta se në vitin 2022.