Hetimi i nisur bujshëm në 2017-n për për rreth 1 milionë USD të paguara për lobim në SHBA në favor të PD, tashmë mund të konsiderohet një dosje e dështuar. Faktoje sjell një analizë sesi provat e mbledhura për 2 vite nga prokuroria, me të akuzuar ish kreun e PD Lulzim Basha dhe dy zyrtarë të tjerë të partisë, nuk mjaftuan për të hedhur dritë mbi të ashtuquajturën “dosja e lobimit rus”.
Anila Hoxha
I njohur botërisht si lobimi rus i Partisë Demokratike, drejtuar në atë kohë nga Lulzim Basha, fashikulli i drejtësisë shqiptare emërton kazusin më unik të saj. Për këtë çështje, prokurorët shkuan të përçarë në gjykatë. Pasi humbën në Apel, asnjë prokuror nuk iu drejtua Gjykatës së Lartë për të depozituar një rekurs për të ezauruar të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri.
Edhe pse në vendimin e gjykatës së Apelit, prokuroria akuzohet se manipuloi provat duke servirur dëshminë e Nikolas Muzin të tjetërsuar, prokuroria e Apelit nuk bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, duke shënuar befasisht mbylljen përfundimtare “të betejës gjyqësore” në favor të Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishit. Kjo sidoqoftë nuk qe një pafajësi, por një dorëzim dhe zhbërje e 24 provave që akuza pretendon se i mblodhi përgjatë 2 viteve, të cilat kulmuan me fletëthirrje, marrje në pyetje e komunikime akuze.
Prokurori që përfaqësoi çështjen në gjykatën e apelit, Nezir Gjoka thotë për Faktoje se nuk bëri rekurs për Bashën në Gjykatën e Lartë pasi u sëmur me covid dhe për arsye shëndetësore dha dorëheqjen nga detyra e prokurorit. Për pasojë, dikush tjetër duhet ta zëvëndësonte e të përfaqësonte akuzën në emër të shtetit. Por vendimi që pushoi akuzën e falsifikimit të vulave dhe stampave (neni 190/3 Kodi Penal) ndaj Bashës, Ristanit dhe Dervishit u shpall në 14 maj 2020, pra më tepër se një muaj nga data kur prokurori e la detyrën. Megjithatë ish prokurori Gjoka këmbëngul se ky vendim nuk u arsyetua deri ditën që ai la statusin e magjistratit.
“Deri në datën 30 qershor 2020 kur unë dhashë dorëheqjen nga detyra për shkaqe të shëndetit, nuk është paraqitur vendimi i zbardhur i gjykatës. Deri në kohën që dorëzova dokumentat dhe dosjet që përfaqësoja, ky vendim nuk u zbardh. Më pas nuk e di çfarë ka ndodhur. I kam dorëzuar të gjitha materialet në sekretarinë e prokurorisë së Apelit së bashku me aktet e dorëzimit dhe ekziston një numër protokolli me gjendjen e çdo shkrese”, iu përgjigj ish-prokurori pyetjes për Faktoje mbi enigmën se cfarë ndodhi me dosjen Basha, Ristani e Dervishi. Nga ana tjetër, zyrtarisht prokuroria e Apelit u përgjigj me komentin se “rekursi është e drejtë ekskluzive e prokurorit të çështjes”, i cili rezulton se nuk ishte më në detyrë në kohën kur Apeli përcolli vendimin e zbardhur. Por Jordan Daci, jurist i njohur thotë:
“Normalisht prokurori që e ka patur çështjen, sa kohë nuk u zbardh vendimi, nuk kishte pse të bënte rekurs, se afati i tij nis nga e nesërmja e vendimit të arsyetuar. Çështja sipas meje ka mbetur jetime edhe për faktin se ka një ngarkesë shumë të madhe me çështje dhe ka shumë pak prokurorë. Për efekte të rekursit duhet të ishte caktuar një prokuror tjetër. Se kur vjen vendimi i arsyetuar ai duhet të adresohej diku, ku dhe vendoset do vazhdojmë apo do ta lëmë pa rekurs” thotë Daci.
