Teksa Shqipëria përgatitej për një nga momentet e shumëpritura në rrugëtimin e saj evropian, konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, vendi ra pre e një sulmi kibernetik që paralizoi shërbimet online të shtetit shqiptar. Shqipëria, është vendi i radhës në rajonin e Ballkanit Perëndimor që sulmohet në këtë mënyrë, pas Kosovës disa muaj më parë dhe shteteve të tjera gjatë viteve të fundit. Sulmet kibernetike, në ditët e sotme, janë një mënyrë që përdoren nga vende jo-mike, për të shkaktuar probleme në funksionimin e sistemeve. Faktoje, sjell atë që ndodhi, reagimet dhe rastet e mëparshme në rajon.
—
Kryeministri Edi Rama shkoi në Bruksel për konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në që u mbajt më 19 korrik në një kohë që faqet dhe shërbimet e institucioneve publike ishin pre e një sulmi kibernetik, që sipas Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit nisi pasditen e së premtes së 15 korrikut. I pyetur në Bruksel se nëse pas sulmit fshihet Rusia, Rama tha se nuk mund të thoshte nëse ishte apo jo Rusia pjesë e kësaj loje.
Sulmi u komentua dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell.
“Qeveria shqiptare u shënjestrua nga një sulm i madh kibernetik. Pamë një veprim për t’u përballur me këtë rrezik në të gjithë Ballkanin Perëndimor me partnerët tanë, veçanërisht me ata që janë shumë afër nesh në çështjet e politikës së jashtme,” tha Borrel.
Pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Rama deklaroi në një konferencë për shtyp më 21 korrik se dyshime të forta bien mbi dy shtete, por pa i përmendur ato me emra.
“Nuk kemi ende të gjitha provat për të përcaktuar një prej dy shteteve fortësisht të dyshuara, shpresoj se do ta bëjmë në vijim, kjo është pjesa më delikate e investigimit,” u shpreh Rama që saktësoi se sulmi është zbrapsur përfundimisht dhe ndërkohë, shërbimet për publikun të platformës e-Albania janë rikthyer masivisht.
Ekspert i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj thotë për Faktoje se siç e ka konfirmuar qeveria, por dhe nga faktorët ndërkombëtare ky është një sulm i mirëorganizuar dhe mirësponsorizuar nga një shtet dashakeq ndaj Shqipërisë.
“Patjetër që hapat drejt integrimit europian dhe të qënit pjesë e NATO-s është një nga shkaqet kryesore”, thotë ai.
Sipas Semanajt, arsyeja kryesore e këtyre sulmeve kibernetike është nxjerrja jashtë shërbimit të infrastukturave kritike dhe përhapja e panikut. Një arsye tjetër është grabitja e të dhënave sensitive dhe përdorimi i tyre në të ardhmen.
“Çdo sulm ka një kosto financiare, bazuar në zhvillimet e fundit në botë mund të themi që pas këtyre sulmeve janë shtetet dhe fuqitë që janë kundër demokracisë dhe zhvillimit të Perëndimit,” thotë eskperti i siguisë kibernetike Besmir Semanaj për Faktoje.
Jo vetëm Shqipëria pre e sulmeve kibernetike
Vendet e Ballkanit Perëndimor në të shkuarën janë sulmuar nga hakerat, që janë përpjekur të pezullojnë punën online të institucioneve publike. Më 26 shkurt Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës njoftoi se ndodhi një sulm “phishing” me përmasa më të mëdha, por që nuk bllokoi informacionet apo të dhënat. Më saktësisht, punonjësit e institucioneve kanë marrë një email që dukej si zyrtar për të klikuar mbi një link. Pasi e kanë klikuar, hakerët mund të kishin akses në email.
Edhe pse në këto dy vitet e fundit, Maqedonia e Veriut ka pasur disa raste sporadike të sulmeve kibernetike, ajo që mbahet mend nga ky shtet është sulmi (DDoS) i 15 korrikut 2020. Ishte ditë zgjedhjesh dhe qytetarët prisnin rezultatet. Faqja zyrtare në internet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, sipas raportimit të Lajmpress, menjëherë pasi u mbyllën qendrat e votimit, u bllokua. Fillimisht u mendua se ishte një problem i vogël teknik, por rezultatet e zgjedhjeve nuk u gjetën askund në faqen e internetit, ndërsa komisioni u detyrua të njoftojë manualisht përditësimet më të fundit në një kanal të improvizuar në YouTube.
“Duhet të kuptojmë që në ditët e sotme, sulmet kibernetike janë bërë diçka normale që na duhet të jetojmë me to çdo ditë. Jo vetëm Kosova dhe Shqipëria, por një pjese e madhe e shteteve janë nën sulme kibernetike. Arsyet mund të jenë që nga ato politike dhe shantazhuese deri tek përfitimi monetar,” shprehet eksperti i sigurisë kibernetike Besmir Semanaj.
BE merr masa për sigurinë kibernetike edhe në Ballkanin Perëndimor
“Lufta e Rusisë në Ukrainë është shoqëruar me një rritje të konsiderueshme të sulmeve kibernetike me qëllim malinj në të gjithë botën që rrezikojnë përshkallëzimin e mundshëm të tensioneve,’ tha në një deklaratë më 19 korrik Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së.
Ai sqaroi se sulmet ndaj disa shteteve anëtare të BE-së të pretenduara nga grupet e hakerëve pro-ruse ishin “një shembull tjetër i panoramës së tensionuar dhe në rritje të kërcënimit kibernetik”. Ai tha se një numër “shqetësues” i hakerëve kanë synuar pa dallim entitete në mbarë botën.
Në maj të këtij viti, vendet e BE-së ranë dakord për rregulla më të ashpra të sigurisë kibernetike për kompanitë e mëdha të energjisë, transportit dhe ato financiare, ofruesit dixhitalë dhe prodhuesit e pajisjeve mjekësore, mes shqetësimeve rreth sulmeve kibernetike nga aktorë shtetërorë dhe lojtarë të tjerë keqdashës.
“Kërcënimet kibernetike janë bërë më të guximshme dhe më komplekse. Ishte e domosdoshme të përshtatsm kuadrin tonë të sigurisë me realitetet e reja dhe të sigurohemi që qytetarët dhe infrastrukturat tona të mbrohen,” tha në një deklaratë shefi i industrisë së BE-së, Thierry Breton.
Gjatë viteve të fundit, Ballkani Perëndimor ka bërë përpjekje të konsiderueshme në forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike të rajonit, thotë EU Cybernet, një projekt i financuar nga BE. Strategjia e Brukselit për Sigurinë Kibernetike për Dekadën Dixhitale (2020) thotë se Ballkani Perëndimor është një zonë fokusi për ndërtimin e kapaciteteve kibernetike të BE-së. Ashtu si palët e tjera të interesit, shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së kanë krijuar shumë projekte të suksesshme, megjithatë, do të kishte më shumë përfitim nga një koordinim dhe shkëmbim më i mirë informacioni.
Në Forumin e Sigurisë Dixhitale të Ballkanit Perëndimor të zhvilluar në qershor në Talin të Estonisë u theksua se besimi në transformimin dixhital dhe shërbimet elektronike është ndërtuar tërësisht mbi sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave. Meqenëse kërcënimet kibernetike, nga natyra, rrallë prekin vetëm një organizatë në të njëjtën kohë, parandalimi dhe reagimi ndaj incidenteve kibernetike bëhen të vështira nëse nuk ka ekipe të dedikuara, të pajisur me mjete dhe procese të përshtatshme.