Përhapje e valës së gënjeshtrave – invazion ushtarak dhe invazion dezinformatash

Published on:

Gjendja me dezinformatat në Maqedoninë e Veriut në dy javët para dhe pas fillimit të invazionit rus mbi Ukrainën

Gjatë muajit shkurt, në periudhën para invazionit të Rusisë mbi Ukrainën, tek disa media në Maqedoninë e Veriut mbisundonte një habi për atë se sa seriozisht duhej të merren njoftimet për agresionin e Federatës Ruse mbi fqinjin e tyre jugperëndimor. Këto media që tashmë kishin ndërtuar qëndrimet e tyre mbi NATO-n dhe Rusinë, informonin në bazë të politikave paraprakisht të caktuara redaktuese. Mirëpo, tek një numër jo i vogël i mediave, nga mënyra e mbulimit të ngjarjeve vihej re se mbisundon një huti për atë se si të trajtohen informatat kundërthënëse nga të dy palët, se disave u mungon politika redaktuese, e gjithë kjo si rezultat i mosdijes se sa seriozisht duhet të merren njoftimet dhe parashikimet e inteligjencës dhe politikanëve perëndimorë mbi invazionin eventual të Rusisë mbi Ukrainën.

Lajmet mbi invazionin e ardhshëm u transmetuan nga ana e mediave, mirëpo po aq u transmetuan edhe mohimet nga ana ruse. Ky trend zgjati deri në fillimin e invazionit. Megjithatë, fuqitë anti-NATO dhe pro-Ruse në vendin tonë, menjëherë sapo filluan të shpërndahen informata për mësymjen e trupave ruse në kufi me Ukrainën, nxituan që të bëjnë thirrje që Maqedonia e Veriut të qëndrojë anësh ndeshjes eventuale, duke bërë thirrje që ushtarët e Maqedonisë të mos marrin pjesë në një luftë eventuale, edhepse këtë gjë askush nuk e kërkoi nga shteti ynë, e as nga forcat e armatosura të tij. Mirëpo, me përhapjen e qëndrimeve të këtilla, këto fuqi e sulmonin dhe kritikonin anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, duke i vënë në pikëpyetje dobitë nga i njëjti.

 

NARRATIVA DEZINFORMUESE ME TON AMBASADORIAL

Mbështetës më i zëshëm dhe më aktiv i politikave të Kremlinit në vendin tonë, i cili në periudhën fill para invazionit mbi Ukrainën i përhapte narrativat ruse, të bazuara mbi informacione të padyshimta, ishte ambasadori rus në Maqedoninë e Veriut, Sergej Bazdnikin. Për dallim nga e kaluara e afërt, para së gjithash, gjatë dekadës së kaluar, kur Kremlini në vendin tonë përdorte rrjete dhe burime dezinformative, e të cilat nga ana tjetër i ndërtonte prej kohës së aneksimit të Krimesë në vitin 2014, këtë herë u vendos që këtyre narrativave dezinformative tu jepet ton ambasadorial, gjegjësisht të kapitalizohet mbi përpjekjet e mëparshme për përhapje të dezinformatave, të përforcohet ndikimi i tyre me atë që do tu jepet një mbështetje zyrtare dhe do të tregohet që pas këtyre narrativave pa asnjë dyshim qëndron edhe Kremlini.

Paraqitjet e tij ishin pika qendrore dezinformative dhe kuazi-argumentimi që bëhen në to, më pas përdorej nga simpatizantët e Kremlinit dhe Putinit nëpër rrjete sociale. Në  videon në Facebook, të publikuar në mënyrë strategjike vetëm një ditë para fillimit të invazionit, Bazdnikin me këmbëngulje përsërit se si Rusia „nuk ka qëllime agresioni ndaj asnjë shteti tjetër”, duke shtuar se: „Nuk e kërcënojmë askënd. Prioriteti ynë nuk është konfrontimi, por sigurimi i sigurisë dhe kushteve për zhvillim të qetë, prosperitar të vendit në kushte të qeta”. Vetëm 24 orë më pas ndodhi invazioni mbi Ukrainën, me çka deklarata e Bazdnikin-it u shndërrua në një spin të thjeshtë.

