Më shumë se gjysma e popullsisë së imunizuar plotësisht në vend, përkatësisht 411.171 persona, janë vaksinuar me vaksinat kineze “Sinovac” dhe “Sinofarm” dhe me “Sputnik V” ruse. Tashmë, këta qytetarë – të vaksinuar me ndonjërën nga tri vaksinat e përmendura që nuk janë të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), përballen me kufizime kur udhëtojnë jashtë vendit. Ata që janë vaksinuar me Sinovac, Sinofarm dhe Sputnik V, edhe nëse marrin përforcuesin Pfizer, do të përballen me kufizime hyrëse dhe karantinë në shumicën e vendeve evropiane, të cilat respektojnë vetëm vaksinat e miratuara nga EMA – “Pfizer”, “AstraZeneca”, “Johnson & Johnson” dhe “Moderna”, pra vetëm ata që kanë marrë dy doza të këtyre vaksinave konsiderohen të imunizuar plotësisht.
Autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së fundmi njoftuan se çdo qytetar, pavarësisht nga mosha, mund të aplikojë për marrjen e dozës së tretë të vaksinës kundër Covid-it, nëse kanë kaluar gjashtë muaj nga aplikimi i dozës së dytë. Përjashtim bëjnë vetëm vaksinat e prodhuesve kinezë “Sinovac” dhe “Sinofarm”. Për ata që janë vaksinuar me vaksina kineze, doza e tretë rekomandohet tre muaj pas të dytës, pasi kërkimet shkencore kanë treguar se antitrupat nga vaksinat kineze bien më shpejt. Për të gjithë qytetarët, vaksina e tretë është nga prodhuesi “Pfizer” – vaksinë mARN, e cila është treguar se krijon përgjigjen më të mirë imune kur kombinohet.
Mirëpo tek qytetarët që kanë marrë vaksinën “Sputnik V” kanë lindur dyshime. Ata pyesin veten nëse mund të marrin përforcues nga Pfizer? Dilemat e tilla u intensifikuan pasi ministrja serbe e Punës dhe anëtarja e shtabit të krizës, Darja Kisic Tepavçeviq, deklaroi për televizionin “N1” se për të vaksinuarit me “Sputnik”, doza e tretë duhet të jetë nga prodhuesi rus.
Doza e tretë është e nevojshme për të stimuluar dhe forcuar sistemin imunitar. Përjashtim bën vetëm Sputnik. Nëse keni marrë vaksinë nga prodhuesi rus që ka dy komponentë, i pari dhe i dyti, dhe nëse vendosni të merrni dozë të tretë nga i njëjti prodhues, ai duhet të jetë komponenti i parë, theksoi ajo.
Nga ana tjetër, vaksinat ruse nuk janë të disponueshme në Maqedoninë e Veriut dhe asnjë qytetar nuk ka mundësi të vaksinohet për herë të tretë me “Sputnik V”. Nga Ministria e Shëndetësisë për “Vërtetmatësin”, thanë se i njëjti rekomandim i Komitetit Kombëtar të Imunizimit vlen edhe për këta qytetarë.
Personat që janë vaksinuar me vaksinën “Sputnik” do të mund që dozën e tretë ta marrin nga prodhuesi “Pfizer”, na thanë prej atje.
Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se deri tani – duke përfshirë 27 tetorin, janë vaksinuar gjithsej 803.408 qytetarë, të rivaksinuar janë 773.537, ndërsa dozën e tretë e kanë marrë 24.021 qytetarë.
Mbulimi vaksinal me një dozë të vaksinës është 57 për qind e popullsisë së rritur, dhe me dy doza 46 për qind e qytetarëve mbi 18 vjeç. Sipas numrit të vaksinave të aplikuara, 38 për qind e të gjithë popullsisë në vendin tonë janë vaksinuar dhe 35 për qind e popullsisë në vend ka marrë dy doza vaksine, informojnë nga Ministria.
MË SHUMË TË IMUNIZUAR ME VAKSINËN KINEZE
Vaksinimi kundër Covid-19 në Republikën e Maqedonisë së Veriut filloi më 17 shkurt të këtij viti.
Sipas rishikimit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), deri më 24 tetor 2021 janë vaksinuar 808.148 persona me të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19 brenda dhe jashtë vendit, që përbën 39.1 për qind të popullsisë së përgjithshme. Janë vaksinuar plotësisht (me dy doza) 771.749 persona, pra 37.3 për qind e popullsisë dhe me dozën e tretë janë vaksinuar 10.444 persona.
