Jo autoritetet gjermane, por aktivistët vendosën një tank përballë ambasadës ruse në Gjermani

Published on:

Nuk është e vërtetë ajo që thuhej në postim, se autoritetet gjermane patën një aksion të pasuksesshëm për të vendosur një tank rus para ambasadës në Gjermani. Organizatorët e instalimit të tankut ishin aktivistët gjermanë, kuratorë muzeumesh, të cilët protestuan kundër pushtimit rus të Ukrainës. Sa i përket vendosjes së luleve në tank të nesërmen, në protestë morën pjesë edhe njerëz që mbështesin ndihmën që Ukraina merr nga Evropa.

Po shqyrtojmë një postim të publikuar në rrjetin social Facebook ku thuhet:

02.03.2023
Aksioni i pasuksesshëm i autoriteteve gjermane për vendosjen e një tanku të qëlluar rus përpara ambasadës ruse. Ky veprim nuk shkoi plotësisht sipas planit, njerëzit sollën lule në masë dhe dekoruan tankun.

Nuk është e vërtetë ajo që thuhej në postim se tanku që u vendos para ambasadës ruse në Berlin ishte vendosur nga autoritetet gjermane. Siç raportoi Reuters më 24 shkurt 2023, tanku u instalua nga aktivistë që protestonin kundër pushtimit rus të Ukrainës. Ata parkuan një tank të ndryshkur të shkatërruar para ambasadës ruse në Berlin, si një lloj simbolizmi i zhvillimeve ushtarake në Ukrainë.

Tanku është një shenjë e humbjes. Ukraina do të jetë Stalingradi i Putinit, tha Wieland Giebel, kurator i muzeumit Berlin Story Banker, duke iu referuar humbjes së Gjermanisë në betejën e madhe të Luftës së Dytë Botërore, raportoi Reuters.

Sipas organizatorëve të ngjarjes, Giebel dhe kolegut të tij Eno Lenze, tanku rus T-72 B1 u shkatërrua nga një minë antitank më 31 mars 2022, afër Kievit.

Siç shkruan Reuters, ata thanë se tanku është transportuar në Gjermani me ndihmën e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës dhe Muzeut Kombëtar të historisë ushtarake të Ukrainës.

Sipas Reuters, bashkia (Berlin’s Mitte) vitin e kaluar refuzoi një kërkesë nga organizatorët Giebel dhe Lenze për të ekspozuar tankun.

Më pas organizatorët nisën një procedurë para Gjykatës Administrative të Berlinit dhe morën lejen për të vazhduar me projektin dhe ekspozimin e tankut. Sipas artikullit të Reuters, tanku do të vazhdojë të shfaqet në Evropë dhe mund të përfundojë në një muze tankesh gjermane.

Se dy organizatorët e ekspozitës së tankut rus pranë ambasadës ruse në Berlin, vërtet kanë marrë leje për të pasi kanë paditur më parë autoritetet lokale, tregon edhe një artikull i Dojçe Vele  të vitit të kaluar (2022). Teksti raporton se dy menaxherët e muzeut fituan një çështje gjyqësore në të cilën ata u ankuan tek autoritetet lokale se nuk u lejuan ta vendosnin tankun pranë ambasadës ruse në Berlin. Për shkak të vendimit të gjykatës, qarku i Berlinit Mitte duhej ta lejonte këtë procedurë, të cilin më parë e kishte kundërshtuar. Eno Lenze dhe Wieland Giebel nga Berlin Story Banker Museum propozuan për herë të parë idenë e instalimit të tankut në qershor 2022, duke vënë në dukje se ata synonin ta linin tankun si një ekspozitë në rrugë për dy javë. Frymëzimi i tyre ishte nga qytete si Kievi, Praga dhe Varshava ku kishte cilësime të ngjashme. Por qyteti i Berlinit i refuzoi ato. Arsyeja e parë e dhënë nga autoritetet lokale ishte se siguria e Gjermanisë do të rrezikohej. Megjithatë, gjykata vendosi të lejojë vendosjen e tankut me kërkesë të dy drejtuesve të muzeut, por jo menjëherë përballë ambasadës ruse në Berlin, por në rrugën përballë, e cila mund të mbajë një tank 40 tonësh.

Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andriy Melnyk, sipas Dojçe Vele, mbështeti idenë e vendosjes së tankut, sepse në këtë mënyrë imazhi i tmerrshëm i luftës brutale dhe shkatërruese që po vuan Ukraina do t’u afrohet qytetarëve gjermanë.

Polygraph shkruan se një ditë pas instalimit të tankut, më 25 shkurt, partitë e ekstremit të djathtë gjerman mbajtën një “protestë paqeje” në të njëjtin vend ku ishte instaluar tanku. Organizatorët kërkuan që qeveria gjermane të ndalojë dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë. Sipas Dojçe Vele, organizatorët e protestës, “politikan socialist renegat” Sarah Wegenknecht dhe shkrimtarja Alice Schwarzen kërkuan negociata me Putinin, pasi sipas tyre “nuk ka asnjë mënyrë për të mposhtur fuqinë më të madhe bërthamore”.

Pastaj partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë bëri thirrje që njerëzit të vijnë në atë protestë, ku në fund ishin 10 deri në 13 mijë pjesëmarrës, ndonëse organizatori ka paraqitur rrejshëm se të pranishëm kishte 50 mijë.

Partia e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” akuzohet për marrëdhënie të ngushta me Rusinë, dhe zyrtarisht është kundër BE-së dhe kundër emigrantëve në Gjermani.

Një video në Twitter tregon se si mbështetësit e kësaj partie në protestën e 25 shkurtit nuk lejuan disa nga të pranishmit të ngrinin flamuj në mbështetje të Ukrainës. Shërbimi gjerman i sigurisë, sipas Polygraph, e vuri nën vëzhgim këtë parti në vitin 2021, që është hera e parë që nga Lufta e Dytë Botërore që një parti politike në Gjermani monitorohet sepse është një kërcënim për kushtetutën gjermane.

Mediat ruse raportuan protestën e 25 shkurtit si pro-ruse dhe media kryesore e propagandës Russia Today publikoi një video të tankut duke raportuar se njerëzit nga Berlini po vendosnin lule mbi tankun rus “si një simbol i luftës kundër neo-nazizmit në Ukrainë.”

Alexander von Bismarck, një mbështetës gjerman i Putinit, tha se një grup njerëzish të tij sollën lulet dhe i vendosën në tank.

Është shumë e rëndësishme që ne sollëm 2 mijë trëndafila dhe i vendosëm në tankin përpara ambasadës ruse. Për t’i treguar qeverisë se duhet të nisë negociatat. Rusia nuk është armiku ynë. Ne jemi miq. Ne kemi ndërtuar marrëdhënie të mira për më shumë se 30 vjet, tha Bismarck, shkruan Polygraph.

Associated Press raportoi për disa qytete në shtetet baltike ku ishin ekspozuar tanket që përdoreshin në Ukrainë dhe të cilat u vizituan nga pakicat ruse në këto shtete të cilët vendosën lule mbi to.

Për të gjitha faktet e mësipërme, vlerësojmë se ajo që thuhet në postim nuk është e vërtetë, se autoritetet gjermane patën një aksion të pasuksesshëm për vendosjen e një tanku rus përballë ambasadës në Gjermani. Organizatorët e vendosjes së tankut ishin aktivistët gjermanë,kuratorë muzeumesh. Ndërsa për vendosjen e luleve në tank ditën e nesërme, në protestë morën pjesë edhe njerëz që mbështesin ndihmat që Ukraina merr nga Evropa.

 

 

 

 

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari

Related