Ina Allkanjari

Bombardimet dhe pasojat e sulmeve në Ukrainë në jetë njerëzish dhe objekte civile, janë mohuar zyrtarisht nga Rusia. Kështu ndodhi edhe pas shkatërrimit të konsullatës shqiptare në Kharkiv, për të cilën Ministria e Jashtme shqiptare akuzoi Rusinë. Kjo e fundit akuzoi MEPJ se po shpërndan lajme dizinformuese, në një kohë që Putin pritet të dekretojë ashpërsimin e ligjit për shpërndarjen e të ashtuqujturave “informacione të qëllimshme të rreme” lidhur me operacionet e forcave të armatosura ruse jashtë vendit.

———————————–

“Shqipëria dënon ashpër agresionin rus që solli shkatërrimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi!”. Kështu deklaroi në datën 7 mars Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë përmes një postimi në Twitter. Bashkëngjitur njoftimit, Ministria e Jashtme shpërndau edhe fotot e ndërtesës së shkatërruar në Ukrainë.

Screenshot, publikimi në Twitter i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë datë 7.03.2022

10 ditë pas reagimit të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë e cila dënoi agresionin rus, më 17 Mars reagoi Ministria e Jashtme e Rusisë, duke mohuar sulmin ndaj konsullatës Shqiptare në Kharkiv.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dënoi sulmet gjoja të kryera nga forcat ruse më 6 mars, si pasojë e të cilave u dëmtuan ambientet e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv.

Ne refuzojmë me vendosmëri akuza të tilla. Që nga fillimi i operacionit special në Ukrainë kemi deklaruar se Forcat e Armatosura të Rusisë nuk qëllojnë objektet e infrastrukturës civile, synojnë të përjashtojnë humbjen e jetëve në mesin e popullatës civile. Ne kërkojmë informimin e vërtetë të publikut”- u shpreh në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova.

Nisur nga kjo situatë, Faktoje vendosi t’i drejtohet zyrtarisht Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri dhe Konsullatës së Shqipërisë në Ukrainë, ku kërkuam informacion se si qëndron e vërteta pas sulmit të Konsullatës Shqiptare.

Screenshot, pyetja drejtuar Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri dhe Konsullatës së Shqipërisë në Ukrainë datë 21.03.2022

Në përgjigjen e ardhur për Faktoje nga Ambasada e Ukrainës në Shqipëri, kjo e fundit konfirmon vetëm faktin se Konsullata e Nderit është shkatërruar plotësisht.

Screenshot, përgjigja e Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri, datë 21.03.2022

Pas përgjigjes nga Ambasada e Ukrainës në Shqipëri, Faktoje iu drejtua zëvendësministrit të Punëve Sociale dhe Teknologjisë së Ukrainës, Kostiantyn Koshelenko.

Në përgjigjen e tij për Faktoje, Zv. Ministri shkruan se Konsullata e Nderit të Shqipërisë në Kharkov u shkatërrua nga Rusia.

“Pushtuesit rusë shkatërruan konsullatën e nderit të Shqipërisë në Kharkiv, si dhe shumë ndërtesa të tjera administrative dhe rezidenciale, si dhe një spital”- shkruan Koshelenko për Faktoje.

Screenshot, komunikimi me zëvendësministrin e Punëve Sociale dhe Teknologjisë së Ukrainës, Kostiantyn Koshelenko, datë 24.03.2022

Kujtojmë se pas reagimit të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, e cila mohoi sulmin ndaj konsullatës Shqiptare në Kharkiv, në 17 mars reagoi sërish Ministria e Jashtme Shqiptare. Në një tjetwr postim në Twitter, Ministria e Jashtme Shqiptare dënoi ashpër deklaratën e Rusisë e cila mohoi se ka bombarduar Konsullatën e Nderit të Shqipërisë në Kharkiv.

Në publikim e bërë, Ministria e Jashtme Shqiptare shtoi se sulmi ndaj kësaj Konsullate është një shkelje flagrante e Konventës për Marrëdhëniet Konsullore, por po aq e rëndë sipas saj është edhe dizinformimi dhe shpërndarja e lajmeve të rreme.

“Shqipëria dënon përdorimin e lajmeve të rreme nga Rusia për të mohuar bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Pamjet e shembjes flasin vetë. Ky shkatërrim i ambienteve si dhe i dokumenteve në arkiva është një shkelje flagrante e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Dezinformimi dhe lajmet e rreme për këtë sulm janë të papranueshme”- thuhet në njoftim.

Screenshot, publikimi në Tëitter i Ministrisë së Jashtme

Më 22 Mars në Rusi u miratua një ligj që kriminalizon shpërndarjen “e informatave të rreme” lidhur me operacionet e entiteteve të shtetit, përfshirë edhe të ambasadave jashtë vendit.

Ligji i miratuar zgjeroi ligjin e mëhershëm që konsideronte vepër penale shpërndarjen “e informacioneve të qëllimshme të rreme” lidhur me operacionet e forcave të armatosura ruse jashtë vendit.

Ligji i ri parasheh dënim deri me 15 vjet burgim për ata që gjenden fajtorë për shpërndarjen e “informacioneve të rreme” lidhur me operacionet e misioneve diplomatike ruse jashtë vendit, prokurorët, Gardën Kombëtare ruse, Ministrinë e Emergjencave dhe për trupa të tjerë shtetëror.

Ky legjislacion pritet të miratohet nga Dhoma e Lartë e Parlamentit dhe më pas nga presidenti rus, Vladimir Putin. Ky legjislacion do të shtohet si klauzolë në ligjin e mëparshëm, që është nënshkruar më 5 mars nga Putini.