Deri më 24 tetor janë aplikuar mbi një milion e 590 mijë vaksina, nga të cilat shumica e njerëzve janë vaksinuar me vaksinat kineze. Janë aplikuar mbi 486 mijë doza “Sinovac” dhe 300 mijë doza “Sinofarm”. Më pas vijon vaksina “Pfizer”, nga e cila janë dhënë mbi 626 mijë doza, më pas vaksina “AstraZeneca” me më shumë se 130 mijë doza dhe mbi 45 mijë doza “Sputnik V”.
Sipas ISHP, 297.432 persona janë vaksinuar plotësisht me “Pfizer”, me “Sinovac” – 238.514, me “Sinofarm” – 150.009, me “AstraZeneca” – 63.146 dhe me “Sputnik V” – 22.648 qytetarë. Nga kjo rezulton se 411.171 qytetarë janë vaksinuar me vaksinat kineze dhe “Sputnik V” ruse, që është më shumë se gjysma e popullsisë plotësisht të imunizuar në vend.
VAKSINAT RUSE DHE KINEZE – KUFIZIMET GJATË UDHËTIMEVE JASHTË VENDIT
“Vërtetmatësi” rishikoi rregullat e vaksinimit për hyrjen në destinacionet më të zakonshme evropiane. Cilat kushte kërkohen për hyrje, a njihen të gjitha vaksinat për të cilat aplikohen këtu dhe a duhet të shkohet në karantinë? Ministria e Shëndetësisë u përgjigj shkurt se secili vend vendos kërkesat e veta të udhëtimit. Edhe në faqen e BE-së shkruhet se para se të udhëtoni duhet të shihni nëse vendi ku udhëtoni, e pranon vaksinën që keni marrë.
Kur bëhet fjalë për kufizimet e lëvizjes, shtetet anëtare duhet të pranojnë vetëm certifikatat e vaksinimit për vaksinat që janë autorizuar në BE. Vendet anëtare mund të vendosin të heqin kufizimet dhe të pranojnë certifikatë nga një vaksinë tjetër e marrë, për shembull ato vaksina në listën e OBSH-së, por ato nuk e kanë një detyrim të tillë. Nëse jeni vaksinuar me vaksinë të paautorizuar në BE, ne ju këshillojmë të kontrolloni se cilat vaksina pranohen në shtetin anëtar ku po udhëtoni përpara udhëtimit tuaj, thuhet në faqen e internetit.
Në këtë link mund të kontrolloni nëse ndonjë vend evropian pranon certifikatë vaksine nga “Sputnik”, “Sinovac” apo “Sinofarm”. Kontrolli, për shembull, për Belgjikën, Gjermaninë, Italinë, Francën, Maltën, tregon se vaksinat “Sputnik V”, “Sinofarm” dhe “Sinovac” nuk njihen atje. Ata që janë vaksinuar me këto vaksina, edhe nëse marrin përforcuesin Pfizer, do të përballen me kufizime hyrëse dhe karantinë në disa vende evropiane, të cilat respektojnë vetëm vaksinat e njohura nga EMA – Pfizer, AstraZeneca, Johnson & Johnson, dhe Moderna, pra vetëm ato të cilët kanë marrë dy doza të këtyre vaksinave konsiderohen të imunizuar plotësisht.
Belgjika
Nga 17 shtatori, personat që nuk janë vaksinuar (plotësisht) ose nuk kanë certifikatë të sëmundjes së kaluar, pas mbërritjes në Belgjikë nga zona e kuqe, duhet t’i nënshtrohen një periudhe karantine dhjetëditore. Karantina mund të shkurtohet nëse rezultati i testit në ditën e shtatë është negativ. Kjo kërkesë është detyrim për personat e pavaksinuar pa certifikatë, të cilët duhet të testohen brenda 1 dhe 7 ditëve pas mbërritjes nga zona e kuqe në vendin e BE/zonës Shengen ose nga zona e kuqe në listën e bardhë të vendeve joevropiane, thuhet ndër të tjera në faqen e Ministrisë së Jashtme.
Belgjika është në krye të Europës për nga numri i qytetarëve të vaksinuar. Atje, 8.5 milionë njerëz morën dozën e parë dhe 84 për qind e të rriturve janë plotësisht të vaksinuar.