Pas katër viteve për hetimin ndaj kryeopozitarit që u mbyll me një tërheqje të paargumentuar të prokurorisë së Apelit dhe asaj të përgjithshme, vendimi i zbardhur i gjykatës së Apelit vërteton se neglizhenca e akuzës për dosjen e “lobimit rus” nuk kishte vetëm akuza politike.
Një histori e nisur me bujë
Nga studimi i fakteve , “Faktoje” i kthehet çështjes së hapur penalisht në 2018 që mori shkas nga një deklaratë e sekretarit të përgjithshëm të PS , Taulant Balla më 25 nëntor sipas të cilit ekziston një shifër prej rreth një milionë dollarë që kanë kaluar nga llogaria e një kompanie offshore për të kryer pagesa në favor të PD. Ajo që citon Balla është shoqëria “Biniatta Trade” si një kompani me qendër në vendet e parajsës fiskale, Belize, Amerika Qëndrore. Emrat ndaj të cilëve kërkohet të hidhet dritë janë dy gratë ruse Viktoria Valkovckava dhe Natasha Radysheva, që sipas investigimit të “Mother Jones” e më pas sipas letërporosisë së përcjellë Shqipërisë ato ndodheshin në Seychelles ndaj dhe ishte e pamundur të pyeteshin. Një emër tjetër po aq i rëndësishëm është Nikolas Muzin dhe deklaratat e tij për pagesat pranë F.A.R.A . (Departamenti i Drejtësisë në SHBA).
Letërporosi që gjykata i komentoi
Duke e konsideruar si burim i hapur informacioni, kryeprokurori i Tiranës në atë kohë, Dritan Rreshka (shkarkuar më vonë nga vettingu) me shkresë protokolli numër 5494, kërkoi ndihmë juridike nga autoritetet gjyqësore të SHBA. Me sqarimin se përmes formularëve, partitë politike detyrohen nga ligji të deklarojnë shpenzimet pranë KQZ për çdo fushatë elektorale, sillet në vëmendje ekzistenca e një kontrate (22 mars 2017) mes PD dhe shoqërisë lobuese “Muzin Partners” me pagesën 75 mijë dollarë të ndarë në 3 këste. “Ndërkohë nga kqyrja proceduriale e faqes elektronike F.A.R.A – në Departamentin e Drejtësisë SHBA; vërehet se “Muzin partners” ka kryer një deklarim shtesë për subjektet e lobimit jashtë SHBA ku deklaron se nga PD ka marrë 675 mijë dollarë amerikanë. Kontrata që bëhet publike është nënshkruar nga kryetari, Lulzim Basha që gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti ka garuar si kandidat për kryeministër” thuhet në shkresën e disponuar nga Faktoje. Katër muaj më pas, në datë 20 korrik 2018, U.S Departament of Justice / Criminal Division i jep rrugë zyrtare akteve të rregjistruara pranë Aktit të Rregjistrimit të Agjentëve të Huaj (F.A.R.A). Por në shkresë thuhet:
“Ne do të sigurojmë një raport investigativ të intervistës së Nikolas Muzin kur kjo të bëhet e disponueshme”.