kollumnën e tij, në gazetën „Nova Makedonija”, në të cilën ambasada ruse dhe interesat e tjera ruse rregullisht i plasojnë mesazhet e tyre, Bazdnikin, tani dy ditë pas fillimit të invazionit, flet krejtësisht ndryshe, duke u përpjekur që fajin për invazionin t’a hedhë mbi aleatët e NATO-s, para së gjithash, SHBA-të dhe Ukrainën, duke theksuar nga ana tjetër se Ukraina „u bë peng i dëshirës së SHBA-ve që ta ruajë rolin e hegjemonit në marrëdhëniet ndërkombëtare me çdo kusht dhe i përdor autoritetet e Kievit si mjet për futjen e Rusisë në luftë, izolimin e saj dhe eliminimin si një ndër shtetet udhëheqëse të botës”. Asgjë nga këto nuk është e vërtetë, kuptohet, thjesht duke pasur parasysh faktin që SHBA-të dhe Ukraina nuk kryen invazion mbi askënd, për dallim nga Rusia. Mirëpo, në rrjetet sociale, këto narrativa të shtrembëruara, në të cilat viktima paraqitet si agresor, e agresori si viktimë, u përdorën që të krijohet një pasqyrë krejtësisht e ndryshme për ngjarjet në Ukrainë.

 

INFORMACIONE TË PASAKTA

Narrativat e shtrembëruara, së bashku me hutinë tek mediаt, por edhe përhapja e vetëdijshme e pikëpamjeve të Kremlinit, sollën dezinformata nga më të ndryshmet dhe informacione të pasakta. Për shembull, Stevçe Jakimovski, lideri i partisë parlamentare GROM dhe kryetar i njërës nga komunat më të mëdha të vendit, në një intervistë televizive vendosi që ta përqeshë presidentin ukrainas Zelenski me fjalët : „kur të zgjidhni për president një komedian, një mëngjes do të hani granata për mëngjes. Në vend që të ulen të negociojnë, të gjеjnë zgjidhje, të gjеjnë mënyrë se si ta qetësojnë situatën, ato luajnë me armët…” Përsëri shohim një situatë të hedhjes së fajit mbi viktimën, përderisa njëkohësisht përhapen dezinformata dhe evitohet të thuhet se përkrah karrierës së tij si artist, Zelenski në fakt është ekonomist i diplomuar.

Më tej, për kryeministrin e mëparshëm, Nikolla Gruevski, i cili fshihet në Hungari nën mbrojtjen e liderit hungarez Viktor Orban, u  publikua se ka ftesë që të shkojë në Rusi, edhe atë personalisht nga ana e Putinit, deklaratë të cilën Gruevski e mohoi për „Vërtetëmatësin” nëpërmjet Facebookut. Gjithashtu, edhe liderit të parë të VMRO-DPMNE-së, dhe njëherit edhe kryeministër i mëparshëm, Ljubço Georgievski, iu mvesh një deklaratë se „trupat e Maqedonisë në Ukrainë duhet të bëjnë presion të madh ndaj Rusisë”, të cilën ky i fundit e mohoi për „Vërtetëmatësin”, duke shtuar se më javë të tëra nuk ka dhënë asnjë deklaratë për gjendjen në dhe rreth Ukrainës. Të mos flasim pastaj për faktin se në Ukrainë aspak nuk ka trupa maqedonase. Këto dezinformata janë rezultat i përhapjes së vetëdijshme të propagandës pro-Kremlin, mirëpo janë edhe pjesë e „mjegullisë së luftës”, gjegjësisht hutisë fillestare mbi trajtimin dhe interpretimin e informacionve në periudhën e një jave para dhe pas fillimit të invazionit.

Kjo mjegulli, përplot me paqartësi mbi invazionin, vazhdoi edhe pas shfaqjes së presidentit rus Vlladimir Putin, fjalimi i të cilit, në ditën e invazionin u shpërnda masovikisht, së bashku me të gjitha të pavërtetat, manipulimet dhe spinet, mirëpo edhe me një nivel shumë të ulët të vështrimeve kritike, vendosje të deklarimeve të tij në kontekst real, si dhe pa disa përpjekje shumë të mëdha për shkatërrimin e spineve të tij. Përkundrazi, fjalimi i Putinit u përdor për manipulime plotësuese, me çka u shpikën dhe shtuan gjëra që ai nuk i kishte thënë. Për dallim nga mediat në Maqedoninë e Veriut, mediat botërore  menjëherë i debankuan dezinformatat që qëndronin në fjalimin e presidentit rus.

