Videoja virale tregon një ushtar rus duke i thënë lamtumirë vajzës së tij, jo ushtar ukrainas

Published on:

Në videon emocionuese të një ushtari që i thotë lamtumirë vajzës së tij, e cila është shpërndarë në rrjetet sociale dhe më pas është marrë nga një sërë mediash, nuk ka ushtar ukrainas por rus, dhe video është realizuar para sulmit rus në Ukrainë.

Në kohë kur mediat vendase dhe botërore janë vërshuar nga lajmet për sulmin rus ndaj Ukrainës që nisi më 24 shkurt, në rrjetet sociale ka një fluks videosh dhe fotografish emocionale që jo gjithmonë korrespondojnë me realitetin. Një video e tillë është përhapur në rrjetet sociale dhe në një sërë ueb-portale për një kohë shumë të shkurtër.

Bëhet fjalë për një video të një ushtari që përshëndet vajzën e tij. Sipas videos që është shpërndarë dhe e cila është transmetuar në mediat e Maqedonisë, në pamje shihet një ushtar ukrainas duke i thënë lamtumirë vajzës së tij para se të shkojë për të mbrojtur vendin nga pushtimi rus. Megjithatë, nga kontrolli ynë rezultoi se nuk ishte ushtar ukrainas, por ushtar rus dhe se video është bërë para sulmit rus në Ukrainë.

Videon emocionuese të ushtarit i cili mes lotëve ndahet nga vajza e tij, mund ta shihni këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu.

Në rrjetet sociale është publikuar një video prekëse nga momenti kur një baba duhej të ndahej me vajzën dhe gruan e tij, të cilat u drejtuan në një zonë të sigurt dhe ai mbeti për t’i shërbyer atdheut. Kujtojmë që presidenti rus Vladimir Putin sulmoi Ukrainën herët këtë mëngjes. Videoja tregon këtë burrë nga Ukraina duke u pikëlluar teksa përqafon vajzën e tij dhe i vendos një kapelë në kokë. Vajza dhe nëna pastaj ngjiten në autobus me lot, i cili shkon në një zonë të sigurt ndërsa babai vazhdon të qajë, njoftoi Lokalno.

Një video tronditëse e një ukrainasi duke i thënë lamtumirë vajzës dhe gruas së tij duke i lënë autobus të sigurt ka qarkulluar në Twitter që pasditen e sotme. Ukrainasi i paidentifikuar qan duke përqafuar të bijën dhe duke i rregulluar kapelen e saj, po ashtu qan edhe vajza që po ndahet nga babai i saj, transmetoi Kanal 5 duke cituar Independent.

Por, siç njoftoi shërbimit serb për kontrollin e fakteve Istinomer.rs, në video nuk është ushtar ukrainas, por një rezervist rus, i cili dërgon familjen e tij pak para evakuimit nga Gorlovka në Rusi më 21 shkurt të këtij viti.

Videoja u postua fillimisht nga kryebashkiaku i Gorlovka, Ivan Prihotko në rrjetin social Telegram, tre ditë para pushtimit rus të Ukrainës. Prihotko në njoftimin e tij thekson se më 21 shkurt ka qenë dëshmitar i një lamtumire prekëse të “kryefamiljarit” me gruan dhe vajzën e tij.

Një burrë që qëndroi në qytet me armë në duar, me lot në sy, për të mbrojtur Republikën nga forcat e armatosura, dërgoi familjen e tij në Rusi me shpresën se do të takoheshin së shpejti, shkruan Prihotko në njoftim.

Se bëhet fjalë për familje ruse, mund të konkludohet nga fjalët e babait në video, si dhe nga mbishkrimi “falas” në dritaren e autobusit.

Autobusi i përket kompanisë ruse të transportit me kamionë Gorsvet (OOO Gorsvet), gjë që mund të shihet më qartë në një video të postuar në YouTube.

E ashtuquajtura “shenja shtetërore e cilësisë së BRSS” nën logon e kompanisë së kamionëve është një tjetër tregues se në video nuk është familje ukrainase, por edhe se të dyja palët kanë civilë që mbajnë pasojat e luftës, shkruan Istinomer.rs.

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Related