Nga çfarë tregojnë shkresat, në deklaratën shtesë raportohet si pagesë më 24 mars 2017 nga “Biniatta Trade LP” shuma prej 150 mijë dollarë. Tri ditë më vonë, PD paguan për tarifa dhe shpenzime në vlerën e 25 mijë dollarë dhe e fundit raportohet në datë 9 qershor 2017 në vlerën e 500 mijë dollarëve. Partia Demokratike sqaroi në nisje të procedimit se veprimtaria e saj lobuese në SHBA ishte plotësisht brenda kuadrit ligjor. Këtij qëndrimi i bashkëngjiti një shkresë të datës 10 prill 2017, marrëveshjen e konsultimit nënshkruar mes Lulzim Bashës dhe shtetasit amerikan Nikolas Muzin, përfaqësues i Stonington Satrategies/ division of Muzin Capitol Partners, dokumenta bankare që vërtetojnë marrëdhënien monetare prej 25 mijë dollarësh. Prokuroria këmbëngul për se ekzistencën e një deklarate të Nik Muzin që pranon se kishte marrë para nga entitetet e huaja. Ai parashtroi mes 675 mijë dollarëve, shumën prej 150 mijë të paguar nga “Binniata trade” si kompensim për veprimtaritë e PD, pjesa e luanit në këtë çështje. Në letërporosinë e disponuar nga “Faktoje” thuhet:
“Biniata trade LP kompensoi të regjistruarin për aktivitetet e zhvilluara në emër të PD për të promovuar lidershipin konservator shqiptar ndaj biznesit dhe drejtuesve politikë në SHBA. Biniata Trade LP kreu një pagesë të vetme prej 150 mijë dollarë ndaj regjistruesit e cila është bërë e ditur në deklarimin shtesë të të rregjistruarit për periudhën kohore që përfundon në 30 shtator 2017”. E konsideruar si një vlerë monetare për të lobuar në SHBA, dhe e krahasuar me shifrën prej mëse 88 milionë lekë që PD i kishte patur në dispozicion për shpenzime, prokuroria duke bërë krahasimet deklaron:
“Është e pamundur që të ekzistojë njëkohësisht panorama e shpenzimeve të deklaruara të PD dhe shpenzimi i kryer për lobim”.
Megjithatë me vendimin e formës së prerë dhe që pushon çdo akuzë duke i vënë kapakun lobimit rus hidhet poshtë qëndrimi i prokurorisë. Të dyja gjykatat theksojnë se letërporosia e amerikanëve është vetëm një dhe fletë për një marrëveshje sipas të cilës Partia Deomkratike do t’i paguajë Stonington, tre këste prej 25 mijë dollarë amerikanë që duhet të likuidoheshin elektronikisht midis datave 22 mars, 22 prill dhe 22 maj 2017.
Shtesat e deklaratës në F.A.R.A të Muzin (Exhibit B to registration statement) gjykatat shqiptare i konsiderojnë si marrëveshje të pafirmosura nga palët. Gjykata e apelit komenton në vendim:
“Eshtë konstatuar se kjo marrëveshje është lidhur para marrëveshjes me Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe në të nuk përmendet kjo parti. Përkundrazi, është parashikuar se interesat e BT në këtë konsultim nuk janë të ndonjë qeverie ose partie politike” komenton gjykata, që në këtë rast është në rol paraprak dhe nuk i referohet ndonjë prove konkrete të hetimit. Më tej gjykata argumenton në vendim se disponon përgjigjet e KQZ dhe Drejtorisë së Pastrimit të Parave që provojnë se Partia Demokratike i kishte deklaruar shpenzimet për lobimin e për më tepër sipas gjykatës, Muzin gënjente.
“Në Raportin Financiar vjetor të depozituar nga Partia Demokratike pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në datën 28.02.2018 janë deklaruar të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e partisë për vitin 2017, duke përfshirë edhe ato për dy kontratat e lidhura me Muzin Capitol Partners dhe Barnes and Thornsburg, si dhe pagesat e kryera për to 100.000 dollarë + 25.000 dollarë. Kjo është konfirmuar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila me datën 03.05.2018 i ka kthyer përgjigje Prokurorisë se rezulton që Partia Demokratike ka dhe dy pagesa të tjera në favor të Barnes and Thornsburg. Nga informacioni i dërguar nga bankat e nivelit të dytë rezulton se asnjë subjekt shqiptar nuk ka kryer asnjë pagesë për shoqërinë Biniatta Trade. Ndërsa shuma prej 500.000 dollarë e deklaruar nga i rregjistruari Nikolas Muzin, nuk gjen mbështetje në asnjë provë dokumentare, pra nuk rezulton të jetë deklarim i vërtetë i tij” arsyeton Gjykata e Apelit në vendimin e depozituar për “Faktoje”.
Kush fshihet pas Muzin?