Mjegullia e luftës” u shfrytëzua që të shpërndahen informacione të pasakta se, ja për shembull, Turqia, edhe pse është anëtare e NATO-s, ka qëndrim neutral ndaj invazionit, e qëndrim të këtillë mund t’ia lejojë vetes edhe Maqedonia e Veriut, dezinformatë e thënë nga Janko Baçev, lideri i partisë së vogël pro-ruse në vend – Edinstvena Makedonija, emri i të cilës është i ngjashëm me emrin e partisë së Putinit që quhet Edinstvena Rusija.

Edhe përkundër gjithçkaje, invazioni rus mbi Ukrainën ishte temë kryesore nëpër mediat e Maqedonisë, për dhe rreth saj vazhdimisht publikoheshin lajme të shumta. Pjesa më e madhe e tyre ishin informative, i ndiqnin ngjarjet, si dhe pasojat e invazionit, viktimat njerëzore, krizën e refugjatëve, transmetoheshin deklarata nga ministrat kompetentë shtetërorë, por edhe deklarata të personave relevantë në lidhje me pasojat që kjo luftë mund t’i shkaktojë mbi Maqedoninë e Veriut dhe rajonin, posaçërisht pas zbatimit të sanksioneve ndaj Rusisë.

Retorika e një pjese të mediave, posaçërisht tek televizionet kombëtare, në parim ishte neutrale, shpesh edhe me shfaqje të detajuara të invazionit rus, deklarata nga personat që i braktisin shtëpitë e tyre etj. Mirëpo e gjithë kjo, sipas shembujve me të cilat disponojmë, nuk dha kontribut të mjaftueshëm që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të fitojnë një pasqyrë të plotë mbi ngjarjet dhe të krijojnë mendim mbi një invazion ushtarak, që mund të sjellë pasoja afatgjate në gjithë botën.

Mediat mainstream në Maqedoninë e Veriut gjatë muajit shkurt, u përpoqën t’i përkapin të gjitha aspektet e temës lidhur me fillimin e invazionit rus mbi Ukrainën, përfshirë këtu edhe të gjitha deklaratat e presidentit ukrainas Vollodimir Zelenski, fjalimet e Putinit, si dhe t’i kapin ngjarjet në territorin e Ukrainës.

 

REGJISTRIME DHE VIDEO TË VJETRA

Megjithatë, një pjesë e mediave ranë nën ndikimin e dezinformatave që shpërndaheshin edhe në nivel rajonal dhe në atë global, posaçërisht kur bëhej fjalë për shfrytëzimin e regjistrimeve dhe videove të vjetra, e madje edhe sekuenca filmash, që të tregojnë se janë pjesë e invazionit rus. Kështu, ueb-portali Kurir publikoi një video më 25 shkurt, në të cilën pretendohet se avionë ushtarakë rusë fluturojnë mbi Kiev, e për të cilën video më pas u konstatua se është rrejshëm e lidhur me krizën në Ukrainë dhe është pjesë e një shou ruse me avionë nga viti 2020.

Një ueb faqe tjetër publikoi një përmbajtje me titull, „Putini i paralajmëroi Pendarovskin, Vuçiqin dhe liderët ballkanikë që të mos përzihen? Nëse DIKUSH PËRPIQET QË TË NA PËRZIHET DO TË KETË PASOJA TË JASHTËZAKONSHME”, që gjithashtu, u vlerësua si e pavërtetë nga ana e vërtetuesve të fakteve, që regjistruan se Putini aspak nuk i përmend presidentin e Maqedonisë ose të Serbisë në fjalimin e tij, e aq më pak, t’u kërcënohet se të dy shtetet do të kenë pasoja. Dezinformata shpërndaheshin edhe mbi presidentin ukrainas Zelenski, gjegjësisht në një pjesë të portaleve maqedonase u transmetua se ai u ka dhënë urdhër ushtarëve „të shkatërrojnë çdo gjë që do tu dalë në shënjestër”, që u konstatua si e pavërtetë, sepse në retorikën e Zelenskit aspak nuk mund të dëgjohet gjë e tillë. Dezinformata u përhapën edhe në aspekt të asaj se Zelenski, një ditë pas fillimit të invazionit, përgatitet që të arratiset në Londër, që përsëri u verifikua si e pavertetë pas verifikimit të fakteve, e që ai vetë e konfirmoi nëpërmjet video blogjeve të tij të regjistruara në qendrën e Kievit.

Portalet maqedonase më 24 shkurt publikuan artikuj me titull se mijëra ushtarë rusë po lëshohen me parashuta në Harakov, duke postuar një video e cila u shpërnda nëpër rrjetet sociale. Nga verifikimi i fakteve u konstatua se bëhet fjalë për një video të vjetër të paktën 8 deri në 10 vite. Në artikuj të tjerë mediatik shpërndahej një video sikur qielli mbi Ukrainë është përplot avionë rusë që fluturojnë anembanë, gjë për të cilën më vonë u konstatua se në fakt është një animacion 3D.

