Ardi Pulaj
Në një kohë kur Shqipëria e ka bërë të qartë pozicionin e saj properëndimor, si vend kandidat për në Bashkimin Europian dhe si një aleat i fuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndikimi i Kinës, edhe pse në formën e një “fuqie të butë”, është i pranishëm në Shqipëri, por edhe aty ku ka shqipfolës. Faktoje paraqet se si Kina po përdor edhe mësimin e gjuhës kineze për të shpërndarë propagandën e saj.
Kujtdo që ka nisur të mësojë një gjuhë të huaj, fjala “farsë” nuk është e para që i ka shkuar në mendje që ta fusë në fjalorin e ri. Më shumë përqëndrohemi te fjalët që do mundësonin një komunikim të thjeshtë dhe bazik. Por ky nuk është rasti kur vjen puna te kinezishtja.
Faqja në internet e Radios së Jashtme të Kinës (e njohur dhe si CRI Shqip), ka si një nga rubrikat e saj edhe mësimin e kinezishtes, por në nivelin e avancuar të saj. Më 4 gusht 2022, radio publikoi në internet mësimin e fjalës “farsë” (në kinezisht闹剧—[nào jù]). Zgjedhja e kësaj fjale nuk ishte e rastësishme. CRI Shqip mori shkas nga fakti që Kina zhvilloi një sërë manovrash të përbashkëta detare e ajrore rreth ishullit të Tajvanit, si reagim — si shkruan CRI Shqip—ndaj vizitës “farsë” të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit të Kinës, që konsiderohet si një veprim i pamatur dhe provokues. Një tekst i gjatë, shoqërohet edhe me versionin audio.
Qartësisht, qëllimi parësor i këtij teksti nuk ishte thjesht që publiku shqipfolës të mësonte se si të thoshte “farsë” në kinezisht, por më së shumti të përcillte qëndrimin zyrtar të Pekinit ndaj vizitës së politikanes së lartë amerikane në Tajvan.
Sa për kontekst, Kina e sheh Tajvanin si një provincë të sajën, të shkëputur, që një ditë përfundimisht do të jetë sërish nën kontrollin e Pekinit. Megjithatë, ishulli i vetëqeverisur e sheh veten si të ndryshëm nga pjesa kontinentale, me kushtetutën e vet dhe udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike. Presidenti i Kinës Xi Jinping ka thënë se “ribashkimi” me Tajvanin “duhet të përmbushet” – dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e mundshëm të forcës për ta arritur këtë, shkruan BBC.
Në pjesët e tekstit ku përmendet fjala “farsë” që dëgjuesit e lexuesit shqipfolës duhet të mësojnë në kinezisht, si qëllimi i rubrikës, përcillet edhe ky mesazh: “Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi e cilësoi vizitën e Pelosit si ‘plotësisht një farsë’ dhe paralajmëroi që ShBA-ja po shkel sovranitetin e Kinës nën petkun e ‘demokracisë’”.
Në të gjithë tekstin, që i lexuar në versionin audio është mbi gjashtë minuta, fjala “farsë” përmendet vetëm tre herë gjithsej, shumë herë më pak nga mesazhet propogandistike që Kina do të përcjellë te audienca shqipfolëse.
Gazetari Leftioni Peristere, i cili më herët ka punuar për Radion e Jashtme të Kinës në Pekin, thotë për Faktoje se kjo lloj propagande, e maskuar edhe me mësimin e gjuhës vjen pasi
Kina do vendin e saj në boten e globalizuar.
“Ajo kërkon të ngrihet në nivelin e fuqive të tjera botërore. Mësimi i gjuhës kineze vjen në sfondin e përdorimit të fuqisë së butë. Kjo për të treguar që Kina, pavarësisht se nje shtet jo demokratik, ka gjuhë të vjetër e kulturë të pasur. Është gjetur si një mënyrë që propaganda të zerë vendin e saj edhe në rubrika që në dukje kur i sheh në internet thonë ‘Mësimi i kinezishtes’ dhe të arrijë pikërisht edhe te audienca që do t’i qëndrojë larg politikës në përgjithësi,” thotë Peristere.
Nga Pekini në Tiranë
Një pjesë e rëndësishme e mënyrës së komunikimit dhe ndikimit të Radios së Jashtme të Kinës te publiku shqiptar, përveç përcjelljes së mesazheve politike, është edhe evidentimi i miqësisë mes dy popujve dhe lidhjet e ngushta historike, nëpërmjet tregimeve të kinezëve që kanë punuar ose vizituar Shqipërinë dhe shqiptarëve në Kinë. Me përparimin e teknologjisë dhe avancimin e mënyrave të komunikimit, Kina është e pranishme edhe në rrjetet sociale si Facebook, Twitter e Instagram, media sociale të cilat janë të ndaluara zyrtarisht brenda territorit kinez. Përveç zhvillimit të faqes së internetit dhe transmetimit në FM, Radio e Jashtme e Kinës, seksioni shqip, i ka kushtuar vëmendje pikëtisht pranisë së saj në rrjetet sociale.
Faqja zyrtare e CRI Shqip në Facebook, Radio Ejani, e etiketuar nga rrjeti social si media e kontrolluar nga shteti kinez, ofron për audiencën shqipfolëse, një përmbajtje nga politika, ekonomia, turizmi, zhvillimet ndërkombëtare nga pikëpamja kineze, zakonet dhe kultura, zhvillimi dhe shndërrimi në vite i metropoleve kineze, mjekësia tradicionale kineze, apo edhe pandat e famshme të rajonit të Sichuanit, pjesë këto te ndikimit nëpërmjet fuqisë së butë.
Foto e marrë nga postimi në faqen e Radio Ejani në Facebook
Por a e ka arritur Kina synimin e saj propagandistik ndaj audiencës shqipfolëse dhe si ka ndikuar te ajo? Gazetari Leftioni Peristere analizon për Faktoje:
“Kam hasur shpesh komentet e lexuesve në lajmet që shpërndahen në Facebook. Kryesisht janë pozitive dhe që merren me fasadën, për shembull: ‘Sa bukur është ndërtuar një rrugë në rajonin e Xinjiang-ut dhe propaganda ka bërë efektin e saj, sepse anashkalohet internimi i mbi 1.5 milionë myslimanëve ujgurë,” thotë Peristere.
Një tjetër formë ndikimi te publiku, janë edhe kurset e gjuhës kineze nga Institutet Konfuci,
Para pak kohësh, shumica e tyre u mbyllën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi u emërtuan si “mision i huaj” nga Departamenti i Shtetit. Raste të mbylljeve të tyre janë shënuar dhe në Europë, mes akuzave për censurë dhe spiunazh.
“Kurset e gjuhës kineze kanë njohur rritje të vazhdueshme. Kjo tregon se Kina ka arritur ta projektojë veten si fuqi në rritje. Ka pasur deklarata në të shkuarën se studentëve të huaj të kinezishtes, gjithashtu u mësohet për sistemin politik të Kinës, të cilin Pekini e quan demokraci me karakteristika kineze. Këtu rëndësi ka përmendja e fjalës demokraci dhe ngulitja e idesë se vendet nuk duhet medoemos të kenë të njëjtin sistem qeverisjeje. Apo anashkalimi i diskutimeve për Tibetin, apo tema të tjera. Këtu anashkalohet tërësisht për shembull, shtypja e të drejtave të njeriut. Pra, është një kurrikul e strukturuar posaçërisht dhe që është pjesë e narrativës që Pekini do të përcjellë si ‘fuqi të butë’ edhe nëpërmjet kurseve të gjuhës kineze,” thotë gazetari Peristere për Faktoje.