Duke kërkuar rrënjët e Biniatta Trade, prokuroria i dërgon në 24 prill 2018 një letërporosi Skocisë me shpresën se do gjente pronarët dhe administratorët. Tre muaj më vonë, drejtësia e Mbretërisë së Bashkuar/ Skoci përgjigjet se shoqëria në fjalë ishte e regjistruar në Edingburg, Skoci por nuk kishte asnjë biznes dhe as përfaqësues që mund të merrej në pyetje.
Screenshot i kërkesës së Gjykatës Tiranë drejtuar autoriteteve gjyqësore në Skoci
Screenshot i kërkesës së Gjykatës Tiranë drejtuar autoriteteve gjyqësore në Skoci
“Shoqëria posedohet nga Asverro Corporation dhe Liminez Commerce, të regjistruara në Belize City”. Së bashku me këtë informacion bashkangjitet informacion për drejtësinë shqiptare edhe për katër shtetaset; Gina Sandra Esparon, Molli Rita Roselie, Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva, këto dy të fundit ruset që dyshohet se fshihen pas “Biniatta Trade” meqënëse sipas prokurorisë “Binniata Trade” kontrollohet nga shoqëritë “Asverro corporation” dhe “Limines Commerce”. Këto dy të fundit kontrollohen nga shoqëritë Babyonica dhe KG global Management.
Letërporosia e Mbretësisë së Bashkuar thekson:
“Gina Sandra Esparon është e përfshirë në të paktën 30 shoqëri tregtare ku njëra prej tyre është Alpha Consultion. Kjo shoqëri është nën administrimin e Natasha Valkovskaya”.
Gjykatat i japin një tjetër shuplakë hetimit të prokurorisë duke mos gjetur asnjë lidhje dhe asnjë lobim.
“Sipas Letërporosisë rezulton se nuk ka asnjë lidhje mes kompanise “Biniatta Trade” dhe Partisë Demokratike ashtu sikundër PD nuk ka asnjë lidhje me kompanitë e tjera me të cilat Shoqeria Biniatta Trade është e ndërlidhur” thuhet në vendim. Si argument gjykatat sjellin sërish shkresat shqiptare që prokurorët i kanë patur në tavolinë.
“Në datën 03.05.2018, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave i ka kthyer përgjigje Prokurorisë se rezulton që Partia Demokratike ka kryer një pagesë në favor të Muzin Capitol Partners prej 25 mijë dollarë dhe dy pagesa të tjera në favor të Barnes and Thornsburg. Nga informacioni i dërguar nga bankat e nivelit të dytë rezulton se asnjë subjekt shqiptar nuk ka kryer asnjë pagesë për shoqerinë Biniatta Trade. Këto fakte të ardhura nga institucione shtetërore përputhen plotësisht me qëndrimin e Partisë Demokratike.”
Duke i konsideruar letërporositë e prokurorisë si njehsim me origjinalin e deklaratave që gjenden pranë F.A.R.A, gjykata deklaron njëanshmërinë e Nikolas Muzin dhe mosvërtetimin e thënieve të tij.
