Dezinformata e Vuçiqit për grupet çeçene dhe çerkeze në veri të Kosovës

Published on:

Pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, më 31 korrik ngriti pretendime se në Kosovë kishte qëndruar një grup çeçenesh dhe çerkezësh.

“Në tre ditët e fundit të korrikut ne kemi vërejtur lëvizje të njerëzve nga Çeçenia në Kosovë. Njëri prej tyre është edhe Ahmed Ruslanoviq Bahajev. Po ashtu kemi informacione se në fillim të gushtit, një grup çeçenësh dhe çerkezësh që janë të lidhur me kundërshtarët e Ramazan Kadirovit, qëndruan në veri të Kosovës”, tha Vuçiq.

Sipas tij, detyra e këtyre grupeve ishte eliminimi i serbëve të armatosur në veri të Kosovës dhe rekrutimi i ushtarëve potencialë për të luftuar në Ukrainë. Pretendimi i Vuçiqit zuri vend gjerësisht në ballinat e mediave serbe. Vuçiqi e ka dhënë këtë deklaratë pa ofruar ndonjë fakt plotësues që do ta mbështeste atë.

Mediumet të cilat publikuan në ballinat e tyre pretendimet e presidentit serb shpërndahen edhe në zonat e populluara me shumicë serbe, përfshirë veriun e Kosovës, ku është përqendrimi më i madh i serbëve. Teksti i “Novostit” është shpërndarë edhe nga portali “Kosovo-online”.

Image
Image

Raportimi i mediave serbe është publikuar edhe nga një medium shqiptar, duke e cilësuar si propagandë të mediave të Vuçiqit.

Derisa ministria e punëve të brendshme e as organet tjera të sigurisë nuk janë deklaruar, ka reaguar shefi i kabinetit të presidencës së Kosovës, Blerim Vela, përmes një postimi në twitter. Sipas tij, asnjë shtetas i Kosovës nuk i është bashkuar luftës në Ukrainë, si dhe asnjë çeçen apo çerkez nuk ka bërë komplot për vrasjen e serbëve në Kosovë.

Raportime të tilla që vijnë nga zyrtarët e Beogradit janë shpeshtuar ditët e fundit, që kanë për qëllim të shkaktojnë frikë tek popullata serbe në veri.

Related