Shkelësit recedivist të Kodit të Etikës së Mediave, përfitues nga paratë publike

Published on:

nstitucionet e ndryshme shtetërore ndër vite kanë reklamuar me paratë publike në media që kanë prodhuar lajme të rreme apo kanë qenë shkelës recidivist të Kodit të Etikës së Mediave të Shkruara. Shumë prej mediave që dikur përfitonin mijëra euro nga kontratat me ndërmarrjet publike sot nuk janë aktive dhe janë shuar si biznese, raporton Kallxo.com në hulumtimin e tyre të kryer për Qendrën Kundër Dizinformimit të Ballkanit Perëndimor, udhëhequr nga Fondacioni Metamorfozis.

Madje, kishte raste kur institucionet Publike i shpenzonin paranë publike për të promovuar politikan të caktuar. Mbi 140 mijë euro ishin ndarë nga Ministria e Integrimeve Evropiane gjatë vitit 2019 në një kontratë për promovimin e materialeve të kësaj ministrie dhe narratives pro evropiane të Kosovës. Kontratat kishin këtë qëllim, mirëpo sipas prokurorisë disa prej tyre përfunduan në promovim të partisë që e qeveriste ministrinë.

Analizimi i të dhënave zbuloi se mediat në disa raste nuk raportuan për integrimet evropiane, por për deklaratat që ministrja i kishte dhënë gjatë fushatës së saj zgjedhore. Këto pretendime janë listuar në një aktakuzë të gjatë të Prokurorisë Speciale e cila është duke u gjykuar e ku ish ministrja Dhurata Hoxha ka mohuar fajsinë. 

Me qëllim të gjurmimin se në cilat media janë shpenzuar parat publike për reklamim, Kallxo.com ka kërkuar të dhëna nga 47 institucione të vendit përmes kërkesës për qasje në dokumentet publike. Është kërkuar lista e kompanive mediale që ndër vite kanë pasur kontrata për ‘shërbime mediale’ me ministritë, komunat, Zyra e Kryeministrit e Presidenca.

Vetëm 34 institucione kanë dhënë përgjigje në kërkesën e bërë për shpenzimet për reklamim. Prej tyre, 6 institucione kanë thënë që nuk kanë pasë kontrata me mediat, ndërsa disa të tjerat kanë ofruar tabela e fatura të kësaj natyre, e disa të tjera kanë kërkuar afat shtesë.

Njëri prej institucioneve, Byroja Kosovare e Sigurimeve ka refuzuar kërkesën, me arsyetimin se nuk janë një institucion publik dhe financohen nga kapitali privat.

“Shell” mediat

Njëri nga institucionet që ka shpenzuar më së shumti në reklamim ishte Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, e cila nga viti 2015 deri në vitin 2019 kishte shpenzuar 2,219,528 euro në kontrata të marketingut.

Lista e shprëndarjes së parave nga Telekomi shkon tek 109 biznese që kryesisht merreshin në publikim të reklamave dhe fushatave të kësaj ndërmarrje.

Nga kjo listë e bizneseve, ka prej tyre që janë portale të shoëbizit, agjenci për dizajn apo edhe biznese për kontabilitet.

Hulumtimi i realizuar në Regjistrin e Bizneseve rezulton se 44 biznese të cilat dikur kishin kontrata të marketingut me Telekomin e Kosovës më nuk janë aktive.

Nga 109 biznese mediale që Telekomi i Kosovës përgjatë viteve 2015-2019 iu kishte dhënë kontrata në vlerë totale mbi 2 milionë euro, 8 prej tyre janë televizione apo radio. Ndërsa 101 të tjera janë kryesisht gazeta apo portale online, përjashtimisht të një numri të vogël që janë agjenci për dizajn, biznese për kontabilitet apo kolegje private.

Nga këto gazeta dhe portale online, vetëm 24 prej tyre janë anëtare të KMSHK-së, ndërsa komplet pjesa tjetër nuk janë të anëtarësuara, madje plot prej tyre as nuk janë më aktive në vitin 2022.

Qerim Ondozi, i cili është kontraktuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara për realizim të një studimi thotë se institucionet nuk do të duhej të nënshkruanin kontrata me mediat që nuk janë pjesë e KMSHK-së.

“Gjithsesi për mediat e shkruara, apo mediat online në këtë rast do të ishte dashur që të jetë kriter që ato të jenë anëtare të KMSHK-së, për të ofruar ndonjë shërbim drejt institucioneve publike, duke qenë se institucionet e njohin KMSHK-në si trupë të vetëm vetërregullues të mediave”, ka thënë Ondozi për KALLXO.com.