“Lidhur me pretendimin e parë se shtetasi Nikolas Muzin ka deklaruar pranë FARA se shuma prej 500.000 USD është paguar cash nga Partia Demokratike, ky argument i prokurorit është i pabazuar mbi asnjë dokument apo provë që i është bashkëlidhur dosjes gjyqësore. Në asnjë prej deklarimeve të bëra nga shtetasi Nikolas Muzin pranë FARA apo marrjet në pyetje të autoriteteve amerikane nuk rezulton që ky shtetas të jetë shprehur se ka marrë cash nga PD shumën prej 500.000 USD. Lidhur me pretendimin e dytë se Lulzim Basha është përgjigjur se nuk është kryer asnjë veprim deri në këtë moment konkret kohor, referuar procesverbalit të deklarimeve të shtetasit Lulzim Basha rezulton se ai është përgjigjur se “Partia Demokratike nuk ka patur asnjë kontratë me asnjë person të tretë, përveç atyre të deklaruar dhe nuk ka ndërmarrë asnjë marrëdhënie juridike, me asnjë person të tretë, përveç atyre të deklaruar. Në dijeninë time të gjitha kontratat, të ardhurat që ka marrë dhe ka shpenzuar Partia Demokratike, janë deklaruar në raportin financiar të paraqitur në KQZ. Qartazi, deklarimet e shtetasit Lulzim Basha nuk përputhen me pretendimet e prokurorit” deklaron gjykata e Apelit që konfirmon vendimin e shkallës së parë, se prokuroria shkoi para drejtësisë pa prova. Ky vendim është një replikë e fortë me prokurorinë që përmendi në seancë se e pyeti Lulzim Bashën, nëse kishin reaguar civilisht apo administrativisht ndaj Muzin për dëmin që i shkaktoi PD me këto deklarata për pagesat dhe ai kishte mohuar. Fashikulli shpjegon se si kryedemokrati Lulzim Basha përsëriste se as ai, as PD “nuk kanë njohje dhe marrëdhënie me shoqërinë Biniatta Trade, Asvero Corporation dhe Liminez Commerce”. Edhe sekretari i përgjithshëm i PD mohoi të kishte dijeni përpos pagesës prej 25 mijë dollarësh.
“Kjo kontratë është me karakter të përgjithshëm dhe jo elektoral zgjedhor”– shton Ristani, që sipas prokurorisë binte ndesh me shënimin në Departamentin Amerikan të Drejtësisë ku citohet se kontratat lobuese kishin qëllim zgjedhor.
Screenshot i dokumentit të përkthyer, siguruar nga FARA (Departamenti i Drejtësisë SHBA)
Screenshot i dokumentit të përkthyer, siguruar nga FARA (Departamenti i Drejtësisë SHBA)
Lufta e prokurorëve!
Megjithëse gjatë 2019 – 2020 ata i ngritën temperaturat e pritshmërive duke kryer dhjetëra veprime hetimore, në fund prokurorët kërkuan gjykimin e Bashës, Ristanit dhe Dervishit vetëm për akuzën e falsifikimit, kurse për pastrimin e parave deklaruan pushim të hetimeve. Edhe në këtë pike, tre prokurorët Kol Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako ishin kontradiktorë. Njëri prej tyre, Kol Hysenaj nuk e nënshkroi dorëzimin e kërkesës për gjykim dhe këtë e përdori si argument edhe në gjykatën e Apelit duke konsideruar se akti i dy kolegëve të tij ishte absolutisht i pavlefshëm dhe se çështja duhej finalizuar për të dyja akuzat. Megjithatë gjyqtari paraprak i shkallës së parë me numër akti 237, datë 13 janar 2020, nga një akuzë që kërkonin të pushohej dy prokurorët Karanxha (i shkarkuar nga vettingu) dhe Tako, e konsideroi hetimin nul edhe për akuzën tjetër. Gjergj Tako (i pezulluar më vonë nga vettingu për paaftësi) e apeloi çështjen nën argumentin se gjykata e shkallës së parë gaboi kur nuk i konsideroi provat e parashtruara.
Çfarë thanë prokurorët në gjykatë?
