Kundërspin: Si Apasiev spinon për çështjen e disidentëve

Published on:

Lideri i “Levicës” shtrembëron të vërtetën në favor të Rusisë dhe Kinës, duke i paraqitur ato pothuajse si vende demokratike në nivelin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për nga shkalla e demokracisë, ndërsa manipulon të vetmen karakteristikë unike të disidentëve modernë, popullaritetin e tyre te publiku botëror, duke i paraqitur si vendimtare për mbijetesën e Shteteve të Bashkuara, demokracinë e saj dhe liberalizmin në përgjithësi

Lideri i “Levicës” dhe deputeti, Dimitar Apasiev, në llogarinë e tij në Twitter, duke iu referuar veprimtarisë disidente, ka shprehur qëndrime që janë spin klasik:

Spin: Është për t’u habitur fakti që disidentët më të mëdhenj të kohës sonë (Asanzh, Snouden dhe Maning) nuk vijnë nga Rusia apo Kina, por nga SHBA. Aq nga historitë për të drejtat e njeriut në Perëndim. Epoka e liberalizmit po merr fund.

[Burimi: Twitter – Data: 11.12.2021]

 

Kundërspin: Pretendimi i Apasievit se disidentët më të mëdhenj të kohës sonë nuk vijnë nga Rusia apo Kina, por nga Shtetet e Bashkuara, duke i paraqitur Shtetet e Bashkuara si regjim në të cilin nuk respektohen të drejtat e njeriut, është një metodë klasike e manipulimit që quhet “whataboutism“, ndërsa në vendin tonë përdoren si defokusim apo largues të vëmendjes.

 

Kjo taktikë e ka origjinën nga Lufta e Ftohtë dhe është përdorur nga përfaqësuesit e atëhershëm komunistë të Bashkimit Sovjetik gjatë bisedimeve me homologët e tyre perëndimorë. Kjo përfshin injorimin tërësisht të argumenteve të palës tjetër, dhe gjetjen e kundërargumenteve në dukje të ngjashme dhe përdorimin e tyre për t’iu kundërvënë sulmit, pavarësisht nga fakti se kundërargumentet mund të jenë të rreme, duke u mbështetur në dezinformata, palogjikshmëri, deklarata të vjetruara, mungesë proporcionaliteti, etj.

Твитот на пратеникот од Левица, Димитар Апасиев.

Kjo praktikë u zbatua në institucionet ndërkombëtare kur vendet perëndimore akuzuan Bashkimin Sovjetik të atëhershëm për burgosjen e miliona qytetarëve të tij në Siberi, pa respektuar të drejtat e tyre themelore të njeriut. Si përgjigje merrnin një “kundërargument” me pyetjen “por, çfarë është me …” (ang: but, what about… nga vjen emri i kësaj taktike debati), pas së cilës përfaqësuesit sovjetikë përmendnin një lloj gjyqi në një shtet jugor të SHBA-së, ku një gjykatës i bardhë dënoi padrejtësisht një afrikano-amerikan me dënim të gjatë, duke injoruar plotësisht proporcionalitetin e dy ngjarjeve, faktin që në të vërtetë kishte një gjyq në SHBA, dhe veçanërisht faktin se futja e miliona njerëzve në Siberi ishte politikë e imponuar nga shteti, ndërsa ngjarja tjetër ishte një çështje gjyqësore që nuk ka asnjë lidhje me politikën zyrtare të SHBA-së.

Situata e vërtetë në Rusi

Para së gjithash, vetëm nëse konsultohet lista e gazetarëve në Rusi të vrarë para dhe gjatë sundimit të Presidentit Vladimir Putin, mund të kuptohet qartë dhe shpejt se sa qesharak është ky pretendim nga tweet-i i Apasiev. Dhjetra gazetarë të vrarë, shumë prej tyre për kritikat ndaj regjimit ekzistues rus dhe disa gjatë raportimit për luftërat në Çeçeni, tregojnë se numri i disidentëve në Rusi vetëm mes gazetarëve është i madh.

Disidentët rusë Anna Politkovskaya (1958-2006), Alexei Navalny, Sergey Magnitsky (1972-2009) dhe Boris Nemtsov (1959-2015). Kolazh fotografish i imazheve nga Wikipedia (CC/Fair use).

