Para, gjatë dhe pas zgjedhjeve parlamentare/presidenciale që u mbajtën në Serbi më 3 prill, uebfaqe online pa impresum kanë vazhduar të perhapin dezinformata që ndërlidhen me sigurinë në Kosovë, e ku garantues i saj është Misioni i NATO-s. Njëra prej këtyre uebfaqeve ka publikuar lajmin ku thuhet se situata është alarmante dhe se Kosova duhet të ketë kujdes, pasi që ushtria e Serbisë mund ta pushtojë për disa orë.
Faqja në Facebook “Mollaekuqe” që ka mbi 39 mijë ndjekës e ka shpërndarë këtë dezinformatë më 1 maj, duke e paraqitur rrejshëm si lajm aktual. Mirëpo, ky link dërgon tek një faqe krejt tjetër, Trendonline.com, e cila e ka shpërndarë po të njëjtën dezinformatë, më 10 mars.
Teksti flet për kinse uzurpimin e kufirit verior dhe kërcënimin nga Serbia. Madje, ky lajm qarkullon nëpër faqe të ndryshme që nga viti 2017. Por, NATO-ja nuk ka dhënë ndonjë deklaratë të tillë rreth mundësisë që ushtria serbe për disa orë mund ta marrë Kosovën. Shpërndarja e dezinformatave të kësaj natyre shkakton shqetësime, frikë dhe ngjall tension e pasiguri në publik.
Disa prej faqeve që e kanë publikuar këtë dezinformatë:
• Skenderjashariblog.wordpress.com/
• Banglarreporter.com/archives/
Ndërsa, gjatë muajve mars dhe prill në po të njëjtën faqe është përsëritur disa herë një lajm tjetër, i cili për herë të fundit është publikuar më 2 maj dhe përmban titull keqinformues- “Vjen lajm i madh/Kosovës po i kërkohen vetëm dy kushte për të hyrë në NATO! Ja cilat janë ato”.
Lajmi i referohet një postimi të drejtorit ekzekutiv të organizatës joqeveritate KIPRED Lulzim Peci, ku thuhet se për anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO duhet të plotesohen dy kushte.
“1. Mencuria e Qeverisë dhe politikës së Kosovës për të prodhuar stabilitet dhe siguri të brendshme për gjithë qytetarët e saj, si dhe duke u bërë faktor i paqes dhe sigurisë rajonale, përfshirë këtu edhe projektet strategjike të diversifikimit të energjisë, dhe 2. Budallakia eventuale e Serbisë dhe Republikës Serbe për të destabilizuar rajonin me vepra, duke rrezikuar fillimin e konflikteve të reja të armatosura”, ka shkruar Peci në llogarinë e tij në “Facebook”.
Kushtet për të cilat flet Peci nuk kanë të bëjnë me procedurat standarde që kërkohen për anëtarësim, por lidhen me kontekstin e zhvillimeve aktuale rreth situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe raporteve Kosovë-Serbi. Sido që të jetë, në titull spekulohet se këto janë dy kushtet e vetme të cilat Kosova duhet t’i plotësojë për tu bërë pjesë e aleancës veriatlantike. Mirëpo, NATO-ja nuk është deklaruar rreth mundësisë apo kushteve specifike që Kosova të anëtarësohet brenda saj.
Faqe tjera që e kanë publikuar këtë keqinformim: