Një ngjarje e vitit 2015, kur u gjet një shpërthyes minash pranë gazsjellësit “Nord Stream”, është ricikluar nga autoritetet ruse. Kjo ngjarje e risjellë në vëmendje nga përfaqësuesi i Gazprom dhe e ripostuar nga zyrtarët rusë, shënjestron përmes dizinformimit, vendet anëtare të NATO-s. Shpërndarja e këtyre informacioneve vjen në mesin e luftës së nisur nga sulmi i Rusisë në Ukrainë.
Patris Pustina
Në tetor të këtij viti Ambasada Ruse në Shqipëri ripostoi një reagim të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova. Komenti i ripostuar ishte një rikthim në ngjarjen e vitit 2015 ku sipas Zaharovës pajisja “Sea Fox” që u gjend pranë gazsjellësit Nord Stream i përkiste NATO-s.
Ja çfarë shkruante zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Zaharova:
“Sot përfaqësuesi i Gazprom, Sergej Kuprijanov kujtoi ngjarjet, e ndodhura në gazsjellësin «Nord Stream», të cilat tashmë janë regjistruar më herët. Ky rast është i njohur.
Më 6 nëntor 2015, gjatë një inspektimi vizual të planifikuar të gazsjellësit «Nord Stream», u zbulua shkatërruesi i minave të NATO-s «Sea Fox», i cili shtrihej në hapësirën midis fijeve, më saktë nën njërën prej tyre. Ishte pika 651 km nën thellësinë prej 40 metrash.
Në atë kohë mjeti shpërthyes u hoq nga forcat e armatosura suedeze. Transporti i gazit, i ndërprerë për shkak të emergjencës, rifilloi. NATO deklaroi se shkatërruesi i minave nënujore kishte “humbur” gjatë stërvitjeve.”
Screenshot nga postimi i Ambasadës së Rusisë në Shqipëri në Facebook
Risjellja në vëmendje e kësaj ngjarjeje kishte për qëllim të insinuonte se shpërthimet e 26 shtatorit në Nord Stream ishin shkaktuar nga shtetet perëndimore dhe NATO, duke sjellë si ‘provë’ të kapacitetit për sabotazh praninë e pajisjes “Sea Fox” mes tubave të gazsjellësit në 2015.
Rusia filloi të hidhte akuza drejt Perëndimit që në ditët e para pas shpërthimit. Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi në atë kohë (në vitin 2015) se shpërthimi ishte “sabotazh” i Anglo-Saksonëve, domethënë Mbretëria e Bashkuar ose ShBA. Ndërkohë, në 29 Tetor, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi Marinën Britanike se kishte marrë pjesë “në planifikimin, sigurimin dhe realizimin e aktit terrorist në Detin Balltik më 26 shtator për të minuar gazsjellësit Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2”.
Shkatërruesi i minave “Sea Fox” u pikas në 6 nëntor 2015 pranë tubave të gazsjellësit. Sipas njoftimit zyrtar suedez asokohe, pajisja i përkiste Forcave të Armatosura të Suedisë. Pajisja humbi kur kablli me anë të të cilit kontrollohej u këput gjatë një ushtrimi, në pranverën e 2014-s. Ajo nuk përbënte rrezik për dëmtimin e gazsjellësit, sepse këputja e kabllit kishte bërë që pajisja të çarmatosej automatikisht. Forcat e Armatosura suedeze e hoqën dhe shkatërruan pajisjen pasi u lokalizua në 6 nëntor 2015.
Siç pranohet nga vetë autoritetet suedeze, pajisja “Sea Fox” i përkiste Suedisë. Suedia nuk është ende vend anëtar i NATO-s, rrjedhimisht edhe në 2015, kur pajisja u gjet pranë Nord Stream, ky vend nuk ishte pjesë e saj. Vetëm pas fillimit të luftës në Ukrainë, Suedia aplikoi për t’u bërë anëtare e Aleancës, në 16 maj 2022.
Në raportimet e 2015-s, për më tepër, media ruse nuk e cilësoi “Sea Fox” si pronë e NATO, apo ndonjë shteti anëtar. Agjensia shtetërore e lajmeve RIA Novosti iu referua pajisjes asokohe si “një shaktërrues minash “Sea Fox” suedez”, ndërkohë që autoritetet ruse, sot i rikthehen të njëjtës ngjarje duke manipuluar faktet.