Me deklaratën, Apasiev i shpërfill faktet për numrin e madh të disidentëve nga Rusia, si në mesin e gazetarëve ashtu edhe në profesione të tjera. Një shembull veçanërisht i rëndësishëm është gazetarja, shkrimtarja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut Anna Politkovskaya, e cila u vra në një ashensor në ndërtesën e saj në vitin 2006. Ndërsa pesë persona janë dënuar për vrasjen në vitin 2014, është ende e paqartë se kush e ka urdhëruar apo paguar këtë vrasje me pagesë.

Vdekja në paraburgim e këshilltarit tatimor dhe “fishkëllyesi” Sergei Magnitsky, 11 muaj pas arrestimit të tij në 2008, ka tërhequr vëmendjen e madhe të mediave ndërkombëtare dhe ka ndezur një sërë hetimesh për mashtrime, vjedhje dhe abuzime të të drejtave të njeriut në Rusi.

Një nga disidentët më të famshëm të kohës sonë që vjen nga Rusia. Ai është Alexei Navalny, i cili aktualisht po vuan dënim prej dy vjet e gjysmë burg për një shkelje të provës në vitin 2014. Arrestimi i tij ka shkaktuar tensione në marrëdhëniet me Perëndimin, i cili kërkon lirimin e tij.

Mohimi i Apasievit për ekzistencën e disidentëve në Rusi fsheh faktin se Navalny në vitin 2020, para se të arrestohej, u helmua me helm nervor, gjë që u konfirmua nga qeveria gjermane, duke cituar rezultatet e analizave. Navalny u sëmur papritur në një fluturim nga Siberia në Moskë më 20 gusht të këtij viti. Ai fillimisht u vendos në një spital në qytetin rus të Omsk dhe më vonë u transferua në Berlin.

Rregullatori rus i medias Roskomnadzor, në korrik 2021 bllokoi 49 faqe interneti të lidhura me këtë kritik të Kremlinit.

Në dhjetë vitet e fundit, publiku kujton vrasjet e disa gazetarëve, kritikë të zëshëm të qeverive në ish-shtetet sovjetike të Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë. Arkady Babçenko, një gazetar rus u vra në banesën e tij në Kiev, me shumë gjasa për shkak të punës së tij. Deputeti rus Denis Voronenko. Gazetari rus Alexander Shchetinin u vra gjithashtu në banesën e tij në Kiev.

Në shkurt të vitit 2015, lideri i opozitës ruse dhe kritiku më i madh i Vladimir Putinit, Boris Nemtsov, u vra me katër plumba në shpinë. Lideri 55-vjeçar u arrestua teksa po kthehej nga darka me modelen e famshme ukrainase Anna Duritskaya dhe po kalonte nëpër urën që të çon në Kremlin dhe Sheshin e Kuq. Nemtsov ishte themeluesi i lëvizjes opozitare “Solidarnost”, deputet në disa asamble dhe zëvendëskryeministër gjatë qeverisjes së Boris Elcinit. Ai e kritikoi ashpër Putinin për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në luftën e Ukrainës dhe e akuzoi atë se ka shpenzuar miliarda para buxhetore për luks. Ai pohoi se shpenzon dy miliardë dollarë në vit vetëm për mirëmbajtjen e jahteve dhe aeroplanëve.

Nuk është rastësi që në vitin 2021 çmimi Nobel për Paqe u shkoi gazetarëve Maria Ressa nga Filipinet dhe Dmitry Muratov nga Rusia, për kontributin e tyre në lirinë e mendimit. Si redaktor i gazetës “Novaya Gazeta” është vazhdimisht nën kërcënime me vdekje. Gjashtë bashkëpunëtorë të gazetës tashmë janë vrarë ose kanë vdekur në rrethana të paqarta, dhe një prej tyre ishte Anna Politkovskaya.

Situata në Kinë

Kina gjithashtu ka disidentë. Organizata për lirinë e medias “Reporterët pa Kufij” e përmend rregullisht Kinën si një nga “birucat më të mëdha për gazetarët” në raportet e tyre vjetore. Për shembull, raporti “Përmbledhja botërore e gazetarëve të vrarë, të arrestuar, të mbajtur peng ose të zhdukur në 2018” (Worldwide Round-up of journalists killed, detained, held hostage or missing in 2018) përmend 60 gazetarë të burgosur në Kinë.