KMSHK-ja është trupë vetërregullese e mediave online dhe të shkruara e cili vepron mbi bazën e mbrotjes së fjalës së lirë, të drejtat e qytetarëve për t’u informuar plotësisht, me kohë, dhe respektimi në tërësi i Kodit Etik të gazetarisë, janë baza mbi të cilën vepron KMSHK. Qëllimi i KMSHK-së është ta mbrojë qytetarin nga shkrimet e pavërteta si dhe ta mbrojë gazetarin nga ankesat e pambështetura. KMSHK-ja pas ankesave i shqyrton lajmet e publikuara nëpër media online dhe të shkruara për të parë nëse të njëjtat janë në kundërshtim me Kodin e Mediave të Shkruara.

Ai ka shtuar se dhënia e kontratave për mediat anonime dhe të cilat nuk kanë qenë fare anëtare të KMSHK-së ka bërë që të financohen media që nuk u dihet cilësia e gazetarisë që prodhojnë.

“Me shumat milionëshe që një ndërmarrje publike iu ofron një apo disa mediave, aty gjithsesi mund të kemi probleme të caktuara,  probleme me favorizime të ndryshme” – ka thënë ai.

Institucionet ju kanë dhënë kontrata edhe mediave që kanë prodhuar informacione që nuk kanë qenë të vërteta.

Mediat që kanë pasur kontrata të marketingut me Telekomin, Ministrinë e Kulturës dhe komunën e Ferizajt, apo të Shtimes, kanë publikuar të paktën 58 herë lajme që nuk kanë qenë plotësisht të verteta. Këto lajme nga ‘Krypometër’ janë vlerësuar si të rreme apo lajme që kanë pasur mungesë të kontekstit.

KALLXO.com e ka analizuar edhe databazën e vendimeve të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) dhe ka gjetur se nga viti 2017 deri në tetor të  vitit 2022 janë në total 306 ankesa të miratuara kundër këtyre mediave të cilat kanë pasur kontrata të reklamimit me disa institucione publike. Ankesat e miratuara janë për shkelje të Kodit të Etikës, raportimi i të vërtetës, apo e drejta për t`u përgjigjur.

Sipas të dhënave të mbledhura nga KALLXO.com, institucionet publike si Komuna e Ferizajt, Komuna e Shtimes, Ministria e Financave, Komuna e Malishevës, Komuna e Drenasit, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Komuna e Rahovecit, Zyra e Kryeministrit, Komuna e Dragashit, Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), figurojnë se këto institucione publike që nga viti 2011 e deri më 2020 kanë nënshkruar kontrata për ‘shërbime mediale’ me 41 kompani mediale. Prej këtyre, 12 janë radio apo televizione dhe 29 të tjera janë gazeta dhe portale online.

Shkelësit e kodit të etikës 

Të dhënat e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), tregojnë se 16 nga këto 29 gazeta apo portale nuk janë anëtare të KMSHK-së dhe 13 prej tyre janë të anëtarësuara.

Në faqen e Këshillit të Mediave të Shkruara janë publikuar vendimet për shkelje të kodit të etikës nga mediat online dhe mediat e shkruara. Këto vendime tregojnë për shpifje, fyerje mosrespektim standardesh dhe përhapje të lajmeve të pavërteta.

Analizimi i kësaj liste dhe listës së mediave që janë hasur si prodhues të lajmeve të rreme nga verifikuesit e certifikuar dhe krahasimi i saj me mediat që janë financuar tregon të dhëna interesante.

Media e parë që është anlizuar është një gazetë e shtypur me prezencë edhe online. Të dhënat nga kontratat e financimit qeveritar tregojnë se më 28 maj 2019 Ministria e Kulturës kishte nënshkruar kontratën me vlerë prej 4,800 me këtë gazetë ndërsa telekomi kishte ndarë 12 mijë e 483 euro për këtë gazetë. Sipas të dhënave të KMSHK-së në mes viteve 2017-2021 ky medium ishte konstatuar në 44 raste se kishte shkelur Kodin e Etikës së KMSHK-së. Edhe nga verifikuesit e fakteve është konstatuar në dy raste se ky medium ka bërë shprëndarje të materialit të rremë, sipas vlerësimit që është bërë në ‘Krypometër’.

Një faqe tjetër online që e kishte shkelur 43 herë Kodin e Etikës së KMSHK-së dhe në 8 raste kishte publikuar lajme të rreme sipas vlerësimit të Krypometrit, kishte arritur të marrë nga fondet publike 105 mijë euro. Sipas raporteve financiare kjo faqe ka marrë 24 mijë euro nga Ministria e Kulturës dhe 81 mijë euro nga Telekomi i Kosovës.

Fonde publike ishin dhënë edhe për një medium tjetër online ndaj së sëcilit sipas analizës së rasteve në KMSHK ka 49 ankesa të miratuara për shkak të shkeljes së Kodit të Etikës. Ky portal është hasur edhe në 9 raste si shprëndarës i informacioneve të rreme nga verifikuesit e fakteve. Sipas të dhënave Ministria e Kulturës kishte ndarë për këtë faqe 20 mijë e 600 euro.

Një tjetër gazetë kishte kontrata në periudhën 2015 deri në vitin 2020 me institucione të ndryshme shtetërore. Kishte kontrata me komunën e Ferizajt dhe të Shtimes, MAPL dhe me Zyrën e Kryeministrit. Vlera e kontratave të nënshkruara ishte 59 mijë e 730 euro, ndërsa kishte 4 raste të shkeljes së Kodit të Etikës së Këshillit të Mediave të Shkruara.

Ndërsa, një agjenci e lajmeve që ka kontrata me institucionet shtetërore për mbulim të ngjarjeve dhe reklamim kishte marrë rreth 60 mijë euro nga institucionet publike, si: Komunën e Ferizajt, Ministrinë e Financave, Komunën e Mitrovicës dhe Telekomi i Kosovës.

Edhe portale të tjera jo shumë të njohura dhe që nuk janë anëtarë të KMShK-së kanë marrë kontrata nga institucionet publike, si Ministria e Kulturës në vlerë prej 2 mijë e 400 eurove për ‘shërbime mediale’. Nuk ka faqe të internetit që është aktive me këtë emër.

Edhe një portal tjetër i madh e kishte shkelur 49 herë Kodin e Mediave të Shkruara gjatë viteve 2017-2022. I njëjti medium është kapur 9 herë në Krypometër duke raportuar informacione të rreme apo që kanë pas mungesë të kontekstit. Kjo media kishte marrë rreth 95 mijë euro vetëm nga dy institucione: Telekomi i Kosovës dhe Ministria e Kulturës gjatë periudhës 2015-2020.

Një tjetër media online që dikur ishte gazetë, nga viti 2018 e kishte shkelur Kodin e Mediave të Shkruara 51 herë. E njëjta, është kapur 5 herë nga Krypometri duke publikuar lajme të rreme apo me mungesë të kontekstit. Kjo medie kishte marrë 165 mijë euro nga Ministria e Kulturës dhe Telekomi i Kosovës gjatë periudhës 2015-2020.

Një media tjetër online i kishte marrë 96 mijë euro nga kontratat që kishte me Ministrinë e Kulturës dhe Telekomin e Kosovës gjatë periudhës 2015 -2020. E njëjta medie, në 21 raste ishte konstatuar se KMSHK-ja se e kishte shkelur Kodin e Etikës, ndërsa pesë herë kishte shpërndarë lajme të rrejshme sipas vlerësimeve të bëra nga Krypometri.

Një gazetë online që kishte publikuar 4 lajme të rreme sipas vlerësimeve të krypometrit dhe 18 herë e kishte shkelur Kodin e Mediave të Shkruara kishte marrë 33 mijë euro nga kontratat për reklamim që kishte me Telekomin e Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës.

Një gazetë online që dikur ishte gazetë në 19 raste e kishte shkelur Kodin e Mediave të shkruara dhe 4 herë është vlerësuar nga Krypometri se ka publikuar lajme të rreme. E njëjta kishte kontrata me Komunën e Ferizajt dhe të Shtimës në vlerë prej 5 mijë e 286 euro. Një portal tjetër që nga viti 2016 e deri në tetor 2022 e kishte shkelur 8 herë Kodin e Mediave të shkruara, kishte marrë 12 mijë euro nga Telekomi i Kosovës.

Ministria e Kulturës dhe Telekomi i Kosovës gjatë periudhës 2015- 2020 i kishin dhënë kontrata të marketingut në vlerë prej 78 mijë euro një portali që brenda 5 viteve të fundit e kishte shkelur Kodin e Etikës 12 herë.

Mediumi në fjalë në rubrikën e lajmeve të rreme ‘Krypometër’ përgjatë viteve është kapur 5 herë.

Pavarësia e mediave dhe sfidat e financimit

Alban Zeneli, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se nëse paratë publike investohen në reklamimin në mediat që janë anëtare të KMSHK-së, institucionet do të ndihmonin në rritjen e kapaciteteve të mediave që kanë pranuar vullnetarisht të respektojnë standardet profesionale e etike të gaztarisë.

Por, sipas tij, institucionet ka raste kur kanë shpenzuar paranë publike në media jo-kredibile.

“Nga pikëpamja profesionale kjo padyshim që “dërgon ujë në mullinjtë” e jo profesionistëve të cilët nuk kanë pranuar të anëtarësohen në organin vetërregullues që do të nënkuptonte edhe zbatimin e rregullave profesionale e etike” – thotë Zeneli.

Tutje, Zeneli thotë se marrë parasysh që redaksitë e mediave në Kosovë nuk i kanë të ndara nga agjencia e sigurimit të reklamave për median, ndikimi i institucioneve në mediat që reklamojnë është më e lehtë.

Në shtetet e ndryshme të Evropës, Zeneli thotë se ka raste kur shtetet vendosin të ndihmojnë sektorë të caktuar shoqërorë, përfshirë edhe median, por format janë shumë më të ndryshme nga rasti i Kosovës.

“Kur institucionet publike janë të interesuara të prodhojnë përmbajtje mediale që shtynë përpara një fushatë për grupet e margjinalizuara shoqërore, aspekte të ndryshme të kulturës, sportit, etj., bëhet një thirrje publike për mediat që dëshirojnë të prodhojnë emisione a përmbatje të tilla, të cilat pastaj përzgjidhen përmes komisioneve profeisonale. Në këto raste, përzgjedhja bëhet përmes kritereve të qarta dhe forma e përzgjedhjes është shumë transparente” – ka thënë Zeneli për KALLXO.com.

Organizata ‘Çohu’ gjatë periudhës janar 2020 deri në dhjetor 2021 ka monitoruar 24 media, për ankesat ndaj tyre për shkelje të Kodit të Etikës së Mediave të Shkruara të Kosovës.

Sipas këtij Raporti, një nga kapitujt më të shkelur të Kodit të Etikës është ‘Reklama dhe Sponsorizimi’.

Ky kapitull thotë se ‘Reklamimi komercial e politik, si dhe materiali sponsorues përfshirë edhe artikuj apo shtojca, duhet të jetë qartë i dallueshëm nga përmbajtja editoriale dhe të identifikohet qartë se çfarë është’. Si dhe ‘Materiali i sponsoruar do të tregojë qartë burimin e sponsorimit.

Sipas gjetjeve të ‘Çohu’ gjatë periudhës së monitorimit, për shkelje të këtij kapitulli ka pasur 31 ankesa të dërguara dhe 25 prej tyre janë miratuar si të bazuara nga KMSHK.

Ligji për Zgjedhjet në Kosovë e përcakton qartë se reklamimi politik me pagesë në mediat e shkruara, duhet të identifikohet qartë për lexuesin. Neni 50 i këtij Ligji thotë se mediat e shkruara u sigurojnë qasje të drejtë dhe të panashme të gjitha subjekteve politike të certifikuara që kërkojnë hapësirë reklamuese.

“Çdo reklamim politik me pagesë e tregon organizatën ose individin përgjegjës për të” – thotë paragrafi 50.3 i këtij Ligji.

Edhe Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave e thekson saktë se sponsorizimet duhet të identifikohen për shikuesit e mediave audiovizuale.

Neni 31 i këtij Ligji thotë se shikuesit do të njoftohen në mënyrë të qartë për ekzistimin e një marrëveshje sponsorizimi.

“Programet e sponsorizuara do të identifikohen në mënyrë të qartë nëpërmjet emërit, logos dhe/apo çfarëdo simboli tjetër të sponsorit, si për shembull një referencë për produktin(et) ose shërbimit(ve) të tij apo një shenje dalluese që gjendet aty në një mënyrë të duhur për programet në fillim, gjatë dhe/apo pas përfundimi të programeve” – thotë pika katër e këtij neni.

 

 

Por, raporte të ndryshme të organizatave Jo-qeveritare kanë zbuluar se partitë politike nuk i bëjnë deklarimet e sakta të shpenzimeve që i kanë në fushatë. Për rrjedhojë nuk dihet se sa është shuma që partitë politike shpenzojnë për reklamim nëpër media.
Kallxo.com
Repost, Partner Disklejmer, baner, disclaimer, disinfohub, partner, partneritet

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Related