Për më shumë se dy dekada, Kosova ka qenë një çështje që i ka përplasur Perëndimin dhe Rusinë. Gjatë viteve të 90-ta, Rusia hapur ka qenë në mbështetje të Serbisë edhe përkundër faktit që shteti serb ka nisur dhe kryer disa luftëra në Ballkan, përfshirë edhe luftën e fundit në Kosovë. Intervenimi ushtarak humanitar i NATO-së në Serbi dhe Mal të Zi në vitin 1999 qe çarja më e madhe ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë. Që atëherë, Rusia nuk ka reshtur së qeni kundërshtare e zhvillimeve në Kosovë, e sidomos qëkur Kosova shpalli pavarësinë. Bllokimi i çfarëdo iniciative në Këshillin e Sigurimit, (ku Rusia është anëtare e përhershme) për ndryshimin e rezolutës 1244 është dëshmia më e qartë për qëndrimin kundërshtues të shtetit rus ndaj Kosovës. Shto këtu edhe iniciativat për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si në: Këshillin e Evropës, Interpol, UNESCO e të tjera, e kanë betonuar pozicionin rus ndaj Kosovës.
Vetëm pak ditë para sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, presidenti Putin, gjatë një konference të përbashkët me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Kremlin, risolli ndërhyrjen e NATO-së ndaj Jugosllavisë në vitin 1999, duke u përpjekur që të arsyetonte sulmin ndaj Ukrainës.
Përveç justifikimit të pushtimit të Ukrainës, zyrtarët rusë prej Putinit e deri tek ministri i jashtëm Lavrov deklaruan se mercenarë nga Kosova po luftojnë në Ukrainë. Ato u përhapën gjerësisht në mediat që kontrollohen prej shtetit rus e të cilat kanë shtrirje të papenguar edhe në Kosovë. Institucionet e Kosovës shtuan vigjilencën në fushën e sigurisë dhe vendosën sanksione ndaj Rusisë të cilat prekën pjesërisht edhe sferën e informimit, me bllokimin e disa kanaleve ruse. Përveç kësaj u dha alarmi se pushtimi rus në Ukrainë mund ta cenojë sigurinë e Kosovës, veçmas në pjesën veriore ku mungon shtrirja e plotë e sovranitetit.
Lufta në Ukrainë rindezi betejën diplomatike dhe akuzat e ndërsjella Kosovë-Serbi. Ato u manifestuan kryesisht nëpër rrjetet sociale ku nuk munguan as lajmet e rreme.
Dezinformatat dhe akuzat për mercenarët nga Kosova
Kosova nuk ishte imune ndaj luftës hibride të Rusisë pasi kjo e fundit nisi sulmin në shkallë të gjerë mbi Ukrainën. Rikthimi kohë pas kohe i tensioneve ka bërë që Kosova të konsiderohet vend me potencial destabilizimi për shkak të raporteve jo të mira fqinjësore me Serbinë. Kësisoj, Kosova ishte cak i deklaratave të zyrtarëve të lartë rusë, siç ishte ajo e ministrit të jashtëm Sergei Lavrov, i cili deklaroi se Kosova po rekruton njerëz për t’i përfshirë në luftën e Ukrainës. Në një intervistë për televizionin “Russia Today”, Lavrov tha se ka informacione që shtetet e Ballkanit Perëndimor janë duke “rekrutuar mercenarë për konflikte ushtarake të nxitura nga ShBA-ja”. Ndërkaq Agjencia e Lajmeve Ruse (Tass) e ka cituar Lavrovin të ketë thënë se: “Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po shndërrohen në terren pjellor të kriminalitetit. Aty ka terroristë dhe shpërndarës droge”.
Deklaratat e vartësit i përforcoi Putini pas bisedës me kancelarin gjerman Olaf Scholz, kur tha se në Ukrainë po shkon duke u shtuar numri “i mercenarëve nga Kosova”. “Rusia po regjistron numër në rritje të mercenarëve nga vendet e treta, në veçanti nga Shqipëria dhe Kroacia, militantë nga Kosova e madje xhihadistë me përvojë lufte nga Siria”, shkruhet në komunikatën e Kremlinit.
