Shumë kohë para se konflikti në Ukrainë të përshkallëzohej në një luftë në shkallë të gjërë nga ana e Rusisë, tensionet në Ballkanin Perëndimor ishin të pranishme, ashtu si edhe interesimi i Rusisë që Ballkani Perëndimor të mbetej zonë e trazuar brenda Evropës dhe të përdorej si kërcënim, kurdo që shihej e dobishme për të.
Para hiç më larg se 6 viteve, ishte konfirmuar përfshirja e shërbimit sekret rus në një grusht-shtet të dështuar në Malin e Zi. Ishte koha kur Mali i Zi po përmbyllte procedurat për anëtarësimin në NATO dhe sigurisht që kjo gjë nuk i konvenont Rusisë. Marrëdhënie gjithnjë e më të afërta ishin parë edhe në mes të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski dhe presidentit Putin- marrëdhënie këto që qartazi pengonin progresin e shtetit maqedonas drejt anëtarësimit në NATO. Në anën tjeter, raportet e ngushta që përfaqësuesi i Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë Milorad Dodik kultivoi me Presidentin Putin dhanë sinjal të qartë për motivet dhe interesat e Rusisë në këtë pjesë të Evropës. Dhe e fundit, mirëmbajtja e raporteve të tensionuara në mes Kosovës dhe Serbisë, del të jetë strategji e mirëmenduar e Federatës Ruse për të betonuar ndikimin e saj në rajon.
Duke qenë të vetëdijshëm për një interesim të shtuar rus në Ballkan, Kosova ka qenë e përkushtuar dhe ka ndërmarrë veprimet e duhura që të pengojë çfarëdo përpjekje destabilizuese në vend. Në këtë kuptim, vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka shpallur non-grata dy diplomatë rus që kanë vepruar në Kosovë, me arsyetimin se kanë paraqitur kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Sidoqoftë, pas sulmit të Rusisë mbi Ukrainën është ngritur alarmi për mundësinë e përshkallëzimit të shpërndarjes së konfliktit edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për shkak të çështjes së pazgjidhur mes Kosovës e Serbisë dhe situatës së brishtë politike në Bosnjë e Hercegovinë. Megjithatë, pavarësisht vëmendjes së shtuar në Ukrainë, SHBA-ja dhe BE-ja rikalibruan fokusin e tyre në Ballkanin Perëndimor. Një delegacion i lartë amerikan vizitoi rajonin, ku kërkesë kryesore ishte dhënia fund “statuskuosë” mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa në anën tjetër, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, BE-ja ka qenë më e zëshme në kërkesën që Serbia të rreshtohet përkrah perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Incidentet në veri të Kosovës
Dy sulme mbi policinë në veriun e Kosovës gjatë prillit të cilat nuk është e qartë se nga kush u kryen, por që qeveria e Kosovës i cilësoi si përpjekje për destabilizim nga jashtë, rikthyen akuzat e ndërsjella mes palëve. Megjithëse rasti është në hetim, qeveria e Kosovës e cilësoi si sulm terrorist duke pretenduar se plumbat që qëlluan veturat e policisë u shtien nga territori i Serbisë.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë Samedin Mehmeti thanë në konferencë të përbashkët për media se policët kufitarë u sulmuan për tre ditë rresht, gjatë ndërrimeve në pikën kufitare me Serbinë-Jarinje. Sipas Sveçlës, tentim sulmi i parë u krye duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale, “me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të policisë”. Kurse në sulmin e dytë janë hedhur gurë në drejtim të Policisë së Kosovës.
Sulmi i tretë u krye me armë zjarri në afërsi të pikës së kontrollit të ngritur me qëllim të pengimit të shfrytëzimit të rrugëve ilegale. Në automjetin e Policisë po udhëtonin policë- shqiptarë dhe serbë.
Në një paraqitje publike, ministri i brendshëm Xhelal Sveçla deklaroi se “Angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, posaçërisht i Policisë së Kosovës, që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës, është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga Serbia dhe realisht ua prish planet të gjithë atyre, të cilët Kosovën e kanë parë potencialisht si çerdhe të krimit të tyre dhe si vazhdimësi të krizave tjera”.
