Në fillim të dhjetorit 2021, në një shkollë në rajonin e Moskës, një nxënës 17-vjeçar vdiq në klasë. Për vdekjen e tij, ka dy arsye që qarkullojnë në mediat ruse, por asnjëra prej tyre nuk është vaksina kundër Covid-19. Raportimet e mediave ruse as që përmendin nëse nxënësi ishte i vaksinuar apo jo. Një arsye në të cilën punojnë mjekët ligjor është sulmi në zemër, ndërsa arsyeja e dyta është mpiksja e gjakut.
Recensojmë një postim në Facebook, në të cilin është shpërndarë një video nga një kamerë sigurie. Videoja e ka origjinën nga Rusia, dhe autori i postimit pretendon se gjoja tregon një nxënës që vdes, pasi ka marrë vaksinën Sputnik. Videoja zgjat 1 minutë e 4 sekonda. Në të shihet se në klasë fëmijët kanë test, dhe mësuesja i vëzhgon. Në një moment nxënësi humb ndjenjat, rrëzohet nga karrigia, mësuesja largohet nga kuadri dhe vrapon të kërkojë ndihmë nga kolegët e tjerë.
Çfarë në të vërtetë ka ndodhur?
Në fillim të dhjetorit 2021, në një shkollë në rajonin e Moskës, një nxënës 17-vjeçar vdiq në klasë. Për arsyet e vdekjes së tij, në mediat ruse qarkullojnë dy arsye, por asnjëra prej tyre nuk është vaksina kundër Covid-19. Raportimet e mediave ruse as që përmendin nëse nxënësi ishte vaksinuar apo jo. Një arsye në të cilën punojnë mjekët ligjorë është sulmi në zemër, ndërsa arsyeja e dytë është mpiksja e gjakut.
Nxënësi vdiq para se të vinin mjekët, ndërsa ka qenë në klasën e 11-të. TV kanali REN, raportoi se shkaku i vdekjes ishte mpiksja e gjakut. Komiteti Hetues i Federatës Ruse është ai që po punon për të zbuluar detajet e asaj që ka ndodhur. Nxënësi para se të ndërrojë jetë ka shkruar ese. Të përmendim se më 1 dhjetor në të gjitha shkollat ruse, nxënësit e klasës së 11-të shkruan ese përfundimtare për provimin shtetëror.
Në mediat ruse ka pasur një sërë spekulimesh, se shkaku i vdekjes mund të jetë stresi ose ushqimi i pamjaftueshëm. Mjeku i familjes Nikita Karlov, për TV REN tha:
Stresi, kequshqyerja, që janë reale për një nxënës në Rusi. Ndodhi në shkollë, kështu që fëmija ishte i stresuar, kishte test. Ndoshta prindërit ishin shumë të rreptë. I gjithë gjaku shkon në muskuj dhe në sistemin nervor kur trupi lufton me stresin. Trupi ndihet i rrezikuar për jetën dhe mobilizohet, tha Karlov.
Gjithashtu, thuhet se nxënësi ka pasur ulçerë dhe fillimin e gastritit. Duke komentuar vdekjen, gastroenterohepatologu Anatolij Matjuhin, thotë se vdekja nga ulçerat me gjakderdhje mund të ndodh nga tre deri në pesë minuta.
Sipas medias ruse “Kurir”, shkak i vdekjes ka qenë ulçera e hapur që nxënësi e kishte dhe për të cilën dihej prej kohësh.
Për shkak të fakteve të mësipërme, vlerësojmë se nuk është e vërtetë që nxënësi ka vdekur si pasojë e marrjes së vaksinës kundër koronavirusit, Sputnik, por si pasojë e problemeve të tjera shëndetësore.
Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari