Kosova pret heqjen e vizave Shengen, pengesat dhe teoritë që po zvarrisin procesin

Published on:

Komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi deklaroi pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, se duhet një udhërrëfyes i ri për Kosovën të liberalizuar vizat. Kjo shkaktoi zemërim në Prishtinë, ndërsa Komisioni Europian reagoi duke garantuar se nuk ka asnjë udhërrëfyes të ri dhe se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, si i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, shtetasit e të cilit duhet të pajisen me një vizë Shengen për të udhëtuar në BE. Faktoje sjell një analizë mbi pengesat e deritanishme, si ka qenë ky proces për Shqipërinë fqinje dhe teoritë që po qarkullojnë se Kosovës nuk i hiqen vizat si shtet me popullsi-shumicë myslimane, apo se vizat po përdoren nga BE si një mjet në negociatat Kosovë-Serbi.


Foto ilustruese, marrë nga shekulli.com

“Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën që, së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces” – deklaroi më 27 qershor komisioneri i zgjerimit të BE-së Oliver Varhelyi. Kjo deklaratë pasoi të nesërmen me reagimin kundërshtues të Komisionit Europian, nëpërmjet zëdhënëses, Ana Pisonero:

“Komisioni vazhdon të qëndrojë prapa vlerësimit nga korriku 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave i vitit 2012… Vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës është një vendim shumë i vonuar, i cili është në pritje në Këshill.”

Mosmarrja e një vendimi për heqjen e vizave për Kosovën, në samitin e fundit të Këshillit Europian, ku ishin të pranishëm edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk u prit mirë në Kosovë. Madje një restorant në Prishtinë në shenjë proteste vendosi një tabelë ku shkruhej se ndalohej hyrja e shtetasve të BE-së.

Restoranti në Prishtinë që proteston kundër regjimit të vizave, foto nga rtsh.al

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nisi më 19 shkurt 2012. Gjashtë vite më vonë, KE dhe Parlamenti Europian ranë dakord që Kosova kishte përmbushur dy kërkesat e fundit për liberalizimin e vizave. Prej asaj kohe, Këshilli Europian nuk e ka miratuar heqjen e vizave. Pengesa kryesore mbetet kundërshtimi i Francës dhe Holandës, pasi qeveritë e të dy vendeve frikësohen se mund të ketë një fluks migrantësh nga vendi sapo të ndodhë liberalizimi i vizave.

Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor pa viza, Kosova me viza

Shtetasit e Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut e Bosnjë Herzegovinës në Ballkanin Perëndimor prej vitesh gëzojnë lëvizjen pa viza në zonën Shengen. Madje viza nuk duan as Ukraina, Moldavia e Gjerorgjia. Këshilli i Bashkimit Europian miratoi më 8 nëntor 2010 vendimin për udhëtimin pa viza në zonën Shengen për qytetarët shqiptarë, i cili hyri në fuqi më 15 dhjetor 2010. Në mbi një dekadë të lëvizjes së lirë të shtetasve të Shqipërisë, ka patur shqetësime për numrin e azilkërkuesve, një argument që Franca e Holanda e përdorin sot për mos’heqjen e vizave për Kosovën.

Gjatë vitit 2021, rreth 2 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë vendim final negativ nga një shtet i Bashkimit Europian për kërkesat që kishin bërë për marrjen e azilit, sipas statistikave të publikuara nga INSTAT dhe të cituara nga Monitor. Shqipëria u rendit e shtata në botë për vendimet finale negative për vitin 2021, pas Rusisë (5,385), Turqisë (3,835), Nigerisë (2,635), Somalisë (2,365), Irakut (2,290) dhe Ukrainës (2,230). Por pavarësisht kësaj, shtetasit e Shqipërisë, vijojnë të gëzojnë të drejtën për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen. Teksa nuk mendohet rikthimi i vizave, BE në Shqipëri ka zgjedhur një qasje tjetër për të zgjidhur problemin e azilkërkuesve: ka financuar një fushatë informimi të publikut shqiptar.

“Shqipëria je ti” që zbatohet nga IOM, është duke rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë që konsiderojnë migrimin e parregullt në Europë mbi rreziqet e tij dhe ofron informacion mbi mundësitë ekzistuese ekonomike dhe arsimore në Shqipëri si dhe kanalet e rregullta të migracionit. Është krijuar një rrjet “influencues” me përvojë personale migracioni në 12 rajone të Shqipërisë, një në Holandë dhe një në Belgjikë.

Ku ka ngecur heqja e vizave për Kosovën?

Udhëheqësit Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian u takuan më 23 qershor për të diskutuar mbi procesin e zgjerimit të BE-së. Edhe pas takimit u tha se Kosova nuk do të marrë liberalizimin e vizave.

Por Këshilli Europian rikonfirmoi se duhet të arrihet me urgjencë progres i prekshëm rreth çështjeve të pazgjidhura dhe mosmarrëveshjeve rajonale, veçanërisht mes Beogradit dhe Prishtinës, ku përmes dialogut të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovws.

Analisti nga Kosova Gazmir Raci thotë se Brukseli tashmë e ka kushtëzuar çështjen e vizave me dialogun me Beogradin, sepse në konkluzionet e samitit u përmend vetëm dialogu dhe rëndësia për progres.

“Mendoj që kushti i vetëm është dialogu, pasi edhe kancelari gjerman Sholc e tha dhe në Beograd e në Prishtinë se BE nuk do të pranojë shtete që nuk e kanë njohur njëri-tjetrin, apo shtete me probleme mes tyre. Duhet të zgjidhim problemet mes nesh, të marrim liberalizimin e vizave e më pas statusin e kandidatit. Por kjo nuk është në rregull, sepse dialogun nuk e kemi pasur asnjëherë kusht për çështjen e vizave,” shprehet Raci për Faktoje.

Një tjetër argument i arikuluar kryesisht nga komentuesit në rrjetet sociale, por jo vetëm, është se Kosova nuk po merr liberalizimin e vizave për faktin se është me popullsi shumicë myslimane. Kjo teori hidhet poshtë nga Raci, i cili argumenton: “Edhe pse është folur edhe për këtë, nuk besoj në tezat që Kosovës nuk i liberalizohen vizat për shkak se është vend me shumicë myslimane. Është një argument që nuk mban, sepse edhe Bosnje Herzegovina ka një popullsi myslimane, por ajo e ka përfituar liberalizimin e vizave.”

Teksa Komisioni Europian nxitoi të hidhte poshtë idenë e një udhërrëfyesi të ri nga komisioneri Oliver Varhelyi dhe të përsëriste se Kosova i ka përmbushur kushtet, vendimi për vizat merret nga çdo shtet anëtar. Franca dhe Holanda, ende nuk janë bindur për t’i lënë rrugë të lirë këtij procesi.

Related

Leave a Reply

Please enter your comment!
Please enter your name here