Lidhur me mospublikimin e sulmeve më herët, ministri është arsyetuar se i kanë lënë kohë policisë për t’i zbuluar shkaktarët. Por, pas sulmit ku u rrezikua drejtëpërdrejt jeta e zyrtarëve policorë, siç ka thënë ministri i rendit, ka pasur vlerësime prej organeve të sigurisë se bëhet fjalë për sulm terrorist dhe informatat janë ndarë me publikun me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj dezinformate.
Pavarësisht arritjes së disa marrëveshjeve në të kaluarën që prekin edhe aspektin e sigurisë në veri, ato nuk ka kontribuar në mbajtjen e qetësisë. Në disa raste edhe vetë zyrtarë të Kosovës kanë përsëritur se Serbia vazhdon t’i mbajë gjallë strukturat paralele në veri, që kanë për qëllim krijimin e tensioneve sa herë që këtë ua kërkon Beogradi. Sulmet si këto në veri shpesh kanë shërbyer për krijimin e një situate të re në terren, pas së cilës kanë nisur negociatat. Prej pasluftës, struktura e ashtuquajtur “Mbrojtja Civile” ka operuar në veri nëpërmjet frikësimeve dhe shantazheve si mjete për ta mirëmbajtur shtetin e Serbisë në këtë pjesë të territorit. Përpjekja e institucioneve të Kosovës për të shtrirë sovranitetin në veri rëndom ka hasur në rezistencë të serbëve. Kjo është shoqëruar me bllokim rrugësh e sulme ndaj policisë.
Vlen të theksohet se Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëvshje që të shuajë “Mbrojtjen Civile” dhe ish pjesëtarët e kësaj strukture- 483 janë integruar në institucionet qendrore të Kosovës.
Diplomatët kërkojnë shmangien e tensioneve
Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e brishtë në veri të vendit, ambasadat perëndimore në Kosovë dhe Zyra e Bashkimit Evropian kanë dënuar sulmet mbi policinë, por në të njëjtën kohë kërkuan të shmangen spekulimet që mund të nxisin tensione në këtë pjesë të Kosovës. Kështu, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, u shpreh i shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë zjarri dhe hedhje gurësh ndaj zyrtarëve policorë pranë Zubin Potokut. Ndërkaq Zyra e BE-së ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës”. Në të njëjtën linjë të dënimit ishte edhe Misioni i NATO-s në Kosovë, ku përveçse dënoi sulmet kundër Policisë, ofroi gatishmërinë për ta mbështetur Policinë e Kosovës nëse kjo iu kërkohet.
Lista serbe dënoi sulmet
Si rrallëherë, ndaj këtyre sulmeve reagoi edhe Lista Serbe dhe zyrtarë tjerë nga Beogradi. Ndonëse nuk janë kuptuar motivet e as autorët e sulmeve, subjekti që përfaqëson serbët e Kosovës e cilësoi si tendencë të Prishtinës zyrtare për t’i njollosur serbët.
“Ky incident ka për qëllim destabilizimin e situatës, por është edhe tentim për t’i paraqitur serbët si banditë, gjë që nuk është e vërtetë”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.
Ky subjekt u bëri thirrje “të gjithë qytetarëve që të përmbahen, të mos bien pre e provokimeve dhe të mos lejojnë incidente të tilla që rrezikojnë paqen shumë të nevojshme në këtë zonë”.
Me qëllimin që të ndalet kontrabanda, policia e Kosovës në fillim të këtij viti pati mbyllur disa rrugë ilegale në zonën kufitare me Serbinë. Por në periudhën 26-28 prill, KFOR-i njoftoi se në koordinim me Policinë e Kosovës dhe MPB-në ka ndërmarrë veprime për hapjen e rrugës në afërsi të vijës kufitare administrative.