“Parashtrimet e Lulzim Bashës në një emision publik televiziv datë 21.12.2017” janë trajtuar nga gjykata si deklarim. Këto qëndrime publike duheshin të trajtoheshin nga Gjykata në përputhje edhe me provat e tjera të depozituara nga Prokuroria. Në rastin konkret, kemi hedhje të dhënash jo në përputhje me realitetin në formularin përkatës, me qëllim për të fshehur lobimin e bërë nga një Kompani me administrator lidhur me aktivitet biznesi me shtetase ruse. – Të pandehurit kanë fshehur shumën 500 000 USD që është dhënë cash nga subjekti PD tek Kompania e huaj private për të bërë lobim në SHBA me qëllim zgjedhor në favor të këtij subjekti politik, duke qenë se zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin pas disa kohësh në qershor 2017. Të pandehurit nga këto lëvizje kanë shkelur nenin 23/1, paragrafi 4-t “Për Partitë politike” duke u shmangur edhe detyrimet tatimore, pasi kjo shumë e madhe nuk është deklaruar në asnjë organ të administratës publike duke përfshirë edhe KQZ-në. Gjykata ka gabuar kur shprehet se nuk mund të merret vendim mbi një provë të vetme, duke pranuar si të tillë depozitimet e Nikolas Muzin…… dhe meqë emisioni televiziv është konstatuar në mënyrë të gabuar si provë me ves, nuk e numëron si provë të dytë të lidhur fort me deklarimet e Muzin. Gjykata ka gabuar kur shprehet se formulari i PD për shpenzimet në KQZ nuk është nënshkruar nga Lulzim Basha, Arben Ristani duke mos vlerësuar se çdo vepër penale në bashkëpunim ka të ndara rolet e shtetasve ku jo të gjithë janë ekzekutorë faktik/fizik por edhe ideator, mbështetës, ndihmës – thotë prokurori Tako në kundërshtimet për seancën paraprake në Apel. Në fakt, Tako dhe Karanxha që u përjashtua nga hetimi në seancën paraprake ishin shumicë përballë prokurorit të tretë që këmbënguli se hetimet ishin të nxituara dhe ndaj kërkonte rikthimin e fashikullit pranë organit qëndror të akuzës.
Ish prokurori Hysenaj i thotë Apelit: “Gjykata jo vetëm me kërkesën e Prokurorit, por edhe kryesisht duhet të konstatonte pavlefshmërinë e akteve të cilat ishin dhe janë absolutisht të pavlefshme. Hetimet nuk janë zhvilluar të plota për të patur nga ana e prokurorëve të çështjes një vendimmarrje të bazuar në ligj. Referuar kërkesave të paraqitura nga ana e prokurorëve Karanxha – Tako, në të gjithë arsyetimin e tyre ngjajnë me një kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim pasi i konsiderojnë akuzat të provuara dhe në përfundim me një alogjizëm të shprehur, kërkojnë për njërën akuzë pushimin e saj dhe për tjetrën dërgimin për gjykim, ndërkohë që të dyja akuzat janë kumulative me njëra –tjetrën. Arsyetimi i përdorur nga prokurorët Karanxha – Tako dhe i pranuar nga Gjykata u jep vlera prevaluese thënieve të të pandehurit, duke i besuar ato si të vërteta, thënie që nuk konfirmohen me asnjë provë tjetër”.
Deklaratat e Bashës pas akuzës
A jeni njohur me vendimin për njoftim akuze? – e pyetën prokurorët shqiptarë të dosjes së “lobimit rus”, Lulzim Bashën atë kohë kryetar i Partisë Demokratike. I ulur, në 19 qershor 2019, në karrigen e të pandehurit, ai u pyet me këtë cilësi dhe u shpreh se e kupton procedurën dhe dëshiron të japë shpjegime pa praninë e mbrojtësit Ivi Kaso. Por megjithë gatishmërinë, Lulzim Basha kishte vetëm këtë përgjigje të shkurtër:
“Akuzën e kuptoj nga ana gjuhësore, por nuk e kuptoj nga ana logjike dhe ligjore dhe nuk e pranoj. Duke qenë se nuk keni asgjë të re që nga thirrja ime e fundit më datë 25 mars 2019, edhe unë nuk kam asgjë të re për të thënë. Kërkoj kopje të plotë të dosjes në vijim, të cilën t’ia dorëzoni të plotë siç ju detyron ligji sot, pa asnjë vonesë përfaqësuesit tim ligjor.” Në fakt akuzat që po njoftonin përfaqësuesit e akuzës shqiptare ishte vepra e falsifikimit të vulave, stampave. Së bashku me kryetarin e PD, në të njëjtën varkë me probleme ishin edhe ish sekretari i përgjithshëm Arben Ristani dhe shefi i financave të kësaj partie Ilir Dervishi që brenda pesë muajve nga dorëzimi i dosjes në të dyja gjykatat, morën fitoren.