Nuk është e vërtetë që tre kompani amerikane kanë blerë tokë bujqësore në Ukrainë

Published on:

Legjislacioni ukrainas ndalon shitjen e tokës bujqësore për të huajt dhe kompanitë me pronësi të huaj. Ky kufizim mund të hiqet, por së pari duhet të ketë referendum dhe në Ukrainë nuk u mbajt asnjë referendum për këtë qëllim. Pra, nuk është e vërtetë që tre kompani të mëdha shumëkombëshe amerikane kanë blerë mbi 17 milionë hektarë tokë bujqësore ukrainase. Rrjedhimisht, dilema që lind në postimin që po e recensojmë, “a është kjo arsyeja e luftës në Ukrainë”, ku autori aludon për shitje inekzistente të tokës bujqësore kompanive amerikane – është e pambështetur dhe e pabazuar.

Recensojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook në të cilin thuhet se tre kompani të mëdha amerikane shumëkombëshe kanë blerë mbi 17 milionë hektarë tokë bujqësore ukrainase, e cila sipas krahasimit të paraqitur në postim, tre kompani amerikane kanë marrë më shumë tokë bujqësore të dobishme në Ukrainë, se sa që ka në të gjithë Italinë, sepse në Itali ka vetëm 16.7 milionë hektarë tokë bujqësore.

A është kjo e njëjta arsye për luftën në Ukrainë!? Edicioni australian “National Review” shkruan se tre kompani të mëdha shumëkombëshe amerikane kanë blerë mbi 17 milionë hektarë tokë bujqësore ukrainase, thuhet në postim.

Sipas postimit që po e recensojmë, kompanitë që dyshohet se kanë blerë këtë tokë bujqësore janë “Cargill”, “Dipon” dhe “Monsanto”.

Në postim thuhet se Ukraina i dha fund moratoriumit 20-vjeçar për shitjen e tokës bujqësore në vitin 2021, duke shpresuar të çlirojë produktivitetin dhe investimet në sektorin bujqësor. Sipas postimit, tregu i tokës është hapur si kusht për marrjen e kredisë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

E njohur si hambari më i madh në Evropë, Ukraina ishte një nga prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj bujqësorë në botë. Pas pavarësisë në vitin 1991, qeveria ua shpërndau tokën bujqësore fermerëve të vegjël. Megjithatë, fermerët mund ta përdornin tokën vetëm privatisht ose ta jepnin me qira për agrobiznesin. Qytetarët e Ukrainës mund të blejnë maksimum tokë prej 100 hektarësh, ndërsa agrobizneset mund të marrin pjesë në ankande për të blerë deri në 10,000 hektarë, thuhet në postim.

Megjithatë, nuk është e vërtetë ajo që është publikuar në faqen “Australian National Review”, dhe ajo që është përcjellë në postimin që po e recensojmë, konkretisht pretendimet se kompanitë amerikane kanë blerë pothuajse një të tretën e tokës së punueshme në Ukrainë.

Më 27 korrik, lajmi për shitjen e tokës ukrainase te kompanitë amerikane u shfaq në shumë media të huaja pro-ruse, duke përfshirë: Gazeta.ru, NewsFront, Vesti.ru, Argumenti Nedeli, “Neshenal Televizh” etj.

Sipas shërbimit ukrainas të kontrollit të fakteve “Stop Fake“, burimi më i hershëm i pretendimeve kontestuese dhe të pavërteta është “Australian National Review” më 27 maj të këtij viti.

Megjithatë, “Australian National Review” nuk përmend firmat amerikane të listuara në postimin që po e recensojmë.

Përveç kësaj, në fund të tekstit ka një korrigjim që thotë se 17 milionë hektarë janë gabim dhe se janë rreth 1.7 milionë hektarë.

Teksti i “Australian National Review” përmend një tekst nga portali francez Ritmo.org, por në tekstin e lidhur të publikuar në atë portal më 12 nëntor 2021, nuk ka asnjë informacion se Ukraina ia ka shitur tokën e saj kompanive ndërkombëtare amerikane.

Në postimin që po e recensojmë, pretendohet se tre firmat e mëdha “Cargill”, “Dipon” dhe “Monsanto” kanë blerë 17 nga 62 milionë hektarë tokë bujqësore ukrainase. Gjithashtu, përmendet se kjo është një e treta e totalit të tokës bujqësore të Ukrainës të përshtatshme për kultivim.

Teksti është dezinformatë. Vetë ideja e shitjes së tokës ukrainase te korporatat ndërkombëtare është kundër legjislacionit ukrainas, shkruan “Stop Fake”, shërbim ukrainas për verifikimin e fakteve.

Gjegjësisht, tregu i tokës bujqësore në Ukrainë ka filluar të funksionojë më 1 korrik 2021, por me një sërë kufizimesh. Pas më shumë se 20 vitesh moratorium në shitjen e tokës bujqësore, më 1 korrik 2021, pronarët ukrainas përsëri morën të drejtën të disponojnë lirisht pronën e tyre dhe ta shesin nëse duan.

Por kufizimi kryesor ligjor është ndalimi i shitjes së tokës bujqësore të huajve dhe kompanive me pronësi të huaj.

Ky kufizim mund të hiqet, por vetëm me referendum që do të zgjidhte çështjen e lejimit të shitjes së tokës për të huajt. Një referendum i tillë nuk është mbajtur kurrë në Ukrainë. Një kufizim tjetër është që qytetarët e Ukrainës mund të blejnë deri në 100 hektarë, dhe personat juridikë deri në 10 mijë hektarë tokë.

Sipas bazës së të dhënave të gjurmimit të tokës Land Matrix, asnjë nga firmat e përmendura në postimin që e recensojmë nuk ka lidhur marrëveshje për tokë në Ukrainë që nga viti 2019, raporton Full Fact, megjithëse ato kanë investuar në biznese lidhur me agrikulturën në Ukrainë.

Kompania “Monsanto” e përmendur në postimin që po shqyrtojmë nuk ekziston më si kompani e pavarur pasi është blerë nga kompania kimike gjermane “Bayer” në vitin 2018.

Full Fact” kontaktoi “Kargill Bayer” dhe “DuPont” për të pyetur nëse ata kanë marrë tokë në Ukrainë pasi Presidenti Volodymyr Zelensky mori detyrën në vitin 2019. Një zëdhënës i DuPont tha se postimi ishte i pasaktë dhe i pavërtetë, dhe sqaroi se kjo kompani nuk ka blerë asnjë tokë në Ukrainë. Zëdhënësi i Bayer, për “Full Fact” tha se kompania nuk zotëron asnjë tokë në Ukrainë.

Për të gjitha faktet e mësipërme, vlerësojmë se nuk është e vërtetë se tre kompani të mëdha shumëkombëshe amerikane kanë blerë mbi 17 milionë hektarë tokë bujqësore ukrainase. Për rrjedhojë, dilema që lind në postimin që po e recensojmë, “a është kjo arsyeja e luftës në Ukrainë”, ku autori aludon për shitjen e paqenë të tokës bujqësore kompanive amerikane – është e pambështetur dhe e pabazuar.


Qries

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Related