Megjithatë, këto pretendime u demantuan nga institucionet e Kosovës si dezinformata të politikanëve rusë. Ministria e Punëve të Jashtme ka rikujtuar se qytetarët e Kosovës e kanë të ndaluar me ligj pjesëmarrjen në luftëra jashtë vendit, ligj i cili parasheh dënime të rrepta për pjesëmarrje në luftëra të huaja. Ndërkaq lajmet që vijnë nga Rusia MPJ-ja i ka cilësuar fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor që për qëllim kanë tensionimin e situatës nëpërmjet Serbisë. “Deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane. Kjo fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
Në përpjekje për ta akuzuar NATO-n, mediat si Russia Today, Sputnik dhe Agjencia Shtetërore e Lajmeve TASS kanë transmetuar deklaratat e Putinit dhe Lavrovit që akuzojnë aleancën-veriatlantike për bombardimet mbi Serbinë gjatë viteve 98-99. Sipas Lavrovit, Rusia e ka të vështirë të besojë se NATO është thjesht aleancë mbrojtëse, “duke marrë parasysh fushatën e saj të bombardimeve në ish-Jugosllavi në vitin 1999”. Lavrovi tha se fushata e bombardimeve nuk i ka sjellë prosperitet Kosovës. Komentet i bëri teksa foli për takimin mes kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit rus Vladimir Putin më 15 shkurt.
Ndërkaq në një konferencë të përbashkët me homologun polak Zbignier Rau, Lavrovi tha se shpreson që shtetet të cilat kanë dashur të tërhiqen nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim e Evropës (OSBE) kanë arsye të forta, që mos “të përsëritet përvoja e keqe e vitit 1999”. Me këtë, Lavrov i është referuar masakrës së Reçakut të cilën njësoj sikurse zyrtarët e Serbisë e ka quajtur trillim.
Bllokohen përkohësisht kanalet ruse
Me qëllim të mospërhapjes së dezinformatave, Komisioni i Pavarur i Mediave i largoi përkohësisht nga transmetimi kanalet me origjinë nga Federata Ruse.
Sipas njoftimit të KPM-së, vendimi u mor për ta ndalur propagandën ruse dhe për ta mbrojtur sigurinë publike të Kosovës. Megjithëse KPM-ja nuk i ka specifikuar kanalet që preken nga vendimi është raportuar se ato janë: Russia Today (RT), Russia 24 edhe Planeta RTR.
Kanalet ruse janë transmetuar nga operatori MTS, që është funksional në komunat me shumicë serbe në veri.
Kjo kompani është themeluar në vitin 2015 në bazë të një marrëveshjeje midis Kosovës e Serbisë.
Kanalet ruse janë transmetuar edhe nga operatorët lokalë, si p.sh. Platforma TELKOSI me dy kanale ruse, por të cilat i ka larguar para vendimit të KPM-së.
Sido që të jetë, ky vendim nuk është shtrirë në platformat online dhe në rrjetet sociale. Prej tyre të qasshme vazhdojnë të jenë ueb-faqe në pronësi të shtetit rus, sikurse Russia Today dhe Sputnik. Pas agresionit rus në Ukrainë janë shpërndarë artikuj e lajme të shumta që kanë bërë analogji mes luftës në Kosovë në vitin 1999 dhe zhvillimeve në Ukrainë. Në njërin prej tyre, kritika ndaj pushtimit të një shteti tjetër nga Rusia është cilësuar si hipokrite, meqë sipas tyre, të njëjtën gjë e kishte bërë edhe NATO-ja kur bombardoi ish-Jugosllavinë.
Kontrolli i hapësirës online në Kosovë është kompetencë e Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Teknikisht ka mundësi që përmes operatorëve të internetit (ISP) të bllokojë ueb-faqet e internetit të Rusisë për të mos u hapur brenda territorit të Kosovës. Por që kjo të bëhet duhet të adresohet kërkesë zyrtare nga qeveria për mbylljen e faqeve me prejardhje nga Rusia. Sipas zyrtarëve të këtij autoriteti, deri në tani nuk është kërkuar marrja e vendimit.
Edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ua ka tërhequr vërejtjen përgjegjësve të mediave që të jenë sa më të kujdesshëm gjatë raportimit për luftën në Ukrainë.
Sanksionet e qeverisë
Qeveria e Kosovës në sinkron me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vendosi sanksione ndaj Rusisë. Sanksionet konsistojnë në ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara; ndalim udhëtimi në territorin e Republikës së Kosovës për individët e sanksionuar; ndalim për individë dhe entitete në Republikën e Kosovës, që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte, për individët dhe entitetet e sanksionuara.
Edhe Kuvendi i Kosovës debatoi për krizën në Ukrainë dhe në fund miratoi një rezolutë me 12 pika.
Përveç dënimi të agresionit rus ndaj Ukrainës, Kuvendi e kundërshtoi qasjen dhe sjelljen e vendeve të rreshtuara krah agresionit dhe terrorit rus ndaj Ukrainës, nisur nga fqinji verior- Serbia.
Kuvendi i kërkoi Qeverisë që, krahas gatishmërisë për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas të koordinojë të gjitha veprimet e mëtutjeshme me partnerët ndërkombëtarë, si dhe të shprehë gatishmërinë për strehimin eventual të deri 5 mijë refugjatëve nga Ukraina. U kërkua edhe krijimi i një fondi të veçantë për ndihmë popullit ukrainas, sipas koordinimit ndërmjet të dy qeverive respektive, Kosovë – Ukrainë.