Një pjesë e mediave maqedonase, e posaçërisht ueb-portalet, shpesh dinë që këto gabime t’i bëjnë nga mosdija ose nga lufta për klikime, pa e verifikuar me precizitet atë që e publikojnë. Mirëpo, media të caktuara këtë e bëjnë në mënyrë tendencioze me qëllim të shpërndarjes së ndikimit rus, duke i shpërndarë këto dezinformata edhe nëpër rrjetet sociale. Përdorimi i narrativëve të llojit „pse nuk u ankuan për sulmin amerikan mbi Irakun, e tani janë të prekur nga regjistrimet në Ukrainë”, por edhe akuzat mbi të gjithë ato që i ndjekin mediat si CNN, BBC e të ngjashme, ku me gjasë, nuk tregohet ana tjetër e ngjarjeve, tregon se në vendin tonë ekziston një ndarje dhe një ndikim i dukshëm rus, i cili shkon deri në atë shkallë sa e justifikon luftën. Kështu, deputeti Borisllav Kërmov i partisë Levica, në profilin e tij në Facebook postoi një status ditën kur filloi invazioni rus, ku e citonte shkrimtarin dhe dramaturgun britanik William Shakespeare në të cilin midis të tjerash thuhej: „Unë them, le të ketë luftë”.

 

РROPAGANDA RUSE

Disa ueb portale, nga të cilat pjesa më e madhe kanë pronësi të paqartë, ishin nga ato që më së shumti e përhapin propagandën ruse. I tillë është ueb portali MKD Press – (mkdpress.site),  për të cilin nuk ka publike asnjë të dhënë, të cilat në pajtim me Regjistrin e medieve pranë Këshillit për etikën e medieve duhet t’i përmbajë çdo portal: të kenë impresum të besueshëm (redaktor, redaksi, të dhëna kontakti dhe adresë), të kenë të regjistruar person juridik në vend dhe në mënyrë transparente ta deklarojnë pronësinë, tekstet e publikuara të jenë të shkruara nga një autor etj. Media e sipërshënuar nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht nuk e ka domainin .mk, që domethënë se pronësia e saj është e panjohur. Ngjashëm është edhe me ueb-portalin Kolovrt – Gjithmonë në anën e së vërtetës (kolovrt.com), i cili rregullisht publikon lajme proruse, shpesh përplot dezinformata, e gjithashtu nuk është i regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Nëse shihen lajmet e publikuara në këto ueb portale, lehtë mund të vihet re se ato përmbajnë dukshëm më pak lajme në lidhje me pasojat e invazionit dhe gjendjen aktuale në Ukrainë, si dhe mbi humbjen e jetëve njerëzore, se sa në lidhje me restrikcionet mbi Rusinë, tekstet që janë të drejtuara kundër NATO-s, publikime se Maqedonia do të ketë pasoja të jashtëzakonshme, sepse qëndron në anën e SHBA-ve dhe BE-së, krahasim të invazionit të Putinit mbi Ukrainën me intervenime ushtarake, prani ushtarake dhe/ose mbështetje ushtarake që SHBA-të e japin nëpër luftëra qytetare/konflikte në Siri, Libi, Jemen, njohjen e Kosovës etj.

Janko Baçev, lideri i partisë Edinstvena Makedonija, gjitashtu, në kontinuitet u bashkangjitet këtyre narrativave. Së fundmi, ai në një konferencë për shtyp kërkoi që të dëbohet ambasadorja ukrainase, për shkak të thirrjes për regrutim të luftëtarëve. Në profilin e tij në Facebook, Baçev që prej fillimit aludonte në atë se Maqedonia e Veriut duhet të qëndrojë anësh nga këto ngjarje, duke shpërndarë citate nga presidenti rus Vlladimir Putin dhe deklarata e tij: „Çdo përpjekje për të ndërhyrë do të sjellë pasoja që si keni parë asnjëherë”. Në të përjavshmen me renome dhe ueb portalin „Fokus”, Baçev u citua me titullin se „e justifikon intervenimin rus, të mbajmë marrëdhënie të mira me Kievin dhe me Moskën!

Një lëvizje e re e quajtur „Rodina“, që u deklarua si parti politike është gjithashtu aktive nëpër rrjetet sociale me mbi 12 mijë anëtarë ne Facebook dhe rregullisht emiton emisione, ku një numër i vogël i disa personave me mendim të njëjtë, duke bërë rotacion nëpër panele diskutimi nga dy ose tre persona, debatojnë mbi invazionin rus në Ukrainë. Në ueb – faqen e Rodina-s në mënyrë decide qëndron se vepron për: „Jo në NATO, jo në BE. Bashkëpunim me organizata ndërkombëtare vetëm mbi parimet e barabarësisë dhe respektit. Tërheqje nga misionet ushtarake të NATO-s dhe politikës së paqedashjes”.

 

NDARJE SUPTILE E FAJIT

Gazeta ditore „Nova Makedonija” thuajse çdo ditë publikon kollumna mbi invazionin rus në Ukrainë, por, njëherit kollumnistët në narrativat e tyre rrallëherë e gjykojnë invazionin, por në mënyrë suptile, dhe shpesh e në mënyrë indirekte faji hidhet mbi të dy palët në mënyrë të barabartë, ndërsa Maqedonia e Veriut do të jetë fajtore nëse në çfarëdo mënyrë e ndihmon Ukrainën dhe u bashkëngjitet shteteve evropiane. Kështu, Profesoresha Universitare Biljana Vankovska në kollumnën e saj, të publikuar më 28 shkurt, do të shkruajë:

A je për Titon apo për Stalinin është zëvendësuar me A je për NATO/Ukrainën apo për Putinin. Kjo dilemë e rrejshme në mendjen binare (ose/ose) është futur në themelet e kolapsit moral të njerëzimit. Ato nuk mund ta kuptojnë se njeriu duhet të jetë njëlloj kundër të dy palëve luftuese. Posaçërisht kur jemi në pragun e një holokausti nuklear, ndërsa BE-ja sillet si piroman, e jo si nobelist i paqes. Me futjen e armëve, Ukraina bëhet një fushëbetejë faktike midis NATO-s dhe Rusisë, të mos e gënjejmë veten.

Prej këtu, informacionet që përhapen në një pjesë të mediave, e pastaj me një retorikë edhe më të përforcuar shpërndahen nëpër rrjetet sociale, ku janë shumë më virale dhe kanë ndikim shumë më të madh mbi formimin e mendimeve, dukshëm i kanë ndarë qëndrimet midis qytetarëve.

Për atë se cilat media, politikanë apo kollumnistë qëndrojnë hapur pas invazionit mbi Ukrainën është sqaruar edhe më sipër. Sa për shembull, ueb portali off.net.mk  publikon se „dy të rritur dhe një fëmijë kanë vdekur në bombardimin rus të spitalit, e së paku shtatëmbëdhjetë të tjerë, midis të cilëve edhe gra shtatzëna janë të lënduar”, që në fund të tekstit të shkruajë se „Rusët insistojnë se luftëtarë ukrainas kanë hyrë në spital dhe kanë vendosur pozicione luftarake në të”, me çka aludohet se përgjegjësia për këtë sulm nuk bie vetëm mbi Rusinë, duke pasur parasysh se Ukraina ka vendosur pozicione ushtarake në spital (për çka nuk ka dhe nuk ofrohet asnjë provë).

Në këtë mënyrë, dhe nëpërmjet publikimit të kollumnave, krijimit të faqeve dhe grupeve të reja në Facebook, si dhe profileve të reja në Twitter, mediat që janë proruse bëjnë propagandë, ashtu që në fund ose midis rreshtash, përpiqen që ta relativizojnë invazionin rus, duke e transferuar përgjegjësinë tek Ukraina. Kështu, me këtë krijohet narrativi se Rusia nuk përpiqet ta shkatërrojë rendin ndërkombëtar, por se atë e bëjnë NATO-ja dhe Amerika, e pastaj se „Regjimi i SHBA-ve” është ai i cili i krijon krizat, e nëpërmjet krahasimeve (luftërave që kanë ndodhur në të kaluarën), bëhen përpjekje që çdokush që ndjen keqardhje për viktimat dhe refugjatët ukrainas të ndjehet keq, sepse „nuk ka ndjerë keqardhje për viktimat dhe refugjatët e pjesëve të tjera të botës, në të kaluarën dhe tani”.

Shumë pak kohë dhe kujdes i kushtohet asaj se për cilat arsye shpërndahen këto dezinformata, por edhe pse nëpër rrjetet sociale shpërndahet gjuhë e urrejtjes dhe retorikë negative në favor të Rusisë.

 


Qries

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Related