Certifikata e vaksinës, sipas autoriteteve belge, vërteton se jeni plotësisht i vaksinuar kundër Covid-it nëse e keni marrë dozën e dytë të paktën dy javë më parë dhe vaksina është e certifikuar nga Agjencia Evropiane e Barnave. Vaksinat Pfizer, Moderna, AstraZeneca, Johnson dhe Covidshield njihen në Belgjikë. Ndërsa ata që nuk janë vaksinuar plotësisht (dy doza në një interval kohor të përshtatshëm të vaksinave të njohura) ose nuk kanë certifikatë të shërimit nga sëmundja, jo më të vjetër se 180 ditë (6 muaj), pas mbërritjes në Belgjikë nga “zona e kuqe”, duhet të kalojë karantinë 10-ditore, e cila mund të shkurtohet nëse rezultati i testit shtesë në ditën e shtatë është negativ.
Gjermania
Që nga data 22 gusht 2021, Gjermania e ka klasifikuar vendin tonë si zonë me rrezik të lartë të infektimit me Covid-19, prandaj për hyrje në Gjermani parashihet sërish karantinë 10-ditore. Me paraqitjen e dëshmisë së vaksinimit ose shërimit përmes portalit të hyrjes, karantina përfundon para kohe në momentin e paraqitjes. Mund të bëhet edhe test (test antigjen ose test PCR), por jo më herët se pesë ditë pas hyrjes dhe rezultati mund të dërgohet përmes portalit të hyrjes.
Hyrja në RF Gjermani për çdo qëllim tjetër si vizita dhe turizëm është e mundur vetëm për personat e vaksinuar plotësisht dhe vetëm me vaksina të njohura nga BE-ja, (Biontech/Pfizer, AstraZeneca, Johnson & Johnson dhe Moderna). Vaksina e fundit e marrë duhet të jetë të paktën 14 ditë para datës së udhëtimit.
Për personat që nuk janë vaksinuar, hyrja në Republikën Federale të Gjermanisë është e mundur vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe urgjente, kryesisht për arsye shëndetësore, siç ka qenë në të kaluarën.
Qytetarët të cilët janë vaksinuar me vaksinën ruse dhe kineze thonë për “Vërtetmatësin” se kanë telefonuar në Ambasadën Gjermane në Shkup, nga ku u është thënë se nuk do të mund të hyjnë në Gjermani dhe në rast se do të marrin edhe një dozë të tretë të “Pfizer”, sepse kushtet janë të tilla që personat që kanë marrë dy doza të vaksinës të miratuar nga EMA konsiderohen të vaksinuar plotësisht.
Italia
Me vendimin e fundit të autoriteteve italiane, vendi ynë kalon nga lista D në listën E, që do të thotë se nuk lejohet udhëtimi turistik për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt Italisë. Duke vepruar kështu, qytetarët tanë lejohen të hyjnë ekskluzivisht për: nevoja pune; urgjenca absolute; nevojat shëndetësore; nevojat e studimit; kthimi në shtëpinë ose vendbanimin e dikujt. Gjatë hyrjes ose kthimit në Itali nga vendi ynë, është e detyrueshme të paraqitet: formular i plotësuar i vendndodhjes në internet (dPLF), rezultati negativ i nga testi molekular ose antigjen, përveç kësaj, ende është i detyrueshëm vetëizolimi dhe mbikëqyrja shëndetësore për periudhë prej dhjetë ditësh. Pas dhjetë ditëve të izolimit, është e detyrueshme të kryhet test shtesë molekular ose antigjen).
Përjashtim nga vetizolimi ka kushdo që kalon tranzit me automjet privat në territorin italian për periudhë jo më të gjatë se tridhjetë e gjashtë orë, me detyrimin, më së voni në fund të kësaj periudhe, të largohet nga territori kombëtar, në të kundërtën të fillojë periudhë izolimi në adresën e treguar në formularin e gjetjes së pasagjerëve për periudhë prej pesë ditësh dhe në fund të kësaj periudhe t’i nënshtrohet një testi molekular ose antigjen; secili që hyn në Itali për një periudhë jo më shumë se njëqind e njëzet orë (120) për vizita zyrtare, punë të dëshmuar, arsye shëndetësore ose nevojë absolutisht urgjente, me detyrimin, pas skadimit të afatit të caktuar, të largohet menjëherë nga territori kombëtar ose, në të kundërt, të fillojë periudhë izolimi në adresën e treguar në formularin e gjetjes së pasagjerëve për periudhë prej pesë ditësh dhe t’i nënshtrohet, në fund të kësaj periudhe, një testi molekular ose antigjeni. Tranziti në aeroport lejohet, pa dalë nga zonat e veçanta të aeroportit. Fëmijët nën moshën gjashtë vjeç përjashtohen nga testi molekular ose antigjen.
