DEKLARATA

Deklaratë për zhvillimin e Qendrës kundër Dezinformimit në Ballkan (ADN-Balkans)

DUKE PASUR PARASYSH se ne jemi organizata të shoqërisë civile dhe media në Ballkan që punojmë për të inkurajuar lirinë e shprehjes, bashkimin dhe qarkullimin e lirë të informacionit të verifikuar;

MEQENËSE besojmë se qytetarët në shoqëritë demokratike kanë të drejtën e informacionit të saktë dhe në kohë që do t’u mundësojë atyre të përfaqësojnë interesat e tyre dhe të bëjnë zgjedhje të informuara për jetën e tyre;

DUKE PASUR PARASYSH se anëtarët themelues diskutuan për nevojën urgjente për krijimin e infrastrukturës së mëtejshme të bashkëpunimit duke u bazuar në nevojën e përbashkët për t’iu kundërvënë narrativeve dezinformuese që e pengojnë zhvillimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit në rajon;

DUKE PASUR PARASYSH se ndajmë një qëllim të përbashkët për lirinë globale të shprehjes dhe promovimin e standardeve të gazetarisë profesionale, duke u bazuar në përvojat tona të mbrojtjes së tyre në vendet tona;

DUKE PASUR PARASYSH se ndajmë një kuptim të përbashkët se bashkëpunimi rajonal është thelbësor për të arritur këtë qëllim, pasi shumë nga tendencat negative kanë aspekte ndërkufitare që i shfrytëzojnë çarjet brenda dhe ndërmjet komuniteteve tona.

PRANDAJ:
E MBËSHTESIM të drejtën e njeriut për lirinë e shprehjes si një e drejtë themelore e njeriut dhe së bashku me të drejtat për qarkullim të lirë të informacionit dhe përgjegjësi, e konsiderojmë thelbësore për zbatimin e të gjitha të drejtave të qytetarëve;

MBËSHTESIM se llogaridhënia e të gjitha palëve të interesuara që ndikojnë në jetën e qytetarëve në rajon është thelbësore për zhvillimin e demokracisë, duke përfshirë edhe institucionet shtetërore, nëpunësit shtetërorë dhe publikë, organizatat e medias, shoqërinë civile, sektorët privatë dhe akademikë, dhe llogaridhënien personale të individëve përgjegjës në kuadër të këtyre strukturave.

MBËSHTESIN që parimet e të drejtave të njeriut dhe lirive të medias janë universale, por se metodat e avokimit dhe të mbrojtjes janë kontekstuale; prandaj, ne angazhohemi për bashkëpunim rajonal duke u bazuar në respektimin e rreptë të parimeve të gazetarisë etike dhe të verifikimit të fakteve, siç parashikohen në dokumentet përkatëse vetë-rregulluese, duke përfshirë edhe kodet kombëtare të gazetarëve dhe Kodin e Parimeve të Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve.

E MBËSHTESIM idenë që parimet e gazetarisë dhe të verifikimit të fakteve si një element thelbësor i raportimit dhe gazetarisë si mbrojtëse e interesit publik, që i aplikojnë gazetarët, blogerët, përdoruesit e internetit, aktivistët, shkencëtarët, akademikët dhe krijuesit e tjerë të përmbajtjes, në cilëndo qoftë medie apo format, ofrojnë një mjedis social më të favorshëm për konsumimin dhe shkëmbimin e informacionit nga qytetarët e Ballkanit.

THEKSOJMË se hapja, transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve shtetërore, veçanërisht në shoqëritë nën kërcënimin e fushatave dezinformuese nga jashtë dhe brenda, janë me rëndësi thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve për të qenë të informuar dhe për të vepruar në përputhje me parimet e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, për të mbrojtur liritë, sigurinë dhe privatësinë e tyre.

THEKSOJMË se fuqia e natyrshme e teknologjive tradicionale dhe digjitale të mediave mbart përgjegjësinë dhe detyrimin e përdoruesve të tyre për t’iu përmbajtur parimeve të të drejtave të njeriut, pluralizmit demokratik dhe sundimit të ligjit, duke u bazuar në kornizat ligjore dhe standardet vetë-rregulluese të përcaktuara për t’i mbrojtur ato.

NE SYNOJMË të jemi përfaqësues më efektivë për lirinë e shprehjes dhe demokracinë në rajonin tonë, ndaj vendosëm të punojmë së bashku për të promovuar dhe mbështetur çështjet me interes publik dhe për të edukuar qytetarët për kërcënimet ndaj demokracisë, dhe
RRJEDHIMISHT, PAJTOHEMI TË PUNOJMË SË BASHKU si Qendër kundër Dezinformimit në Ballkani (ADN-Ballkans) për të çuar përpara lirinë e shprehjes dhe për t’iu kundërvënë dezinformimit përmes iniciativave që promovojnë qasjen në informacione të verifikuara profesionale në të gjithë rajonin, në përputhje me normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përmes çdo aktiviteti, duke përfshirë shkëmbimin e lajmeve, edukimin, trajnimet dhe avokimin.

NË FUND, THEKSOJMË se në krijimin e kësaj qendre kundër dezinformimit, vizioni ynë është t’i përgjigjemi kërkesës në rritje për informacion të bazuar në fakte nga qytetarët e Ballkanit dhe të shërbejmë si një model i bashkëpunimit ndërkufitar që i kapërcen kufijtë rajonalë dhe e rrit përgjegjësinë politike dhe mediatike në mbarë botën.

Kjo deklaratë është nënshkruar fillimisht më 2 prill 2020, Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, nga ana e përfaqësuesve të autorizuar të anëtarëve themelues.

Anëtarët e Qendrës kundër Dezinformimit në Ballkan:
Metamorfozis, Fondacioni për Internet dhe Shoqëri nga Maqedonia e Veriut, themelues i Vërtetmatës.mk, Portalb.mk dhe Meta.mk
Faktoje.al nga Shqipëria
JAJ.gr (Gazetarët për Gazetarinë) nga Greqia, i autorizuar nga Qendra për Edukim Mediatik
Bota Bardhë e Zi (Crno Beli Svet – CBS), organizatë dhe portal online nga Kosova
Laboratori i Gazetarisë së Paqes, Shkolla e Lartë e Gazetarisë dhe Komunikimit me Mediat, Universiteti i Aristotelit në Selanik, Greqi
Rrjeti Digjital i Komunikimit, Qendra për Evropën Juglindore, Greqi
Istinomer nga Serbia
Elinika Hoaxes nga Greqia
Internews Kosova, themelues i Kallxo nga Kosova
Fondacioni BlueLink, themelues i Euromegdan dhe BlueLink Stories nga Bullgaria

Organizatat e tjera të interesuara mund ta mbështesin këtë deklaratë duke e nënshkruar pëlqimin me shkrim për respektimin e objektivave të mësipërme të platformës.