Sipas tyre, çdo masë sigurie që synon përmirësimin e policisë dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë duhet të peshohet proporcionalisht kundrejt nevojave të komuniteteve lokale dhe lirisë së lëvizjes për vendasit.
“Statuskuoja” e paqëndrueshme
Ndihmës sekretarja amerikane për çështje të Evropës dhe Azisë, Karen Donfried tha se kjo situatë i shkon për shtati vetëm Rusisë që është e interesuar ta shpërndajë konfliktin. Kësisoj, u kërkuan hapa konkretë në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare brenda së cilës do të përfshiheshin të gjitha çështjet e pazgjidhura mes dy palëve.
Gati 10 muaj pas takimit të fundit Kurti-Vuçiq ata u ftuan në një darkë joformale në Berlin, e cila u shtrua nga i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Paraprakisht Vuçiqin e Kurtin ndaras i takoi kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, i cili kërkoi angazhimin e të dyve për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare.
Por palët nuk kanë dhënë sinjale të qarta se do të ndryshojnë qëndrimet e tyre. Derisa Kurti insiston që në qendër të marrëveshjes të jetë njohja e ndërsjellë, Vuçiqi e ka përjashtuar këtë duke kërkuar që Kosova ta përmbushë obligimin për themelimin e Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.
Kancelari Olaf Scholz, tha se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi është i një rëndësie të madhe për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, ashtu si edhe për integrimin evropian të të dyja vendeve. Sipas kancelarit gjerman, marrëveshja e ardhshme Kosovë-Serbi do të ketë shumë detaje, dhe më kryesorja- ajo për çka insiston Kosova- do ta përfshijë edhe njohjen reciproke. Por një qartësi të tillë sa i përket epilogut të marrëveshjes nuk e ka shprehur Miroslav Lajçak. Kjo për faktin se pesë vende nuk e njohin shtetin e Kosovës, rrjedhimisht BE-ja ka qëndrim neutral karshi statusit. Premtimi i vetëm për Kosovën kur vjen puna tek dialogu është konfirmimi i së ardhmes europiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Në mungesë të qartësisë e cila do t’i jepte fund ngërçit në dialog, BE-ja kohë pas kohe i rikthehet kërkesës për implementimin e marrëveshjeve nga dialogu i kaluar, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. BE-ja është kritikuar edhe nga zyrtarë të Kosovës për qasje të njëanshme, duke mos i trajtuar palët si të barabarta në dialog.
Putini krahason Kosovën me rajonet në Ukrainë e Kaukaz
Rasti i Kosovës ka vazhduar të përmendet nga zyrtarët e Kremlinit për t’i përligjur aneksimet e territoreve në Ukrainë. Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, Vladimir Putin tha se ka lexuar personalisht vendimin e GJND-së për Kosovën, sipas të cilit zbatimi i të drejtës për vetëvendosje për territorin e një pjese të caktuar nuk obligon kërkimin e lejes për ta deklaruar sovranitetin nga vendi prej të cilit ai shkëputet.
“Kjo është e shkruar në relacion me Kosovën dhe ky vendim është përkrahur nga të gjithë. Nëse është kështu, atëherë Republika e Donbasit dhe ajo e Doneskut kanë të njëjtat të drejta duke mos zbatuar autoritetin qendror në Kiev për ta deklaruar sovranitetin, pasi që precedenti ekziston”, u shpreh Putin.
Interesimi i Rusisë që veprimet politike dhe aksionet ushtarake t’i ndërlidhë me Ballkanin është i kahershëm, por që u intensifikua pas sulmit mbi Ukrainën.
Është pikërisht kjo orvatje e Rusisë për të krahasuar Kosovën më rajonet në Ukrainë dhe Kaukaz që ka nxitur strukturat perëndimore- BE-në dhe NATO-n – dhe një pjesë të liderëve politikë që të përshpejtojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të ishte mënyra e vetme që statuskoja të mos i shërbente Rusisë dhe rajoni të konsolidonte rrugën e integrimit euro-atlantik.
*Kjo analizë u përgatit nga Fitim Gashi dhe Petrit Zogaj