Chinese dissidents Chen Wei, Liu Xiaobo (1955-2017) and Ai Weiwei. Photo collage based on photos from Wikipedia articles (CC/Fair use).
Disidentët kinezë Chen Wei, Liu Xiaobo (1955-2017) dhe Ai Weiwei. Kolazh fotografik nga Wikipedia (CC/Fair use).

Në vitin 2011, një gjykatë në Kinën jugperëndimore mori vendim skandaloz duke dënuar disidentin Chen Wei me nëntë vjet burg për publikimin e eseve pro-demokracisë në internet. Zeng Jianwei, avokati i Chen, tha se gjykata Suining e dënoi disidentin dhe aktivistin e të drejtave të njeriut për “nxitje të shkatërrimit të pushtetit shtetëror”. Edhe pse esetë janë botuar jashtë Kinës, gjykata beson se ato kanë ndikim të madh keqdashës në Kinë, edhe pse shumica e kinezëve as nuk mund t’i lexojnë ato, reagoi gruaja e Chen Wei, Wang Xiaoyan.

Në dhjetor 2009 në Kinë, një nga disidentët më të famshëm të Kinës, 54-vjeçari Liu Xiaobo, u dënua me 11 vjet burg për thirrje për reforma politike në Kinë, duke përfshirë lirinë e organizimit dhe të shprehjes.

Ai fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2010 për luftën e tij të gjatë dhe jo të dhunshme për të drejtat themelore të njeriut në Kinë.

Xiaobo vdiq në korrik 2017 në një spital në Kinë ndërsa po vuante dënim me 11 vjet burg për “subversion”.

Ai Weiwei është gjithashtu një artist dhe disident i famshëm kinez. Ai jeton dhe punon në Berlin. Projekti që e katapultoi atë në qiellin e famës ishte instalimi i 100 milionë farave të lulediellit prej porcelani të punuar me dorë – metaforë piktoreske, ndërvepruese dhe tërheqëse e kapitalizmit botëror (2010). Një vit më pas ai u ndalua nga policia për 81 ditë, me dyshimin për evazion fiskal. Ka më shumë gjasa që projektet e tij, të cilat shpesh kanë qenë kritika të hapura ndaj qeverisë kineze dhe politikave të saj, e kanë bërë atë shënjestër të kërcënimeve nga autoritetet.

Ai Weiwei u arrestua në prill 2011 në aeroportin e Pekinit. Ai donte të fluturonte për në Tajvan nëpërmjet Hong Kongut, ku po punonte në një ekspozitë. Studioja e tij në Pekin u kontrollua dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij u morën në pyetje. Arsyeja e arrestimit dhe kontrollit nuk dihet plotësisht. Njëri nga miqtë e ngushtë të Weiwei tha se artisti kishte konflikte me autoritetet më parë. Mirëpo, këtë herë duket se ka një veprim të rëndë ndaj tij, tha shoku i tij i ngushtë.

Në qershor 2019, Ai Weiwei vizitoi themeluesin e WikiLeaks, Julian Assange në një spital burgu dhe tha se shëndeti i tij ishte “përkeqësuar”, duke i kërkuar Britanisë dhe vendeve të tjera evropiane që të parandalonin ekstradimin e tij në SHBA.

Këta janë vetëm disa nga disidentët rusë dhe kinezë që janë mjaft të njohur në publik, ndërsa ka edhe një numër të madh të tyre që nuk janë aq të njohur, por nuk do të thotë se nuk janë aty, siç sugjeron Apasiev. Është e qartë se lideri i “Levicës” po shtrembëron të vërtetën në favor të Rusisë dhe Kinës, pothuajse duke i paraqitur ato si vende demokratike në nivelin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për nga shkalla e demokracisë, ndërsa manipulon të vetmen karakteristikë unike të disidentëve modernë, popullaritetin e tyre te publiku botëror, duke i paraqitur ata si vendimtarë për mbijetesën e Shteteve të Bashkuara, demokracisë dhe liberalizmit të saj në përgjithësi.

 

 

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Related