Austria
Për të hyrë në Austri, çdo shtetas i vendit tonë duhet të sigurojë një nga provat e mëposhtme: vërtetimin e vaksinimit ose dëshminë e shërimit nga Covid-19, e cila është e vetmja mënyrë për të shmangur karantinën (vetëizolimin) 10 ditor. Karantina mund të ndërpritet pas 5 ditësh me rezultat të ri negativ të testit PCR.
Për marrjen e vaksinës me dy doza, duhet të tregoni se e keni marrë dozën e dytë jo më shumë se 360 ditë para mbërritjes.
Për dëshmi të testit negativ për Covid-19, rezultatet e testit të biologjisë molekulare (PCR) nuk duhet të jenë më të vjetra se 48 orë dhe rezultatet e testit të antigjenit nuk duhet të jenë më të vjetra se 24 orë.
Për vërtetimin e rikuperimit, duhet të tregoni prova të rikuperimit brenda 180 ditëve të fundit, thuhet në uebfaqen e MPJ-së.
Në Austri mund të hyni me vaksina të pranuara nga Agjencia Evropiane e Barnave – “Pfizer”, “Moderna”, “AstraZeneca” dhe “Johnson & Johnson”, si dhe me vaksinat kineze të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë – “Sinopharm” dhe “Sinovac“.
Danimarka
Danimarka këto ditë ka lehtësuar kovid-rregullat e hyrjes për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me vendimin e fundit të autoriteteve daneze, qytetarët tanë do të mund të hyjnë në Danimarkë pa kufizime ose duke dhënë arsye të vlefshme, por është e nevojshme të paraqesin certifikatë dixhitale të vlefshme të BE-së që përfshin certifikatë vaksinimi me vaksina të miratuara nga EMA (ose çertifikatë për kalimin e Covid-19, jo më e vjetër se 12 muaj) ose test negativ PCR.
Malta
Për të udhëtuar në Maltë është e nevojshme certifikatë vaksinimi, përjashtim bëjnë vaksinat ruse dhe kineze, të cilat nuk njihen, dhe ata që nuk kanë certifikatë vaksinimi do të duhet të paraqesin test negativ PCR dhe të jenë në karantinë të detyrueshme 14-ditore, pavarësisht se nga cili vend vijnë. Fëmijët nga mosha 5 deri në 12 vjeç do të duhet gjithashtu të paraqesin test negativ PCR (fëmijët nën 5 vjeç do të përjashtohen nga ky detyrim), por për të udhëtuar në Maltë ata duhet të shoqërohen nga një i rritur që mban certifikatë të njohur vaksinimi.
Vendi ynë është ende në listën e kuqe të vendeve me rrezik, shkruhet në uebfaqen e MPJ-së.
Franca
Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut mund të hyjnë në Francë pa kushte shtesë nëse janë vaksinuar me “Pfizer”, “Moderna”, “Astra Zeneca” ose “Johnson”, nëse kanë kaluar 14 ditë nga doza e dytë. Ata duhet të paraqesin vërtetimin e vaksinimit dhe të plotësojnë një deklaratë se nuk kanë simptoma të infeksionit ose kontakt me ndonjë rast pozitiv me Covid.
Megjithatë, të pavaksinuarit në Francë duhet të paraqesin test negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë, ose test negativ antigjen jo më të vjetër se 48 orë, të jenë në karantinë të detyrueshme për 7 ditë, të plotësojnë një deklaratë për arsyet urgjente për hyrje dhe qëndrim në Francë, të plotësojnë një deklaratë se nuk kanë simptoma të Covid dhe nuk kanë pasur kontakt me rast pozitiv me Covid, të pajtohen për test shtesë antigjen ose PCR gjatë hyrjes në Francë dhe të nënshkruajnë deklaratë se do të respektojnë izolimin shtatëditor.
Greqia
Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që hyjnë në Greqi duhet të kenë certifikatë vaksinimi (në greqisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht ose rusisht), së bashku me dëshminë se kanë kaluar të paktën 14 ditë nga dita e vaksinimit ose test negativ PCR (jo më i vjetër se 72 orë, d.m.th. test i shpejtë ose konfirmim për kalimin e sëmundjes).
Ky shtet fqinj i yni pranon certifikata vaksinash për disa vaksina: Pfizer, Moderna, AstraZeneca, Johnson, Sinovac, Sinopharm, Sputnik V, Novavax, Cansino Biologics dhe Covishield.
Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut për hyrje në Mbretërinë e Bashkuar anë nevojë për vizë ose leje qëndrimi të vlefshme, thuhet në faqen e MPJ-së.
Nga 4 tetori 2021, Mbretëria e Bashkuar filloi të aplikojë sistemin e ri me dy ngjyra të ndarjes së vendeve (lista e kuqe dhe jeshile), në vend të sistemit të mëparshëm me tre ngjyra (lista e kuqe, blu dhe jeshile). Maqedonia e Veriut kaloi nga lista e vendeve të qelibartë në listën e gjelbër. Rregullat e udhëtimit në Listën e Gjelbër ndryshojnë në varësi të faktit nëse personi është plotësisht i vaksinuar apo jo. Një person i vaksinuar plotësisht konsiderohet ai që ka marrë vaksinë, certifikata e së cilës njihet nga MB. Lista e vaksinave dhe shteteve nga të cilat njihen certifikatat mund ta shikoni në këtë link, shkruan në faqen e Ministrisë së Jashtme.
Sipas asaj më sipër, Republika e Maqedonisë së Veriut që nga 11 tetori është në listën e vendeve dhe territoreve nga të cilat njihen certifikatat e vaksinimit në Angli. Pra, nëse një shtetas i RMV-së arrin në Angli, ata mund të përdorin certifikatë vaksine për të vërtetuar statusin e vaksinimit, por ata duhet të kenë marrë një nga vaksinat e mëposhtme të paktën 14 ditë përpara se të mbërrijnë në Angli: Oxford Astra Zeneca, Pfizer, Moderna, Johnson. Certifikata duhet të jetë në anglisht, frëngjisht ose spanjisht dhe të përmbajë të dhëna personale. Gjithashtu, para se të udhëtojë drejt Anglisë, qytetari ynë duhet të rezervojë dhe të paguajë test PCR për Covid, i cili bëhet ditën e dytë pas mbërritjes në Angli.
Personat që nuk janë vaksinuar plotësisht, ose kanë marrë një vaksinë, certifikata e së cilës nuk njihet nga MB, duhet të kenë test negativ për Covid jo më të vjetër se 3 ditë përpara udhëtimit, dhe pas mbërritjes në MB duhet të izolohen për dhjetë ditë, të testohen në ditën e dytë dhe të tetë. Nëse të dyja testet janë negative, izolimi përfundon në ditën e dhjetë.
Nëse njerëzit udhëtojnë për në Uells, Skoci ose Irlandën e Veriut, ka rregulla të tjera për ta dhe ato mund të shihen në lidhjet e mëposhtme:
– Për Uells: https://gov.wales/rules-foreign-travel-and-wales-coronavirus-covid-19-html
– Për Skoci: https://www.gov.scot/publications/coronavirus-covid-19-international-travel-quarantine/pages/red-amber-and-green-list-countries/
– Për Irlandë të Veriut: https://www.nidirect.gov.uk/articles/coronavirus-covid-19-travel-advice
Zvicër
Që nga mesi i shtatorit, në Zvicër nuk është më në fuqi ndalimi i hyrjes së shtetasve nga vendet e treta, përfshirë Republikën e Maqedonisë së Veriut, për qëndrim turistik apo për çfarëdo lloj qëndrimi tjetër, por vetëm me konfirmim/certifikatë për pranim të 2 dozave të vaksinës. Kushti për të pasur test negativ (PCR ose Antigjen) nuk pranohet më si bazë për hyrje për këtë kategori personash.
Përveç vaksinave të njohura nga Agjencia Evropiane e Barnave, në Zvicër mund të hyhet edhe me vaksinat kineze “Sinopharm” dhe “Sinovac”, por jo edhe me “Sputnik V” ruse. Më shumë informacion rreth llojit të vaksinës dhe kërkesave për hyrje mund të gjeni në linkun e mëposhtëm: https://travelcheck.admin.ch/check.
Nëse personi i plotëson kushtet për të hyrë në Konfederatën Zvicerane, është e nevojshme deri në 12 orë para hyrjes në Zvicër, të plotësojë formularin që gjendet në faqen e internetit të Zyrës Federale të Shëndetit Publik të Zvicrës, ose më saktë në adresën e mëposhtme në këtë link: https:// swissplf.admin.ch/formula, thuhet në faqen e MPJ-së.