Situata në Ukrainë ka rikthyer në agjendë edhe kërkesat e Kosovës për anëtarësime në organizata ndërkombëtare, të cilat prej më shumë se një viti ishin pezulluar. Kosova kishte vazhduar ta zbatojë në heshtje moratoriumin duke mos e deponuar asnjë aplikim. Në prag të skadimit të moratoriumit, SHBA-të kishin inkurajuar palët që ta vazhdojnë atë për t’i dhënë shans dialogut me Serbinë me synim arritjen e një marrëveshjeje finale.
Marrëveshja e 4 shtatorit 2020, e arritur në Uashington. Ajo parashihte që deri më 4 shtator 2021 Kosova të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe Serbia ta ndalë fushatën për anulimin e njohjeve të Kosovës.
Tani, Kuvendi i ka kërkuar qeverisë t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim në NATO, Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Kuvendi ka udhëzuar edhe kryetarin e Kuvendit që, në koordinim me qeverinë dhe partnerët ndërkombëtarë, t’u drejtohet institucioneve më të larta shtetërore të Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros, me kërkesën për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Janë ftuar edhe fqinjët, gjithashtu. “Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh aspiratat tona të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe konsolidimin e demokracisë dhe sigurisë në rajon, fton Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Parlamentin e Republikës së Malit të Zi, Parlamentin e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës të bashkohen në këtë nismë dhe të shprehen në mbështetje”, përfundon rezoluta. Rezoluta nuk u votua nga deputetët e Listës Serbe, të cilët lëshuan sallën kur dokumenti u hodh në votim.
Në mbështetje të Ukrainës, disa organizata të shoqërisë civile mbajtën edhe një marsh ku u dënua agresioni i Rusisë. Protestës solidarizuese iu bashkua presidentja Vjosa Osmani ku tha se lufta në Ukrainë rikthen në vëmendje ato që kishte përjetuar Kosova në vitet 1998-1999.
Rikthimi i tensioneve
Në kulmin e krizës në Ukrainë dhe paralajmërimeve se një skenar i tillë mund të përsëritet edhe në veriun e Kosovës, është kërkuar prezencë e shtuar e KFOR-it në këtë pjesë. Kjo forcë aktualisht kujdeset për kufijtë e Kosovës. Pjesëtarë të kontingjentit amerikan kanë patrulluar në vijën kufitare administrative të Kosovës dhe Serbisë afër fshatit Jarinje. Kjo është njoftuar nga KFOR-i, që tha se patrullimet duhen për mbledhjen e informacioneve për marrjen e vendimeve dhe planifikimin e misioneve të ardhshme.
Përveç prezencës së KFOR-it, zyrtarë të Kosovës propozuan edhe ndërtimin e një bazë të përhershme amerikane në Kosovë.
Një fushatë e gjerë në media dhe rrjete sociale ka nisur për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Kosova që prej shpalljes së pavarësisë ka shprehur synimin e pa alternativë për tu anëtarësuar në këtë aleancë. Fushata #KosovoinNATO që nisi nga Ministri i Mbrojtjtjes Armend Mehaj në rrjetet sociale është shpërndarë me mijëra herë.
Sidoqoftë, NATO-ja ende nuk ia njeh FSK-së mandatin e ndryshuar në vitin 2018 nga Forcë e Sigurisë në Ushtri. Kështu, dislokimi i FSK-së në veri mund të bëhet vetëm me lejen e posaçme të Komandantit të KFOR-it. Lidhur me këtë, nuk kanë munguar as lajmet e rreme se qeveria mund ta dërgojë FSK-në madje edhe në Ukrainë. Portali news308media.com ka publikuar një lajm me titullin pretendues se kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka dërguar Ushtrinë e Kosovës në Ukrainë në konfliktin me Rusinë. Lajmi i datës 3 mars 2022 me titull: “E gjithë bota po flet për të, Albin Kurti dërgon Ushtrinë e Kosovës në luftë kundër Rusisë”, u publikua nga portali news308media. Por përmbajta e tekstit nuk përkon me titullin dhe data e publikimit ka qenë para luftës në Ukrainë, më 9 dhjetor 2021. Aty përmendet një deklaratë e kryeministrit Kurti, i cili kishte shprehur gatishmëri që FSK-ja të dërgohet në Ukrainë, në rast se kërkohet nga NATO-ja. “Së pari, uroj që të mos ketë konflikte të reja, edhe unë jam duke e përcjellur me vëmendje deri në orët e vona se çfarë po ndodhë në kufirin midis Ukrainës dhe Federatës Ruse dhe ka një alarmime dhe të NATO-s, në veçanti të Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për këtë gjë, dhe çkado që NATO-ja e parasheh të nevojshme ne natyrisht që jemi të gatshëm”, kishte thënë Kurti.
Gjatë shkurtit qeveria po ashtu morri vendim për hapjen e Fondit të Sigurisë me qëllim forcimin e ushtrisë. Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore që pritet të miratohet nga Qeveria e Kosovës. Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria.
Veriu i Kosovës që popullohet me shumicë serbe vazhdon të jetë i ndjeshëm ndaj përpjekjeve të Prishtinës për ta forcuar kontrollin në atë pjesë. Edhe aksionet e ndërmarra për luftimin e kontrabandës kanë hasur në rezistencë.
Përshkallëzimi i situatës në Ukrainë, pas sulmit rus, ka rritur vigjilencën e mekanizmave të sigurisë.
Policia e Kosovës dërgoi pajisje logjistike dhe kontejnerë në pikën kufitare në Bërnjak, e cila vitin e kaluar ishte mbyllur për disa ditë pas vënies së barrikadave nga serbët. Kontrollet janë shtuar edhe nëpër rrugët malore që Serbia i ka shfrytëzuar për kontrabandë me veriun.
Ky veprim i policisë nga zyrtarët serbë u interpretua si përpjekje për të nxitur tensione në veri. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia nuk do ta “pranojë lojën e provokimeve”.
Edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se aksioni policor në veri të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit dhe se përbën “provokim të rrezikshëm” dhe destabilizim të gjendjes në terren. Madje kreu i kësaj zyre, Petar Petkoviq, akuzoi politikanët e Kosovës se duan ta prishin paqen në Ballkan, të cilën presidenti serb do ta ruajë me çdo kusht.
Arrestimi i serbëve me emblemat e UÇK-së
Dyshimet se po përgatitet plan për nxitjen e tensioneve në veri, sipas skenarit rus, çuan në ndalimin e pesë personave nga Policia e Kosovës. Aksionit i parapriu një raportim i Kosovapressit se të arrestuarit planifikonin realizimin e një videoje kinse disa ushtarë me uniforma të UÇK-së, janë gati për ta pushtuar veriun e Kosovës. Sipas raportimit, Serbia përmes kësaj taktike po planifikon të japë pretekst para ndërkombëtarëve për të ndërhyrë ushtarakisht në emër të mbrojtjes së serbëve në Kosovë. Megjithëse nuk u treguan arsyet e arrestimit, në njoftimin e policisë thuhet se ndaj tyre janë duke u bërë verifikimet e nevojshme, në koordinim me Prokurorinë Speciale.
Mirëpo, pa u mbushur 48 orë të njëjtit u liruan në procedurë të rregullt. Sipas prokurorit të rastit, nuk kishte prova për procedimin e tyre në Gjykatë.
Ky zhvillim shpërfaqi kundërthëniet mes pjesës politike dhe asaj të sigurisë. Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu thirri një konferencë për media, prej ku tha se neglizhenca e prokurorisë përbën injorim të rrezikut ndaj cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Sipas ministres, institucionet e sigurisë kanë informacione se të paktën njëri nga personat e shoqëruar në polici ka komunikime të shumta me persona nga Federata Ruse dhe strukturat e shërbimit serb të inteligjencës , “duke rritur dyshimet se personat në fjalë bashkë me struktura të Serbisë po përgatisin ndonjë aktivitet që do të cenonte sigurinë dhe nxiste tensionet ndëretnike”.
Nuk kanë munguar as deklaratat paralajmëruese nga udhëheqësit e shtetit se mund të ketë një agresion të Serbisë mbi Kosovën. Madje sipas kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca kujdesi duhet shtuar për fakti se relacioni shtetëror me Serbinë është më i keq se i Federatës Ruse me Ukrainën.
Në anën tjetër, aktivë ishin edhe zyrtarët serbë që alarmuan për rrezikun që u kanoset serbëve të Kosovës. Si pretekst u morën disa grafite me mbishkrimin “UQK” të vendosura nëpër shtëpitë e serbëve. Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq postoi në Twitter duke e pyetur raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian nëse është në dijeni se “se serbët në Kosovë dhe Metohi ende zgjohen nga kërcënimet e UÇK-së terroriste?”. Zyrtari nxori konkluza pavarësisht se organet e rendit nuk kanë identifikuar autorët e grafiteve dhe arsyet e vendosjes. Vetë banorët e komunitetit serb thanë se nuk dinë kush i ka shkruar ato.
Në fund mund të konstatojmë që gjatë kësaj periudhe dy-javore është krijuar një bindje e përgjithshme që nëse lufta në Ukrainë do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë, do të shohim më shumë tendenca për të dezinformuar opinionin publik dhe për të krijuar situata që do të cenonin sigurinë publike në Kosovë.
*Autori i këtij shkrimi është Fitim Gashi.
Kontribues të tjerë janë Demira Krujezi, Petrit Zogaj dhe Bardhi Bakija.