Edhe pas tre muajsh nga agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, kanë vazhduar deklaratat dezinformuese të zyrtarëve rusë dhe serbë mbi Kosovën. E fundit erdhi nga Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, i cili në një intervistë për “Sputnik-un” në Rusi e të transmetuar nga mediat serbe ka mohuar masakrën e Reçakut në Kosovë. Gjatë kësaj interviste, Lavrov citohet të ketë thënë që është ‘’zbuluar’’ se trupat e të masakruarve në Reçak, nuk ishin të civilëve, por të ushtarëve, të cilëve u ishin ndërruar rrobat për t’u dukur si civilë.
Lavrov i bëri këto deklarata me qëllim që të bëjë një krahasim në mes krimeve që kishin ndodhur në Bucha në Ukrainë dhe Masakrës së Reçakut që kishte ndodhur në Kosovë në vitin 1999. Siç dëshmojnë të gjitha raportet kredibile, rasti i Bucha-s është një deshmi e qartë që trupat rusë në tërheqje e sipër kishin ndërmarrë një fushatë të vrasjeve masive të civilëve ukrainas. Po ashtu, është e konfirmuar që edhe masakra në Reçak ishte një aksion i paramenduar i forcave serbe mbi civilët shqiptarë në Kosovë.
Për më tepër, Misioni i OSBE-se i cili vepronte atëkohë në Kosovë, pjesë e të cilit ishin edhe vëzhguesit rusë, e kishte cilësuar masakrën e Reçakut si me të rëndën që kishte ndodhur në Kosovë. Por Lavrov, ashtu siç kanë deklaruar në vazhdimësi edhe zyrtarët e Serbisë, e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut.
Lidhur me deklaratën e Lavrovit ka reaguar ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.
“Ata që mohojnë mizoritë në Reçak kërkojnë të pengojnë progresin drejt pajtimit rajonal, konsolidimit demokratik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, ka thënë Hovenier.
Hovenier ka bashkëngjitur në postim të tij edhe dy dokumente të OSCE dhe UNDPPA të cilat e argumentojnë me fakte masakrën e Reçakut.
Zyrtarët rusë edhe në raste tjera kanë tërhequr paralele mes Kosovës dhe rajoneve të aneksuara në Ukrainë. Madje edhe para sulmit ushtarak mbi Ukrainën, presidenti Putin, gjatë një konference të përbashkët në Kremlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz, përmendi ndërhyrjen e NATO-së ndaj Jugosllavisë në vitin 1999.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët rusë dhe serbë mohojnë krimet e regjimit të Slobodan Millosheviqit gjatë viteve 98-99 në Kosovë.